Zbulesa 7:1-17
Zbulesa 7:1-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj pashë katër engjëj që qëndronin në katër cepat e tokës. Ata mbanin katër erërat e tokës, në mënyrë që të mos frynte erë mbi tokë, mbi det apo mbi ndonjë pemë. Pashë edhe një engjëll tjetër, që ngjitej andej nga lind dielli dhe kishte vulën e Perëndisë së gjallë. Ai thirri me zë të fortë katër engjëjt, të cilëve u ishte dhënë pushteti të dëmtojnë tokën dhe detin e u tha: «Mos e dëmtoni as tokën, as detin e as pemët, derisa të vulosim në ballë shërbëtorët e Perëndisë tonë». Dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur nga gjithë fiset e bijve të Izraelit. Dymbëdhjetë mijë të vulosur nga fisi i Judës; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Rubenit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Gadit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Asherit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Neftalimit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Manaseut; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Simeonit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Levit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Isaharit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Zabulonit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Jozefit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Benjaminit. Pastaj pashë një turmë të madhe nga çdo komb, fis, popull e gjuhë, që askush nuk mund ta numëronte. Turma qëndronte para fronit e para Qengjit, veshur në të bardha e me palma në duar. Njerëzit e turmës thërrisnin me zë të lartë: «Shpëtimi vjen nga Perëndia ynë që rri ulur në fron dhe nga Qengji». Të gjithë engjëjt qëndronin përreth fronit, pleqve dhe katër gjallesave. Pastaj ranë përmbys para fronit me fytyrë përdhe dhe adhuruan Perëndinë kështu: «Amen! Bekimi, lavdia, urtia, falënderimi, nderi, fuqia e pushteti janë të Perëndisë tonë, në shekuj të shekujve. Amen!». Atëherë një nga pleqtë më pyeti: «Kush janë këta të veshur me rroba të bardha? Nga kanë ardhur?». Unë iu përgjigja: «Imzot, ti e di». Ai më tha: «Këta janë ata që kanë ardhur nga përndjekja e madhe. Ata i kanë larë rrobat dhe i kanë zbardhur ato me gjakun e Qengjit. Prandaj qëndrojnë para fronit të Perëndisë e i shërbejnë ditë e natë në tempullin e tij. Ai që rri në fron do të banojë përherë mes tyre. Nuk do të kenë më as uri, as etje e as dielli, as i nxehti nuk do t'i djegë më. Qengji që rri në mes të fronit do të jetë bariu i tyre dhe do t'i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre».
Zbulesa 7:1-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pas këtyre gjërave, pashë katër engjëj të cilët rrinin në këmbë në të katër këndet e dheut dhe mbanin të katër erërat e dheut, që të mos frynte erë mbi dhe, as mbi det, as mbi ndonjë dru. Pastaj pashë një engjëll tjetër që ngjitej nga lind dielli e që kishte vulën e Perëndisë së gjallë; dhe u thirri me zë të madh të katër engjëjve, të cilëve u qe dhënë të dëmtojnë dheun dhe detin, duke thënë: ''Mos dëmtoni dheun, as detin, as pemët, derisa t'i vulosim në ballë shërbëtorët e Perëndisë tonë''. Dhe dëgjova numrin e atyre që u vulosën: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur nga të gjitha fiset e bijve të Izraelit. Nga fisi i Judës, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Rubenit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Gadit dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Asherit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Neftalit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Manasit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Simeonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Levit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Isakarit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Zabulonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Jozefit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Beniaminit, dymbëdhjetë mijë të vulosur. Pas këtyre gjërave, pashë një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre. Dhe thërrisnin me zë të madh, duke thënë: ''Shpëtimi është i Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit''. Dhe të gjithë engjëjt rrinin në këmbë përqark fronit, dhe pleqve dhe katër qenieve të gjalla, dhe ranë përmbys mbi fytyrën e tyre përpara fronit dhe adhuruan Perëndinë, duke thënë: ''Amen! Bekimi, dhe lavdia, dhe dituria, dhe falënderimi, dhe nderimi, dhe fuqia dhe forca janë te Perëndia ynë në shekuj të shekujve. Amen!''. Pastaj një nga pleqtë m'u drejtua, duke më thënë: ''Cilët janë këta që janë veshur me rroba të bardha, dhe nga kanë ardhur?''. Dhe unë i thashë: ''Imzot, ti e di''. Atëherë ai më tha: ''Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh, dhe i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit. Prandaj edhe janë përpara fronit të Perëndisë dhe i shërbejnë atij ditë e natë në tempullin e tij; dhe ai që rri ulur mbi fron do të banojë në mes tyre. Ata nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë etje, as nuk do t'i godasë më dielli, as kurrfarë vape, sepse Qengji, që është në mes të fronit, do t'i kullosë dhe do t'i çojë te burimet e gjalla të ujërave; dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre''.