Luke 22:19-30

Pastaj mori bukën, tha lutjen e falënderimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Ky është trupi im që jepet për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim». Po ashtu, pas darkës, bëri edhe me kupën e tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim që derdhet për ju. Por ja, dora e atij që po më tradhton është me mua në tryezë. Biri i njeriut po shkon sikurse është caktuar, por mjerë ai njeri që e tradhton». Atëherë ata filluan të pyesnin njëri-tjetrin se cili prej tyre do ta bënte këtë gjë. Mes dishepujve lindi një grindje se kush prej tyre duhej të quhej më i madhi. Por Jezui u tha: «Mbretërit e kombeve sundojnë mbi ta dhe ata që kanë pushtet mbi ta quhen bamirës. Me ju nuk duhet të ndodhë kështu. Përkundrazi, më i madhi ndër ju duhet të bëhet si më i vogli dhe udhëheqësi si shërbëtori. Kush është më i madh, ai që është në tryezë apo ai që shërben? A nuk është ai që rri në tryezë? Por unë jam mes jush si ai që shërben. Ju jeni ata që keni qëndruar me mua në tundimet e mia dhe unë po ju lë juve në dorë mbretërinë, ashtu si ma la mua Ati im, që ju të mund të hani e të pini në tryezën e mbretërisë sime. Ju do të uleni në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit».
Luka 22:19-30