Psalmet 8:1-9
Psalmet 8:1-9 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
O Zot Zoti ynë, sa i mërekullueshim asht’ emëni yt mbë gjithë dhenë! Qi vune lavdinë tande nalt përmbi qillt. Prei gojësë foshnjevet edhe atyne qi pinë sisë bane gati lavdurim për punë të anëmiqvet tu, qi të prishish anëmikun’ edhe shpagë-marrësinë. Kur ve ore qillt’ e tu, punën’ e gishtënavet tu, hanën’ edhe yjetë, qi themelove ti! Qish ashtë njeriu, qi kuitojsh? A i biri njeriut, qi ta vështrojsh? Por ti e bane ate pakëzë ma të poshtëm se engjujtë, edhe e kunorëzove me lavdi e me nder. E vune ate zot mbi punët të duervet tua, të gjitha ja vune poshtë ndënë kambët t’ati. Gjithë dhentë edhe qetë, por edhe shtazët e fushësë, shpendët’ e qiellit, edhe peshqit’ e detit, qi shkojën’ udhëvet detënavet. O Zot Zoti ynë, sa i mërekullueshim asht’ emëni yt mbë gjithë dhenë!
Psalmet 8:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
O ZOT, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt mbi tokën mbarë! Mbi qiej e shpalos madhështinë tënde. Me gojën e fëmijëve dhe të foshnjave tregove fuqinë kundër armiqve të tu, që t'i bësh të heshtin armiq e kundërshtarë. Kur vështroj qiellin, veprën e duarve të tua, hënën e yjet që ti krijove, ç'është njeriu që të kujtohesh për të, apo biri i njeriut që të kujdesesh për të? Pak më pak se Perëndi e bëre, e kurorëzove me nder e me lavdi. I dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua, gjithçka ia nënshtrove nën këmbë: mbarë dhentë, gjedhët dhe egërsirat e fushës, zogjtë e qiellit, peshqit e detit, gjithçka që shtigjet e deteve përshkon.
Psalmet 8:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejt! Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t'i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit. Kur mendoj qiejt e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur, çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh? Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder. E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij! Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra, zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit. O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!