Isaiah 11:1-11

Një degë do të dalë prej trungut të Jeseut, një filiz do të mbijë nga rrënja e tij. Në të do të prehet shpirti i ZOTIT, shpirti i urtisë e i mençurisë, shpirti i këshillës e i fuqisë, shpirti i dijes e i drojës së ZOTIT. Kënaqësia e tij do të jetë droja e ZOTIT. Ai s'do të gjykojë sipas asaj që sheh me sy e s'do të vendosë sipas asaj që dëgjon me veshë. Skamnorët do t'i gjykojë me drejtësi e do të marrë vendime të drejta për të përulurit e tokës. Me thuprën e gojës së tij do ta godasë tokën, me frymën e buzëve të tij do ta vrasë të paudhin. Drejtësia do të jetë brezi i mesit të tij, besnikëria brezi që do të ngjeshë ijëve. Ujku do të banojë me qengjin, leopardi do të shtrihet bri kecit, viçi e këlyshi i luanit do të kullotin bashkë, fëmija i vogël do t'u prijë udhës. Lopa e arusha do të kullotin bashkë, këlyshët e tyre tok do të rrinë, luani kashtë do të hajë si kau. Foshnja do të luajë mbi vrimën e gjarprit, fëmija do ta fusë dorën në strofullin e nepërkës. Nuk do të dëmtohet kush e as do të vritet kush në mbarë malin tim të shenjtë, se toka do të mbushet me dijen e ZOTIT, siç mbulojnë ujërat detin. Atë ditë rrënja e Jeseut do të ngrihet si flamur për popujt, atë do të kërkojnë kombet, e lavdishme do të jetë banesa e tij. Atë ditë Zoti do ta shtrijë sërish krahun, për të shpenguar tepricën e popullit të tij, ata që do të kenë mbetur në Asiri e në Egjipt, në Patros e në Kush, në Shinar e në Hamat, nëpër ishujt e detit.
Isaia 11:1-11