Romakëve 16:1-27 - Compare All Versions
Romakëve 16:1-27 ALBB (Bibla Shqip 1994)
Dhe unë po jua rekomandoj Febën, motrën tonë, që është dhjake e kishës që ndodhet në Kenkrea, që ta pranoni në Zotin, sikurse u ka hije shenjtorëve, dhe ta ndihmoni në çdo gjë që të ketë nevojë nga ju, sepse edhe ajo ka ndihmuar shumë veta, edhe mua vetë. U bëni të fala Prishilës dhe Akuilës, bashkëpunëtorë të mi në Krishtin Jezus, të cilët për jetën time vunë kokën në rrezik; ata i falënderoj jo vetëm unë, por të gjitha kishat e johebrenjve. I bëni të fala edhe kishës që është në shtëpinë e tyre, të fala edhe Epenetit tim të dashur, i cili është fryti i parë i Akaisë në Krishtin. Të fala Marisë, e cila u mundua shumë për ne. Të fala Andronikut dhe Junisë, kushërinj të mi dhe shokë burgu, të cilët janë dalluar midis apostujve dhe kanë qenë në Krishtin përpara meje. Të fala Ampliut, të dashurit tim në Zotin. Të fala Urbanit, bashkëpunëtorit tonë në Krishtin dhe Stakit tim të dashur. Të fala Apelit, të provuarit në Krishtin. Të fala atyre të shtëpisë së Aristobulit. Të fala Herodionit, kushëririt tim. Të fala atyre të shtëpisë së Narkisit që janë në Zotin. U bëni të fala Trifenës dhe Trifozës, të cilat mundohen në Zotin. Të fala Persidës së dashur, e cila është munduar shumë në Zotin. Të fala Rufit, të zgjedhurit në Zotin, dhe nënës së tij që është edhe imja. Të fala Asinkritit, Flegontit, Ermës, Patrobës, Ermit dhe vëllezërve që janë me ta. Të fala Filologut, Julisë, Nereut dhe motrës së tij Olimpës, dhe gjithë shenjtorëve që janë me ta. Përshëndetni njëri-tjetrin me një të puthur të shenjtë; kishat e Krishtit ju përshëndesin. Tani unë ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe skandale kundër doktrinës që keni mësuar dhe të largoheni nga ata; sepse ata nuk i shërbejnë Zotit tonë Jezu Krisht, por barkut të tyre, dhe me fjalë të ëmbla dhe të bukura gënjejnë zemrat e të thjeshtit?. Sepse të bindurit tuaj arriti kudo; prandaj unë gëzohem për ju; dhe dëshiroj që të jeni të mençur për të mirën dhe të thjesht për të keqen. Tani Perëndia e paqes do ta dërmojë së shpejti Satanin nën këmbët tuaja. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju. Timoteu, bashkëpunëtori im, Luci, Jasoni dhe Sosipatri, kushërinj të mi, ju përshëndesin. Unë, Terci, që shkrova këtë letër ju përshëndes në Zotin. Gai, mikpritësi im dhe i mbarë kishës, ju bën të fala. Erasti, arkëtari i qytetit, dhe vëllai Kuarti, ju dërgojnë të fala. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen. Dhe atij që mund t'ju forcojë juve sipas ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit, sipas zbulesës së misterit, të mbajtur fshehur prej kohësh të pasosur, por tani u shfaq e u zbulua me anë të Shkrimeve të profetëve, sipas urdhërimit të Perëndisë të përjetshme dhe u njoh ndër të gjitha kombet, për t'i sjellë në dëgjesën e besimit, Perëndisë, të vetmin të ditshëm, i qoftë lavdi në përjetësi me anë të Jezu Krishtit. Amen.
Romakëve 16:1-27 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))
Po ju lë nën kujdes motrën tonë Febën që shërben në kishën e Kenkresë. Pranojeni në emër të Zotit, siç u ka hije të shenjtëve dhe qëndrojini përkrah në çdo gjë që të ketë nevojë për ju, sepse ajo ka ndihmuar shumë veta dhe më ka ndihmuar edhe mua. Përshëndetni bashkëpunëtorët e mi në veprën e Krishtit Jezu, Priskën e Akuilin, që vunë kokën e tyre në rrezik për jetën time. Ata i falënderoj jo vetëm unë, por edhe të gjitha kishat e kombeve. Përshëndetni edhe kishën që mblidhet në shtëpinë e tyre. Përshëndetni mikun tim të dashur Epenetin që është fryti i parë për Krishtin në Azi. Përshëndetni Marinë që u mundua shumë për ju. Përshëndetni kushërinjtë e mi Andronikun e Junën që kanë qenë në burg me mua e shquhen ndër apostuj. Në të vërtetë, ata kanë besuar në Krishtin përpara meje. Përshëndetni Ampliatin, mikun tim të dashur në Zotin. Përshëndetni bashkëpunëtorin tonë në Krishtin, Urbanin dhe mikun tim të dashur Stakun. Përshëndetni Apelin që është i sprovuar për Krishtin. Përshëndetni ata të shtëpisë së Aristobulit. Përshëndetni kushëririn tim Herodionin. Përshëndetni ata të shtëpisë së Narcisit që besojnë në Zotin. Përshëndetni Trifenën e Trifozën që mundohen për Zotin. Përshëndetni Persidën e dashur që është munduar shumë për Zotin. Përshëndetni Rufin, të zgjedhurin nga Zoti dhe nënën e tij, që e kam si nënë edhe unë. Përshëndetni Asinkritin, Flegontin, Hermesin, Patrobin, Hermasin e vëllezërit që janë me ta. Përshëndetni Filologun e Julian, Nereun e motrën e tij, Olimpin dhe të gjithë të shenjtët që janë me ta. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë. Të gjitha kishat e Krishtit ju përshëndesin. Po ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe bëhen pengesë, në kundërshtim me mësimin që keni marrë. Largohuni prej tyre. Njerëz të tillë nuk i shërbejnë Zotit tonë Krisht, por barkut të tyre. Përmes fjalëve të bukura e lajkave ata mashtrojnë zemrat e të paditurve. Ngazëlloj me ju pasi të gjithë kanë dëgjuar për bindjen tuaj ndaj Zotit. Dua që të jeni të urtë për të bërë të mirën, por të pastër përballë së keqes. Perëndia i paqes do ta shtypë së shpejti Satanin nën këmbët tuaja. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju! Ju përshëndesin bashkëpunëtori im Timoteu dhe kushërinjtë e mi Luci, Jasoni e Sosipatri. Ju përshëndes në emër të Zotit unë, Terti, që po shkruaj këtë letër. Ju përshëndet Gaji, mikpritësi im dhe i gjithë kishës. Ju përshëndet Erasti, thesarmbajtësi i qytetit dhe vëlla Kuarti. Qoftë i lavdëruar Perëndia që ka pushtetin t'ju forcojë në besim me ungjillin që predikoj unë për Jezu Krishtin, sipas zbulesës së shestimit të fshehtë të Perëndisë. Ky shestim ka qenë ruajtur në heshtje që prej shumë shekujsh, ndërsa tani u shfaq e iu bë i njohur të gjitha kombeve përmes Shkrimeve profetike, sipas urdhrit të Perëndisë së amshuar për t'i bërë ato t'i binden e t'i besojnë Perëndisë. Të vetmit Perëndi të urtë i qoftë lavdia në amshim, përmes Jezu Krishtit! Amen!