Psalmet 74:1-17
Psalmet 74:1-17 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Përse, o Perëndi, na hodhe tej për kur-do? Përse nxier tym zemërimi yt kundrë dhenvet kullotësë s’ate? Kuito përmbëledhëjenë tande, të cillën’ e fitove çë ndë krye të herësë, shkopin’ e trashigimit t’yt, qi shpërbleve, këtë malin’ e Sionësë, qi ndenje mb’atë. Ngre hapat’ e tua përherë për të shkretuem, për sa të këqia bani anëmiku ndë të shenjtënueminë vendinë tand. Anëmiqt’ e tu ulurijënë ndë miedis të përmbëledhëjesë s’ate, vunë shenjet’ e veta për shenje. Ngjifetë, porsi ndonji qi ngre sëpatënë mbi druna të shpeshë. Kështu tashti ata dërrmuenë përnjiherë të latuemetë punët’ e ati me sëpata e me vare. Doqnë shenjtënorenë tande me ziarrm, ndynë për dhe vendin’ e emënit t’yt. Thanë me zemërët të vet: Le t’i dërrmoimë bashkë; doqnë gjithë përmbëledhëjet’ e Perëndisë ndë dhet, Nukë shofim shenjetë t’ona, s’ka ma profetë, asndonji ndër ne të ngjofi se deri kurë. Deri kurë, o Perëndi, do të shpërnderojë anëmiku? Do të nemi anëmiku emëninë tand kur-do? Përse këthen dorënë tande, edhe të diathtënë tande? Nxir-e prei miedisit gjinit t’yt, edhe vdir’-i. Por Perëndia ashtë çë ndë krye të herësë mbëreti em, qi punon shpëtim ndë miedis të dheut. Ti dave detinë me anë të fuqisë s’ate, ti theve krenët’ e dreqënavet nd’ujënat. Ti theve krenët’ e Leviathanit, edhe ia dhe për të ngranë popullit qi rri ndër shkretina. Ti bane me rriedhunë bunime e purroj, ti thave lumëna të mëdhej. Dita ashtë joteja, edhe nata ashtë joteja, ti bane gati dritën’ edhe diellinë. Ti vune gjithë sinoret’ e dheut, ti bane verën’ edhe dimëninë.
Psalmet 74:1-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Përse na hodhe poshtë përgjithnjë, o Perëndi? Përse vlon zemërimi yt kundër deleve të kullotës sate? Kujto bashkësinë tënde që nga kohët e lashta fitove, fisin, që shpëtove dhe trashëgiminë tënde e bëre, malin e Sionit, ku banesën vure. Drejtoji hapat e tu drejt këtyre rrënojave të përhershme, armiku shkatërroi gjithçka në shenjtërore. Armiqtë e tu ulërijnë në vendin tënd të shenjtë, kanë ngritur emblemat e tyre. Na u dukën si ata që vërvitin sëpatat brenda në pyllin e dendur. E tani me sëpata e me sakica po ia thyejnë të gjitha gdhendjet. I vunë zjarrin shenjtërores sate, e rrafshuan, e përdhosën banesën e emrit tënd. E thanë me vete: «T'i shfarosim të gjithë!». I dogjën të gjitha vendet e shenjta të Perëndisë në këtë tokë. Nuk i shohim më emblemat tona, as profet nuk ka më, e askush nga ne nuk e di edhe sa kohë do të zgjatë. Deri kur, o Perëndi, do të të poshtërojë armiku? Përgjithmonë do ta përbuzë kundërshtari emrin tënd? Përse e ke tërhequr dorën tënde? Të djathtën tënde përse e mban në gji? O Perëndi, ti je mbreti im që në lashtësi, ai që sjell shpëtimin mbi tokë. Me fuqinë tënde e ndave detin, përbindëshave të ujit u thërrmove kokën. Ti ia shtype kokën Leviatanit, ia dhe për ushqim popullit të shkretëtirës. Ti bëre të gëlojnë burime e përrenj, ti thave lumenj të pashtershëm. Jotja është dita, jotja edhe nata, ti e krijove ndriçuesin dhe diellin. Ti i caktove tërë kufijtë tokës, ti e përftove verën edhe dimrin.
Psalmet 74:1-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë përgjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate? Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar. Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore. Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj. Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dendur të një pylli. Dhe tani me sqeparë dhe çekanë po prishin tërë skulpturat e tij. I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë. Kanë thënë në zemër të tyre: "T'i shkatërrojmë të gjithë"; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend. Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur. Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë? Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji. Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë. Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshave të detit në ujërat. Copëtove kokat e Leviathanit dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës. Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm. Jotja është dita, jotja është edhe nata; ti ke vendosur dritën dhe diellin. Ti ke caktuar tërë kufijtë e tokës dhe ke bërë verën dhe dimrin.