Romakëve 13:1-7
Romakëve 13:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Çdo njeri t'u nënshtrohet pushteteve që ka mbi vete. Sepse nuk ka pushtet që nuk është nga Perëndia. Të gjitha pushtetet janë caktuar nga Perëndia. Pra, kush kundërshton pushtetin, i kundërvihet Perëndisë që e ka caktuar atë. Ata që e kundërshtojnë, i pret gjykimi. Nuk ka pse ta ketë frikë eprorin ai që bën të mirën, por ai që bën të keqen. A dëshiron të mos kesh frikë nga pushteti? Bëj të mirën dhe do të marrësh lavdërime prej tij. Sepse ai është shërbëtor i Perëndisë për të mirën. Por nëse ti bën të keqen, duhet të kesh frikë, se ai nuk e mban më kot shpatën. Ai është shërbëtor i Perëndisë dhe hakmerret e ndëshkon keqbërësit. Kështu duhet të nënshtroheni jo vetëm për shkak të ndëshkimit, por edhe për shkak të ndërgjegjes. Prandaj i paguani edhe taksat, sepse pushtetet që merren me këtë punë janë shërbëtorë të Perëndisë. Jepuni të gjithëve çfarë u takon: taksën atij që i takon taksa, taksën e doganës atij që i takon taksa e doganës, frikën atij që i takon t'i frikësoheni, nderimin atij që i takon nderimi.
Romakëve 13:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Çdo njeri le t'i nënshtrohet pushteteve të sipërm, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia. Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhrit të Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen do të marrin mbi vete dënimin. Sepse eprorët s'ke pse t'i kesh frikë për vepra të mira, por për të këqijat; a do, pra, të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të mirën, dhe do të kesh lavdërim nga ai, sepse eprori është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen. Prandaj është e nevojshme t'i nënshtroheni, jo vetëm nga druajtje e zemërimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes. Sepse për këtë paguani edhe tatimet, sepse ata janë shërbëtorë të Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi. I jepni, pra, secilit atë që i takon: tatimin atij që i përket, druajtje atij që është për t'u druajtur, nderimin atij që është për nderim.