Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 14:1-12

Romakëve 14:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pranojeni atë që është i dobët në besim dhe mos e gjykoni për mendimet e tij. Dikush beson se mund të hajë çdo gjë, ndërsa një tjetër, që është i dobët, ha vetëm perime. Ai që ha çdo gjë, të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha çdo gjë, të mos e gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar edhe atë. Kush je ti që të gjykosh shërbëtorin e tjetrit? Vetëm i zoti mund të gjykojë nëse shërbëtori i tij qëndron i fortë në detyrë ose jo. Por ai do të qëndrojë i fortë, sepse Zoti ka pushtetin ta bëjë këtë. Dikush e vlerëson një ditë më shumë se një ditë tjetër, ndërsa dikush tjetër i vlerëson të gjitha ditët njëlloj. Secili të jetë plotësisht i bindur për atë që bën. Ai që e vlerëson një ditë si të veçantë, e vlerëson për Zotin. Ai që ha nga çdo gjë, ha për Zotin, sepse falënderon Perëndinë. Po ashtu, edhe ai që nuk ha çdo gjë, nuk ha për Zotin dhe falënderon Perëndinë. Asnjëri nga ne nuk jeton për vete dhe nuk vdes për vete. Nëse jetojmë, jetojmë për Zotin dhe nëse vdesim, vdesim për Zotin. Prandaj, edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, ne i përkasim Zotit. Për këtë arsye Krishti vdiq e u ngjall, për të qenë Zot i të gjallëve dhe i të vdekurve. Pse e gjykon vëllanë tënd? Pse e përbuz vëllanë tënd? Ne të gjithë do të qëndrojmë para gjyqit të Perëndisë. Është shkruar: pasha jetën time, thotë Zoti, çdo gju do të përkulet para meje dhe çdo gjuhë do të përlëvdojë Perëndinë. Kështu pra, çdonjëri prej nesh do të përgjigjet para Perëndisë për veten e vet.

Romakëve 14:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pranojeni atë që është i dobët në besim, pa e qortuar për mendimet. Dikush mendon se mund të hajë nga çdo gjë, ndërsa ai që është i dobët ha vetëm barishte. Ai që ha të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha të mos gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar. Kush je ti që gjykon shërbyesin e tjetrit? A qëndron mbi këmbë ose rrëzohet, është punë e zotit të tij, por ai do të qëndrojë, sepse Perëndia është i zoti ta bëjë atë të qëndrojë në këmbë. Sepse dikush e çmon një ditë më shumë se një tjetër, dhe tjetri i çmon të gjitha ditët njëlloj; gjithsecili të jetë plotësisht i bindur në mendjen e tij. Ai që e çmon ditën, për Zotin e çmon; ai që nuk e çmon ditën, për Zotin nuk e ruan; kush ha, për Zotin ha dhe i falet nderit Perëndisë; dhe kush nuk ha, për Zotin nuk ha dhe i falet nderit Perëndisë. Sepse asnjë nga ne nuk jeton për veten e tij dhe askush nuk vdes për veten e tij, sepse, edhe nëse rrojmë, rrojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, vdesim për Zotin; pra, edhe po të rrojmë ose të vdesim, të Zotit jemi. Sepse për këtë edhe vdiq Krishti dhe u ngjall e u kthye në jetë: që të zotërojë edhe mbi të vdekurit, edhe mbi të gjallët. Por ti, pse e gjykon vëllanë tënd? Ose përse e përbuz vëllanë tënd? Të gjithë, pra, do të dalim përpara gjykatës së Krishtit. Sepse është shkruar: ''Rroj unë, thotë Perëndia, se çdo gjë do të ulet para meje, dhe çdo gjuhë do ta lavdërojë Perëndinë!''. Kështu, pra, secili nga ne do t'i japë llogari Perëndisë për veten e vet.