Romakëve 6:1-23
Romakëve 6:1-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Çfarë të themi, pra? A do të vazhdojmë të jetojmë në mëkat, që Perëndia të na japë më shumë hir? Larg qoftë! Ne kemi vdekur për sa i përket mëkatit. E si mund të jetojmë ende në të? Apo nuk e dini se të gjithë ne që u pagëzuam në Krishtin Jezu, u pagëzuam në vdekjen e tij? Prandaj ne jemi varrosur me të përmes pagëzimit për t'u bashkuar me të në vdekjen e tij, në mënyrë që sikurse Krishti u ngjall prej të vdekurve përmes lavdisë së Atit, ashtu edhe ne të mund të jetojmë një jetë të re. Pra, nëse jemi bashkuar me të në vdekjen e tij, do të bashkohemi me të edhe në ngjalljen e tij. Ne e dimë se njeriu i vjetër që ishte në ne u kryqëzua me Krishtin, që të shkatërrohet natyra jonë mëkatare e të mos jemi më skllevër të mëkatit. Kush ka vdekur, është çliruar nga mëkati. Nëse kemi vdekur me Krishtin, besojmë se do të jetojmë bashkë me të. Ne e dimë se Krishti u ngjall prej të vdekurve dhe nuk mund të vdesë më, sepse vdekja nuk ka më pushtet mbi të. Kur vdiq, Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për sa i përket mëkatit, por tani që jeton, jeton për Perëndinë. Kështu edhe ju duhet ta quani veten të vdekur për sa i përket mëkatit, por të gjallë për Perëndinë, me Krishtin Jezu. Prandaj mos lejoni të mbretërojë mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t'ju bëjë t'u bindeni dëshirave të tij. Mos i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete padrejtësie, por kushtojani veten Perëndisë, si njerëz që kanë kaluar nga vdekja në jetë. Përkundrazi, gjymtyrët tuaja i vini në shërbim të Perëndisë, si mjete drejtësie. Sepse mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, përderisa ju nuk jeni nën ligjin, por nën hirin e Perëndisë. Çfarë, pra? A të mëkatojmë meqë nuk jemi nën ligj, por nën hir? Larg qoftë! A nuk e dini se, duke u bërë skllevër të dikujt dhe duke iu bindur atij, ju bëheni skllevër të atij që i bindeni, qoftë të mëkatit që të çon në vdekje, qoftë të bindjes ndaj Perëndisë që të çon në një jetë të drejtë? Por i qofshim falë Perëndisë, sepse ju dikur ishit skllevër të mëkatit, ndërsa tani i jeni bindur me gjithë zemër gjedhes së mësimit që keni marrë. Ju u çliruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të drejtësisë së Perëndisë. Po flas me shembuj njerëzorë, për shkak të dobësisë njerëzore që nuk kupton. Sikurse dikur i vinit gjymtyrët tuaja në shërbim të ndyrësisë e të paudhësisë, që të çojnë në paudhësi, kështu tani t'i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të drejtësisë së Perëndisë që të çon në një jetë të shenjtë. Kur ishit skllevër të mëkatit, ju ishit të lirë për sa i përket drejtësisë së Perëndisë. Çfarë fituat, pra, nga gjërat që bënit në atë kohë e për të cilat tani keni turp? Fundi i këtyre gjërave është vdekja. Por tani që jeni çliruar nga mëkati e jeni vënë në shërbim të Perëndisë, ju keni fituar udhëtimin drejt një jete të shenjtë, fundi i të cilit është jeta e amshuar. Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e hirit të Perëndisë është jeta e amshuar që kemi me Krishtin Jezu, Zotin tonë.
Romakëve 6:1-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Çfarë të themi, pra? A të mbetemi në mëkat, që të teprojë hiri? Aspak! Ne që jemi të vdekur për mëkatin, si do të jetojmë akoma në të? Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës. Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij, duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit. Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati. Tani nëse vdiqëm me Krishtin, ne besojmë gjithashtu që do të jetojmë me të, duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s'ka më pushtet mbi të. Sepse në atë që vdiq, vdiq për mëkatin një herë e për gjithmonë; por në atë që rron, rron për Perëndinë. Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë. Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t'i bindeni atij në epshet e veta. As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë. Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir. Atëherë, çfarë? Të mëkatojmë sepse nuk jemi nën ligj, por nën hir? Kështu mos qoftë! A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi? Por qoftë falënderuar Perëndia, sepse ishit shërbëtorë të mëkatit, por iu bindët me zemër atij mësimi që iu është transmetuar. Dhe, mbasi u liruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë. Unë po flas njerëzisht për shkak të dobësisë së mishit tuaj. Sepse ashtu si një kohë i kishit përkushtuar gjymtyrët tuaja për të qenë shërbëtorë të papastërtisë dhe të paudhësisë për të bërë paudhësinë, kështu tani përkushtoni gjymtyrët tuaj për të qenë shërbëtorë të drejtësisë për shenjtërim. Sepse, kur ishit shërbëtorë të mëkatit, ishit të lirë në lidhje me drejtësinë. Dhe çfarë fryt kishit, pra, atëherë, nga ato gjëra, për të cilat tani keni turp? Sepse fundi i tyre është vdekja. Por tani, pasi u liruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të Perëndisë keni për frytin tuaj shenjtërimin dhe për fund jeta e përjetshme. Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë.