1 Peter 4:12-19

Fort të dashur, mos u çuditni për sprovën e zjarrit nëpër të cilën po kaloni për t'u sprovuar, si të ishte diçka e jashtëzakonshme. Por gëzohuni që jeni pjesëtarë të vuajtjeve të Krishtit, që edhe kur të shfaqet lavdia e tij, të gëzoheni e të ngazëlloheni. Lum ju nëse ju tallin për shkak të emrit të Krishtit, sepse Shpirti i lavdisë dhe i Perëndisë prehet mbi ju. Askush nga ju të mos vuajë si vrasës, vjedhës, keqbërës apo pse përzihet në punët e të tjerëve. Nëse vuan si i krishterë, të mos ketë turp, por të përlëvdojë Perëndinë për këtë emër. Erdhi koha që gjykimi të fillojë nga shtëpia e Perëndisë. Nëse fillon së pari me ne, si do të jetë fundi i atyre që nuk iu bindën ungjillit të Perëndisë? Nëse i drejti shpëton me vështirësi, ç'do të ndodhë me të pafeun e mëkatarin? Ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le të bëjnë të mirën e le t'ia besojnë plotësisht shpirtin krijuesit besnik.
1 Pjetrit 4:12-19