Romakëve 1:1-17
Romakëve 1:1-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Unë, Pali, jam shërbëtor i Krishtit Jezu dhe Perëndia më ka thirrur për të qenë apostull e më ka ndarë veç për të predikuar ungjillin e Perëndisë. Ky ungjill, që Perëndia e premtoi që më parë përmes profetëve të tij në Shkrimet e shenjta, flet për Birin e tij, Zotin tonë Jezu Krisht. Për nga mishi, ai është pasardhës i Davidit, ndërsa me fuqinë e Shpirtit që shenjtëron, ai u dëftua Bir i Perëndisë kur u ngjall prej të vdekurve. Përmes tij Perëndia na ka dhënë hirin për të qenë apostuj, që të çojmë gjithë kombet drejt bindjes ndaj ungjillit dhe besimit në Krishtin, për lavdi të emrit të tij. Ndër këto kombe bëni pjesë edhe ju, sepse u thirrët nga Jezu Krishti. Po ju shkruaj të gjithëve ju në Romë që Perëndia ju do e ju ka thirrur për të qenë të shenjtë: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht! Së pari, e falënderoj Perëndinë tim përmes Jezu Krishtit për ju të gjithë, sepse besimi juaj po bëhet i njohur në tërë botën. Perëndia, të cilit i shërbej me gjithë shpirt në predikimin e ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im se ju kujtoj pa pushim në lutjet e mia, gjithmonë. I kërkoj Perëndisë, që, nëse është vullneti i tij, të mund të vij te ju më në fund. Kam shumë dëshirë t'ju shoh për t'ju dhënë ndonjë dhunti shpirtërore, që të forcoheni dhe kështu të ngushëllohemi së bashku përmes besimit të njëri-tjetrit, besimit tuaj dhe besimit tim. Dua ta dini, o vëllezër, se shumë herë kam pasur ndër mend të vij te ju, që vepra ime të kishte fryt edhe te ju si te kombet e tjera, por kam qenë i penguar deri tani. Unë u detyrohem edhe helenëve, edhe barbarëve, edhe të diturve, edhe të paditurve. Prandaj, për sa më takon mua, jam i gatshëm t'jua shpall ungjillin edhe juve që jeni në Romë. Unë nuk kam turp për ungjillin, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e të gjithë atyre që besojnë, për judeun së pari, si dhe për helenin. Në ungjill zbulohet se Perëndia i bën njerëzit të drejtë përmes besimit të plotë, sikurse është shkruar: i drejti do të jetojë prej besimit.
Romakëve 1:1-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pali, shërbëtor i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, i veçuar për ungjillin e Perëndisë, siç i kishte premtuar ai me anë të profetëve të tij në Shkrimet e shenjta, lidhur me Birin e tij, të lindur nga fara e Davidit sipas mishit, i deklaruar Biri i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës së shenjtërisë nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurit: Jezu Krishti Zoti ynë, me anë të të cilit ne kemi marrë hir dhe apostullim, për bindje në besim midis të gjithë kombeve për hir të emrit të tij, ndër të cilët edhe ju jeni të thirrur nga Jezu Krishti; për ju të gjithë që jeni në Romë, të dashur nga Perëndia, të thirrur shenjtorë: hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, e nga Zoti Jezu Krishti. Para së gjithash, falënderoj Perëndinë tim me anë të Jezu Krishtit për të gjithë ju, sepse për besimin tuaj është folur në gjithë botën. Sepse Perëndia, të cilit unë i shërbej me frymën time nëpërmjet ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im që unë nuk pushoj kurrë t'ju kujtoj, duke kërkuar vazhdimisht në lutjet e mia që të më lejohet më në fund nga vullneti i Perëndisë mundësia për të ardhur tek ju, sepse unë dëshiroj fort t'ju shoh për t'ju komunikuar ndonjë dhunti frymërore, që të fortësoheni. Dhe kjo është që unë të ngushëllohem bashkë me ju me anë të besimit që e kemi të përbashkët, tuajin dhe timin. Tani, vëllezër, unë nuk dua që të mos e dini se shumë herë kisha vendosur të vija tek ju që të mund të kem ndonjë fryt midis jush siç kam pasur midis johebrenjve të tjerë, por deri tash kam qenë i penguar. Unë u jam borxhli grekëve dhe barbarëve, të diturve dhe të paditurve. Kështu, aq sa varet nga unë, jam gati t'ju predikoj ungjillin edhe juve që jeni në Romë. Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë judeun e pastaj grekun. Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: ''I drejti do të jetojë me anë të besimit''.