James 1:1-27

Unë Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, përshëndes dymbëdhjetë fiset e shpërndara nëpër botë. Vëllezërit e mi, gëzohuni kur ndeshni tundime të ndryshme, sepse ju e dini se sprova e besimit tuaj sjell durimin. Kini durim deri në fund, që të jeni të përsosur, të plotë dhe pa asnjë të metë. Nëse dikujt nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia dhe ai do t'i japë, sepse Perëndia u jep të gjithëve me zemërgjerësi dhe pa përçmim, por le të kërkojë me besim dhe pa dyshuar. Kush dyshon, i ngjan valës së detit, që e ngre era dhe pastaj e përplas. Ky njeri të mos pandehë se do të marrë ndonjë gjë nga Zoti, sepse është njeri me dy mendje dhe i paqëndrueshëm në gjithçka që bën. Vëllai i varfër le të krenohet, se do ta lartësojë Perëndia, ndërsa vëllai i pasur se do ta përulë. I pasuri do të shkojë si lulja e barit. Dielli lind dhe nxehtësia e tij e than barin. Lulja e barit vyshket dhe bukuria i zhduket. Kështu do të vyshket edhe i pasuri në gjërat që bën. Lum ai njeri që duron tundimet, sepse, pasi të ketë kaluar sprovën, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Perëndia ua premtoi atyre që e duan. Askush, kur tundohet, të mos thotë: «Jam tunduar nga Perëndia». Perëndia nuk tundohet nga e keqja dhe nuk tundon askënd. Secili tundohet nga lakmia e vet, që e josh dhe e mashtron. Kur lakmia mbarset, pjell mëkatin, ndërsa mëkati që kryhet sjell vdekjen. Vëllezërit e mi të dashur, mos u mashtroni! Çdo e mirë që na është dhënë dhe çdo dhuratë e përsosur vjen nga lart dhe zbret nga Ati i dritave qiellore. Perëndia nuk ndryshon dhe nuk lë hije ndryshimi. Prej vullnetit të tij na dha jetë me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi fryti i parë i krijesave të tij. Vëllezërit e mi të dashur, dijeni se çdo njeri duhet të jetë i gatshëm për të dëgjuar, i ngadaltë për të folur dhe i ngadaltë në zemërim. Zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë. Prandaj hidhni tej çdo ndyrësi e çdo ligësi tjetër dhe me përulësi pranoni fjalën që Perëndia ka mbjellë ndër ju, fjalë e cila mund t'ju shpëtojë shpirtrat. Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues që gënjejnë veten. Sepse nëse dikush është vetëm dëgjues i fjalës dhe jo zbatues i saj, ai i ngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij të vërtetë në pasqyrë, por pasi shihet, ikën e menjëherë harron sesi ishte. Ndërsa ai që e shikon me kujdes ligjin e përsosur të lirisë dhe ngulmon në të, ai që nuk mbetet vetëm një dëgjues që harron, por zbatues i tij, do të jetë i lum në gjithçka që bën. Kush mendon se është fetar dhe nuk i vë fre gjuhës, mashtron veten dhe feja e tij është e kotë. Feja e pastër dhe e panjollë para Perëndisë dhe Atit është kjo: përkujdesja për jetimët e vejushat që janë në vështirësi dhe ruajtja e vetes të pastër nga bota.
Jakobi 1:1-27