Psalmet 68:11-20
Psalmet 68:11-20 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Zoti dha fjalë: ata qi dhanë za të mirë ishinë ushtëri e madhe. Mbëretën’ ushtëriash tue ikun’ iknë, edhe ato qi mbetnë ndë shtëpi daishinë plaçëkatë. Edhe ndë dirgjeshitë ndë miedis të votrësë, por keni me qenunë porsi fletë pullumbi të argjandueme, edhe populat’ e ati me arë të verdhë. Fuqi-madhi kur shpërdante mbëretënë nd’atë, u bai bardhë porsi bora ndë Salmon. Mali i Perëndisë ashtë porsi mali i Bashanit: mal’ i naltë, porsi mali i Bashanit. Përse keni zmir, o male të naltë? Kyi ashtë mali, qi i pëlqeu Perëndisë me ndenjunë, sepse Zoti ka me ndenjunë nd’atë për gjithë monë. Qerret’ e Perëndisëjanë njizet mijë mijënash, qi i heqinë, Zoti ashtë ndërmiet atyneve porsi ndë Sina, ndë të shenjtënueminë vend. Hype nalt, rope robëninë, more dhunëtia për njerëzit, por edhe për të pandëgjueshimit, qi të rrish ndërmiet atyne, o Zot Perëndi. Qoftë bekuem Zoti, ditë për ditë qi na ngarkon me të mira, Perëndia i shpëtimit t’ynë. Selah. Perëndia ynë ashtë Perëndi shpëtimi: edhe të nxierrëtë prei vdeket ashtë prei Zotit Perëndisë.
Psalmet 68:11-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Aty banoi grigja jote, o Perëndi, ti u kujdese tërë mirësi për të mjerin. Zoti tha një fjalë, të shumta janë lajmëtaret: «Arratinë marrin mbretërit e ushtrive, arratinë marrin, gratë e shtëpive ndajnë prenë. Edhe nëse shtriheni mes tufave për të pushuar, krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë nga argjendi, pendët e saj praruar janë nga ari. Kur i gjithëpushtetshmi shpartalloi mbretërit, mali i Calmonit zbardhi nga dëbora». Mal madhështor është mali i Bashanit, mal me thepa mali i Bashanit. Përse, o male të thepisura, me smirë e shikoni malin që Perëndia për banesë zgjodhi? Atje do të banojë përgjithmonë ZOTI. Karrocat e Perëndisë janë me mijëra, me mijëra e dhjetëra mijëra, mes tyre qëndron Zoti, ashtu si në Sina, tërë shenjtëri. U ngjite në lartësi, zure robër, dhurata prej njerëzve e prej kundërshtarëve more, që atje të banosh, o ZOT Perëndi. Bekuar qoftë ditë për ditë Zoti, Perëndia që kujdeset për ne, ai që na shpëton. selah
Psalmet 68:11-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Zoti shpalli fjalën dhe i madh ishte numri i atyre që e kanë shpallur: "Mbretërit e ushtrive ikin me ngut, ndërsa kush ka mbetur në shtëpi ndan plaçkën. Edhe në se keni mbetur për të pushuar ndër vatha, ju jeni si krahët e pëllumbeshës të mbuluara me argjend dhe si pendët e saj të arta që shkëlqejnë". Kur i Plotfuqishmi i shpërndau mbretërit në vend, Tsalmoni u mbulua me borë. Një mal i Perëndisë është mali i Bashanit, një mal me shumë maja është mali i Bashanit. O male me shumë maja pse shikoni me zili malin që Perëndia ka zgjedhur për banesë të tij? Po, Zoti do të banojë atje përjetë. Qerret e Perëndisë janë një mori, mijëra e mijëra, Zoti është midis tyre ashtu si në Sinai, në shenjtërinë e tij. Ti je ngjitur lart, ke burgosur robërinë, ke marrë dhurata nga njerëzit edhe nga rebelët, me qëllim që ti, o Zot Perëndi të mund të qëndrosh atje. I bekuar qoftë Zoti, që për ditë mbart barrat tona; ai është Perëndia i shpëtimit tonë. (Sela) Perëndia është për ne Perëndia që çliron, dhe Zotit, Zotit, i përket çlirimi nga vdekja.