Zakaria 5:1-11
Zakaria 5:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë ngrita sytë sërish e, ja, pashë një rrotull që po fluturonte. Ai më pyeti: «Çfarë sheh?». Unë i thashë: «Shoh një rrotull që po fluturon. Është njëzet kute e gjatë e dhjetë kute e gjerë». Ai më tha: «Ky është mallkimi që do të përhapet mbi tërë faqen e dheut, sepse sipas njërës anë të rrotullës, kushdo që vjedh do të spastrohet dhe sipas anës tjetër të rrotullës, kushdo që bën be do të spastrohet. E dërgova, kumton ZOTI i ushtrive, që të shkojë në shtëpinë e atij që vjedh dhe të atij që betohet rrejshëm në emrin tim. Do të zërë vend në shtëpinë e tyre e do të shkatërrojë çdo gurë e tra». Engjëlli që po fliste me mua doli e më tha: «Ngriji sytë e shiko! Çfarë sheh?». Unë thashë: «Çfarë është?». Ai më tha: «Kjo që po del është një kanistër. Ajo Shëmbëllen fajet e tyre në mbarë tokën». E, ja, kur u ngrit kapaku, u duk një grua që po rrinte brenda kanistrës. Pastaj tha: «Kjo është ligësia. E hodhi brenda në kanistër dhe i vuri sipër kapakun e rëndë». Pastaj i ngrita sytë e, ja, pashë dy gra me krahë si të skifterit që vërshuan fluturimthi. Ato e ngritën kanistrën lart mes qiellit e tokës. Unë i thashë engjëllit që po fliste me mua: «Ku po e çojnë kanistrën?». Ai më tha: «Te toka e Shinarit, që të ndërtojnë një shtëpi për të. Atje do t'ia ngrenë vendbanimin kur të ndërtohet».
Zakaria 5:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj i çova përsëri sytë dhe pashë, dhe ja një rrotull që fluturonte. Engjëlli më tha: "Çfarë po shikon?". Unë u përgjigja: "Shoh një rrotull që fluturon; gjatësia e saj është njëzet kubitë dhe gjerësia e saj dhjetë kubitë". Atëherë ai më tha: "Ky është mallkimi që po përhapet mbi gjithë vendin; sepse tani e tutje, kushdo që vjedh do të dëbohet prej tij dhe kushdo që tani e tutje betohet me të rreme, do të dëbohet prej tij. Unë do ta bëj të dalë", thotë Zoti i ushtrive, "dhe ai do të hyjë në shtëpinë e vjedhësit dhe në shtëpinë e atij që bën betim të rremë në emrin tim; do të mbetet në atë shtëpi dhe do ta konsumojë bashkë me lëndën e saj dhe me gurët e saj". Pastaj Engjëlli që fliste me mua doli dhe më tha: "Ço sytë dhe shiko çfarë është ajo që po del". Unë thashë: "Çfarë është?". Ai tha: "Është efa që po del". Pastaj shtoi: "Kjo është pamja e tyre në gjithë vendin". Pastaj, ja, u ngrit një kapak plumbi, dhe kështu në mes të efas rrinte ulur një grua. Atëherë ai tha: "Kjo është ligësia". Dhe e hodhi në mes të efas, pastaj hodhi kapakun prej plumbi mbi hapjen e saj. Pastaj i çova sytë dhe shikova, dhe ja që po vinin dy gra me erën në krahët e tyre, sepse ato kishin krahë si krahët e lejlekut, dhe e ngritën efan midis tokës dhe qiellit. Kështu unë e pyeta engjëllin që fliste me mua: "Ku e çojnë efan këto?". Ai m'u përgjigj: "Në vendin e Shinarit për t'i ndërtuar një shtëpi; kur të jetë gati efa do të vihet mbi piedestalin e vet".