Matthew 5:13-20

«Ju jeni kripa e tokës. Por nëse kripa e humbet shijen, si mund ta rifitojë? Nuk ka më asnjë vlerë, përveçse të hidhet e të shkelet prej njerëzve. Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur mbi një mal. Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje, por e vë në mbajtësen e vet, që të ndriçojë të gjithë ata që janë në shtëpi. Kështu duhet të shndrisë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të përlëvdojnë Atin tuaj që është në qiej». «Mos mendoni se kam ardhur për të shfuqizuar ligjin apo profetët. Unë nuk kam ardhur për t'i shfuqizuar, por për t'i përmbushur. Me të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë “i” dhe asnjë pikë mbi “i” nuk do t'i hiqet ligjit para se të ndodhë gjithçka. Prandaj, kushdo që e shpërfill njërin nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, e do t'i mësojë edhe të tjerët të bëjnë po ashtu, ai do të jetë më i vogli në mbretërinë e qiejve. Ndërsa ai që do t'i zbatojë e do t'ua mësojë të tjerëve, do të jetë i madh në mbretërinë e qiejve. Ja, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e shkruesve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve».
Mateu 5:13-20