Zakaria 3:1-5
Zakaria 3:1-5 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë më dëftoi kryepriftin Jozueh. Ai po qëndronte para engjëllit të ZOTIT e në të djathtë kishte Satanin që po e padiste. Engjëlli i tha Satanit: «ZOTI të qortoftë, o Satan! Të qortoftë ZOTI, ai që ka zgjedhur Jerusalemin! A nuk është ky si kërcuri që i shpëtoi zjarrit?». Ndërkohë Jozuehu po qëndronte para engjëllit, i veshur me rroba të fëlliqura. Engjëlli u tha atyre që po qëndronin para tij: «Hiqjani rrobat e fëlliqura!». Pastaj i tha Jozuehut: «Ja, ta hoqa fajin e po të vesh me rroba të denja». Ai tha: «Vërini mbi krye një fes të pastër». Ata i vunë mbi krye një fes të pastër dhe e veshën, ndërkohë që engjëlli i ZOTIT po qëndronte më këmbë.
Zakaria 3:1-5 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj më bëri të shoh kryepriftin Jozue, që qëndronte drejt përpara engjëllit të Zotit, dhe Satani që rrinte në të djathtën e tij për ta akuzuar. Zoti i tha Satanit: "Të qortoftë ashpër Zoti, o Satan! Po, Zoti që ka zgjedhur Jeruzalemin, të qortoftë ashpër! A nuk është vallë ky një urë zjarri e shkëputur nga zjarri?". Jozueu ishte veshur me rroba të papastra dhe qëndronte drejt përpara engjëllit, i cili nisi t'u thotë atyre që ishin përpara tij: "Ia hiqni nga trupi ato rroba të papastra!". Pastaj i tha atij: "Shiko, kam zhdukur prej teje paudhësinë tënde dhe do të të bëj të veshësh rroba të shkëlqyera". Unë, pra, thashë: "Le të vënë mbi kokën e tij një çallmë të pastër". Kështu ata i vunë mbi kokë një çallmë të pastër dhe e vunë të veshë rroba, ndërsa Engjëlli i Zotit ishte i pranishëm aty.