Psalmet 48:1-14
Psalmet 48:1-14 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Zotiasht’ i math, edhe fort i lavdurueshim ndë qytet të Perëndisë t’onë, ndë mal të shenjtënisë ati. Vend-bukurë, gëzimi i gjithë dheut ashtë mali i Sionësë, kah brit’e borësë, qyteti i mbëretit math. Perëndia ngjifetë ndë pallatet t’asai për mpshtetëje të naltë. Se qe tek u mbëlothnë mbëretënitë, shkuenë bashkë. Ata kur panë kështu, u mërekulluenë, u përzienë, edhe iknë me vrap. I muer frika atie, të dhimptuna, si asai qi piell. Me erë të lemit diellit thyenë barkët’ e Tharsisë. Sikurse ndëgjuem, kështu pam ndë qytet të Zotit fuqivet, ndë qytet të Perëndisë t’onë; Perëndia ka me themeluem atë për gjithë jetënë. Selah. Presim përdëlliminë tand, o Perëndi, ndë miedis të tempullit t’yt. Mbas emënit t’yt, o Perëndi, kështu asht’ edhe lavdurimi yt deri mbë anët të dheut; e diathta jote ashtë plot me dreitëni. Le të gëzohetë mali i Sionësë, le të gëzohenë të bijat’ e Iudësë për gjyqet e tu. Qarkoni Sionënë, edhe ecëni rrotull’ asai, numëroni burgjet’ e asai. Ngulni zemrënë tuei mbë muret t’asai, vështroni pallatet’ e asai, qi t’i tregoni brezit mbasandaim. Sepse kyi Perëndi ashtë Perëndia ynë jetë mbas jete, ai ka me na hiekë udhënë deri mbë vdekët.
Psalmet 48:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
I madh është ZOTI e fort i lavdërueshëm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë. Lartësi e bukur, gëzimi i mbarë tokës është mali i Sionit në skajin verior, qyteti i mbretit të madh. Në fortesat e tij Perëndia u bë i njohur si streha e pamposhtur. Ja, mbretërit janë mbledhur e bashkë kanë marshuar. Por panë e u hutuan, të tmerruar mbrapsht u kthyen. Aty i kapën drithërimat, dhimbjet si ato të lindjes. Me erën e lindjes anijet e Tarshishit shkatërrove. Siç kishim dëgjuar, ashtu po shohim në qytetin e ZOTIT të ushtrive, në qytetin e Perëndisë tonë, që Perëndia e themeloi për amshim. selah Mirësinë tënde përsiatim, o Perëndi, brenda në tempullin tënd. Përlëvdimi yt, o Perëndi, është si emri yt, arrin deri në skajet e tokës; e djathta jote është plot drejtësi. Le të gëzojë mali i Sionit, le të ngazëllojnë qytetet e Judës, falë gjykimeve të tua. Ejani përqark Sionit e bjerini përreth, numërojini të gjitha kullat e tij. Soditni muret e tij, vështroni fortesat e tij, që brezit të ardhshëm t'ia tregoni
Psalmet 48:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë. I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh. Në pallatet e tij Perëndia u bë i njohur si një kala e papushtueshme. Ja, mbretërit ishin mbledhur dhe shikonin përpara bashkërisht, por sa e panë, mbetën të shushatur dhe ikën të tmerruar. Atje i zunë drithmat dhe si të prerat e lindjes, në të njëjtën mënyrë si era e lindjes që i bën copë-copë anijet e Tarshishit. Siç e kishim dëgjuar, ashtu pamë në qytetin e Zotit disa ushtri, në qytetin e Perëndisë tonë; Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë. Në tempullin tënd, o Perëndi, ne kemi rënë në mendime mbi mirësinë tënde. Ashtu si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës; dora jote e djathtë është tërë drejtësi. Le të gëzohet mali Sion, le të ngazëllojnë vajzat e Judës për gjykimet e tua. I bini rrotull Sionit, vizitojeni, numëroni kullat e tij, këqyrni fortesat e tij, admironi pallatet e tij, me qëllim që të mund t'ia tregoni brezave që do të vijnë. Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje.