Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 69:1-15

Psalmet 69:1-15 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

Shpëto-më, o Perëndi, sepse më hynë ujëna deri ndë shpirt. U zhyta ndë baltë të thellë, atie ku nuk’ ashtë vend për me qindruem, e mbërrina ndë të thellat e ujënavet, edhe rriedheja më mbuloi. U lodha së bërtituni, m’u tha gurrmazi, m’u lothnë sytë së prituni Perëndinë t’em. Ata qi më kanë mëni pa punë u shumuenë ma tepërë se qimet’ e kresë s’eme, u banë të fortë anëmiqt’ e mi, qi më ndiekinë pa-udhë, atëhere unë këtheva qish nukë rrëmbeva. O Perëndi, ti ngjef marrinë t’eme, edhe fajet’ e mi nukë janë mpshefunë prei teje. Mos u turpnofshinë për punët t’eme ata qi të presinë, o Zot Perëndia i fuqivet, mos u turpënofshinë për punët t’eme ata qi të kërkojënë, o Perëndia i Israelit. Se për punët tande durova shpërnderim, turpëja më mbuloi faqenë. U bash i huej te vëllazënit’ e mi, edhe farë e huej te të bijt’ e amësë s’eme. Se zelli i shtëpisë s’ate më hangri, edhe shpërnderimet’ e atyne qi të shpërnderojënë ranë mbi mue. Edhe qava tue munduem shpirtinë t’em me agjinim, por këjo m’u ba për shpërnderim. Edhe bana thesinë petk, edhe u bashë përrallëzë ndër ata. Ata qi rrinë ndëpër dyert flitshinë kundrë meje, edhe ata qi pijnë venë më këndoishinë kankë. Por unë dërgoj të falunitë t’em te ti, o Zot, kohë pëlqimi ashtë, o Perëndi, për të shumën’ e përdëllinit t’yt ndëgjo-më, edhe për të vërtetën’ e shpëtesësë s’ate. Shpëto-më prei baltet, qi të mos zhytem, shpëtofsha prei atyne qi më kanë mëni, edhe prei thellësinavet ujënavet. Mos më mbuloftë të rriedhunit’ e ujënavet, as mos më përpiftë thellësina, edhe pusi mos mbylltë grykën’ e vet mbi mue.

Psalmet 69:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Shpëtomë, o Perëndi, se ujërat më kanë arritur deri në grykë. Jam zhytur në një batak të thellë dhe nuk gjej asnjë pikë mbështetjeje; kam arritur në ujëra të thella dhe rryma më rrëmben me vete. Jam lodhur duke bërtitur, gryka më është tharë; sytë e mi konsumohen në pritje të Perëndisë tim. Ata që më urrejnë pa shkak janë më të shumtë se flokët e mi; janë të fuqishëm ata që duan të më shkatërrojnë dhe që janë pa të drejtë armiq të mi; jam i detyruar të kthej atë që nuk kam vjedhur. O Perëndi, ti e di marrëzinë time dhe fajet e mia nuk të janë fshehur. Mos u ngatërrofshin për shkakun tim ata që kanë shpresë te ti, o Zot, Zoti i ushtrive; mos u turpërofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë, o Perëndi i Izraelit. Për hir të dashurisë sate unë po heq një poshtërim dhe turpi më mbulon fytyrën. Unë jam i bërë një i huaj për vëllezërit e mi dhe për bijtë e nënës sime. Sepse zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe fyerjet e rënda të atij që të fyen kanë rënë mbi mua. Kam qarë duke pikëlluar shpirtin tim me agjërim, por kjo më ka sjellë çnderim. Kam veshur madje si rroba një thes, por u bëra për ta objekt talljeje. Ata që ulen te porta flasin për mua, dhe u bëra kënga e pijanecëve. Por sa për mua, o Zot, lutja ime të drejtohet ty, o Zot, në kohë të pranueshme; në dhembshurinë tënde të madhe përgjigjmu, o Perëndi, në shpëtimin tënd të siguruar. Më nxirr nga bataku që të mos fundosem në të, dhe bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga ujërat e thella. Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua.