Zakaria 1:1-6
Zakaria 1:1-6 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në muajin e tetë të vitit të dytë të Darit, fjala e ZOTIT iu drejtua profetit Zakari, birit të Berekjahut, të birit të Idoit: «ZOTI u zemërua shumë me etërit tuaj, prandaj thuaju: kështu thotë Zoti i ushtrive, kthehuni tek unë, kumton ZOTI i ushtrive, e unë do të kthehem te ju, thotë ZOTI i ushtrive. Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve profetët e mëparshëm u patën thënë: “Kështu thotë ZOTI i ushtrive, kthehuni, pra, nga udhët e nga veprat tuaja të liga!”, por ata nuk dëgjuan e nuk më përfillën, kumton ZOTI. Ku janë etërit tuaj tani? Po profetët, a jetojnë përgjithmonë? Por, a nuk u dolën etërve tuaj fjalët dhe urdhërimet që unë ua pata dhënë profetëve, shërbëtorëve të mi? Kështu, ata u kthyen e thanë: “ZOTI i ushtrive vërtet veproi me ne ashtu siç kishte vendosur të bënte për shkak të udhëve e veprave tona”».
Zakaria 1:1-6 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në muajin e tetë të vitit të dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, birit të Berekiahut, bir i Idos, profet, duke thënë: "Zoti ishte zemëruar shumë me etërit tuaj. Prandaj u thuaj: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Kthehuni tek unë, thotë Zoti i ushtrive, dhe unë do të kthehem te ju", thotë Zoti i ushtrive. "Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve profetët e së kaluarës u kanë shpallur, duke thënë: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Kthehuni nga rrugët tuaja të këqija dhe nga veprat tuaja të këqija". Por ata nuk dëgjuan dhe nuk më kushtuan vëmendje", thotë Zoti. "Etërit tuaj ku janë? Po profetët a rrojnë vallë përjetë? Vallë fjalët e mia dhe statutet e mia që ua kisha besuar shërbëtorëve të mi, profetëve, nuk arritën te etërit tuaj? Kështu ata u konvertuan dhe thanë: "Ashtu si kishte vendosur të vepronte me ne Zoti i ushtrive, në bazë të rrugëve tona dhe të veprave tona, kështu veproi me ne"".