Sofonia 3:14-20
Sofonia 3:14-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Këndo, o bija e Sionit, brohorit, o Izrael, gëzohu e ngazëllehu me gjithë zemër, o bija e Jerusalemit. ZOTI e hoqi dënimin tënd, armiqtë e tu i largoi. ZOTI, mbreti i Izraelit, është mes teje, s'do t'i trembesh më ligësisë. Atë ditë do t'i thuhet Jerusalemit: “Mos ki frikë, o Sion, dora mos t'u dridhtë!”. ZOTI, Perëndia yt, është mes teje, trim shpëtimtar. Me ty do të gëzohet plot hare, do të qetësohet prej dashurisë, do të brohorasë e këndojë për ty, porsi në ditë feste. Do ta heq prej teje fatkeqësinë, që të mos përçmohesh më. Ja, atë ditë do të merrem me tërë shtypësit e tu. Të çalin do ta shpëtoj, të zbuarin do ta kthej. Do t'u jap lavdi dhe emër në çdo vend ku u poshtëruan. Atë ditë do t'ju kthej, në atë kohë do t'ju mbledh tok. Do t'ju jap lavdi dhe emër mes mbarë popujve të dheut, kur fatin t'jua kthej para syve, thotë ZOTI».
Sofonia 3:14-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Lësho britma gëzimi, o bijë e Sionit, lësho britma hareje, o Izrael! Gëzohu dhe ngazëllo me gjithë zemër, o bijë e Jeruzalemit! Zoti i ka revokuar gjykimet e tij kundër teje, ka dëbuar armikun tënd. Mbreti i Izraelit, Zoti, ndodhet midis teje, nuk do të kesh më frikë nga asgjë. Atë ditë do të thonë në Jeruzalem: "Mos ki frikë, o Sion, duart e tua mos u dobësofshin! Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton. Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e tij do qëndrojë në heshtje, do të gëzohet për ty me britma gëzimi. Unë do të mbledh ata që janë të pikëlluar për kuvendet solemne, që janë në mes tuaj për të cilët pesha për atë ishte bërë objekt përçmimi. Ja, në atë kohë unë do të veproj kundër atyre që të shtypin; do të shpëtoj çalamanin dhe do të mbledh ata që janë dëbuar, dhe do t'i bëj të lavdishëm dhe të dëgjuar në të gjitha vendet ku kanë qenë me turp. Në atë kohë unë do t'ju kthej, po, në atë kohë do t'ju mbledh; sepse do t'ju bëj të famshëm dhe të lavdishëm midis tërë popujve të tokës, kur, para syve tuaj, do t'i bëj të kthehen ata që janë në robëri", thotë Zoti.