Exodus 20:12-21

Ndero atin tënd e nënën tënde, që të kesh jetë të gjatë në tokën që po të jep ZOTI, Perëndia yt. Mos vrit. Mos bëj tradhti bashkëshortore. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërtit tënd. Mos lakmo shtëpinë e tjetrit. Mos lakmo gruan e tij, as shërbëtorin e shërbëtoren e tij, as kaun e gomarin e tij, asgjë që është e tija». Tërë populli i dëgjoi e i pa gjëmimet, vetëtimat, jehonën e bririt dhe malin në tym, u drodh nga frika dhe qëndroi larg. Atëherë i thanë Moisiut: «Fol ti me ne e ne do të dëgjojmë. Të mos na flasë Perëndia, përndryshe do të vdesim!». Moisiu u tha: «Mos kini frikë! Perëndia erdhi për t'ju sprovuar, që ta druani gjithnjë e të mos mëkatoni». Populli qëndroi larg, ndërsa Moisiu iu afrua resë së errët, ku ishte Perëndia.
Dalja 20:12-21