Psalmet 50:11-23
Psalmet 50:11-23 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Ngjof gjithë shpendët’ e malevet, edhe bishat’ e fushësë janë bashkë me mue. Ndë më arthtë u, s’kam me të thanë, sepse emeja ashtë bota, edhe të mbushunit’ e asai. Mos kam me ngranë mish mëzetënish, a me pimë gjak sqepësh? Ban-i Perëndisë kurban lavdurimi, edhe ep-i të Naltit uratat’ e tua, edhe thirr-më ndë ditë të shtrëngimit, se kam me të liruem, edhe ke me më lavduem. Por Perëndia i tha të pa-besit: Qish ke ti, qi tregon urdhënimet’ e mi, edhe ze n’gojë dhiatënë t’eme? Edhe ti ke mëni të mësuemitë, edhe hedh mbrapa teje fjalët’ e mia. Ndë pafsh viedhës, ecën bashkë me atë, edhe piesa jote ashtë bashkë me kurvarët. Goja jote flet shumë keq, edhe gjuha jote gërsheton gënjeshtrë. Rri e flet kundrë t’yt vëlla, edhe ve shkandullë kundrë të birit s’at amë. Këto bane, edhe s’pëzaita, more me mend, se jam vërtet porsi ti; kam me të qirtuem, edhe kam me nxierrë gjithë fajetë përpara syvet tu. Veni ndër mend pra këtë, ju qi harruetë Perëndinë, se mos u rrëmbej ndonji herë, edhe s’ka kush me u shpëtuem. Ai qi bije kurban lavdurimi, më lavduron, edhe ati qi ndreq udhënë, kam me i dëftyem shpëtimin’ e Perëndisë.
Psalmet 50:11-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
I njoh tërë shpendët e lartësive, gjallesat e fushës janë të miat. Po të kisha uri, s'do të të lypja ty, e imja është bota e gjithçka në të. Mos do të ha gjë mish demash, a do të pi gjak cjepsh? Kushtoji Perëndisë fli përlëvdimi e përmbushi betimet ndaj të Tejlartit. Ditën e fatkeqësisë më thirr, do të të shpëtoj e do të më lavdërosh». selah E të paudhit Perëndia i thotë: «Përse, vallë, i shpall rregullat e mia, përse goja jote flet për besëlidhjen time, kur ti e urren qortimin e fjalët e mia i hedh pas shpine? Kur sheh një vjedhës, shoqërohesh me të, me kurorëshkelësit bëhesh bashkë. Gojën ia ke kushtuar së keqes, gjuha jote thur mashtrime. Ulesh e flet kundër vëllait tënd, shpif kundër birit të nënës sate. Këto i ke bërë e unë kam heshtur, ke menduar se jam si ti. Por, ja, ku po të qortoj e po t'i përplas para syve». Kuptojeni, pra, mirë këtë gjë, ju që Perëndinë harroni, në mos do t'ju bëj copë e çikë e s'do të ketë kush t'ju shpëtojë. Kush më kushton fli përlëvdimi më nderon, atij që ecën udhës së drejtë do t'i tregoj shpëtimin e Perëndisë.
Psalmet 50:11-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat. Po të kisha uri, nuk do ta thosha; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat. A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi? Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit. Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh". Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmendësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time, ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia? Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën. Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime. Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate. Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu. Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot. Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t'i tregoj shpëtimin e Perëndisë".