Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zakaria 13:1-9

Zakaria 13:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Atë ditë do të çelet një burim për shtëpinë e Davidit e për banorët e Jerusalemit që të pastrojnë mëkatet e papastërtitë». «Atë ditë, kumton ZOTI i ushtrive, do t'i shuaj emrat e idhujve prej tokës, që të mos kujtohen më. Do t'i zhduk nga vendi edhe profetët bashkë me shpirtin e papastër. E, në daltë ndonjë profet për të profetizuar, i ati dhe e ëma që i bënë kokën, do t'i thonë: “Mos e paç jetën e gjatë, se rrena fole në emër të ZOTIT”. E atëherë i ati dhe e ëma do ta shporojnë kur të profetizojë. Atë ditë, çdo profet do të turpërohet për vegimet që shpall me profecitë e veta; nuk do ta veshë petkun e leshtë që të fshihet e do të thotë: “Unë nuk jam profet! Jam bujkrob, se më shitën që kur isha i ri”. E në e pyetshin: “Çfarë janë këto plagë në kraharor?”. Do të thotë: “U plagosa në shtëpinë e miqve”». «Zgjohu, o shpatë, kundër bariut tim, kundër të afërtit që kam pranë, kumton ZOTI i ushtrive. Godite bariun, që delet të shpërndahen. Dorën do ta shtrij kundër vocërrakëve. Dy të tretat e mbarë tokës, kumton ZOTI, do të zhbihen, do të marrin fund, vetëm një e treta do të mbijetojë. Nëpër zjarr do ta kaloj këtë të tretë, do ta pastroj siç pastrohet argjendi, do ta sprovoj siç sprovohet ari. Do ta thërrasin ata emrin tim e unë do t'u përgjigjem. Do t'u them: “Populli im” e ata do të thonë: “ZOTI, Perëndia ynë”».

Zakaria 13:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

"Atë ditë do të hapet një burim për shtëpinë e Davidit dhe për banorët e Jeruzalemit, për mëkatin dhe për papastërtinë. Atë ditë do të ndodhë", thotë Zoti i ushtrive, "që unë do të shfaros nga vendi emrat e idhujve, që nuk do të kujtohen më; do të zhduk gjithashtu profetët nga vendi dhe frymën e papastër. Dhe do të ndodhë që, në se dikush do të profetizojë akoma, i ati dhe e ëma që e kanë lindur do t'i thonë: "Ti s'ke për të jetuar, sepse shqipton gënjeshtra në emër të Zotit". Kështu i ati dhe e ëma që e kanë lindur do ta therin, sepse ai profetizon. Atë ditë do të ndodhë që secili profet do të ndiejë turp për vegimin e vet, kur të profetizojë dhe nuk do të veshë më qyrkun për të mashtruar. Po secili do të thotë: "Unë nuk jam profet, jam bujk; dikush më ka mësuar të rris bagëtinë që në rininë time". Pastaj në qoftë se dikush do t'i thotë: "Çfarë janë këto plagë që ke në duart e tua?", ai do të përgjigjet: "Janë ato me të cilat jam plagosur në shtëpinë e miqve të mi"". "Zgjohu, o shpatë, kundër bariut tim dhe kundër njeriut që është shoku im", thotë Zoti i ushtrive. "Godite bariun dhe delet le të shpërndahen; pastaj do ta drejtoj dorën time kundër të vegjëlve. Dhe në gjithë vendin do të ndodhë", thotë Zoti, "që dy të tretat do të shfarosen dhe do të vdesin, por një e treta do të mbetet. Këtë të tretë do ta bëj të kalojë nëpër zjarr, do ta rafinoj ashtu si rafinohet argjendi dhe do ta vë në provë ashtu si provohet ari. Ata do të thërresin emrin tim dhe unë do t'i kënaq. Unë do të them: Ky është populli im, dhe ai do të thotë: Zoti është Perëndia im".