Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 44:1-26

Psalmet 44:1-26 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

O Perëndi, ndëgjuem me veshët tanë, atënitë tanë na diftuenë punënë qi punove ndë ditt t’atyne, ndë ditt të moçime. Ti nxore jashtë kombe me dorët tande, edhe i mbolle, shtrëngove popuj edhe i përzune. Sepse nukë trashiguenë dhenë me anë të shpatësë vet, edhe krahu i atyne nukë shpëtoi ata, por e diathta jote, edhe krahu yt, edhe drita e faqesë s’ate, se pëlqeve ata. Ti je vetë mbëreti em, o Perëndi, qi urdhënon shpëtimet’ e Iakobit. Me anë tande kemi me shtymë anëmiqtë t’anë, me anë të emënit t’yt kemi me vumë poshtë ata qi ngrihenë kundrë nesh. Sepse s’kam me shpëryem mbë harkunë t’em, as shpata eme ka me më shpëtuem. Sepse na shpëtove prei anëmiqvet t’anë, edhe turpënove ata qi na kanë mëni. Gjithë ditënë kemi me u mburrunë mbë Perëndinë, edhe kemi me lavduruem emëninë tand për gjithë jetënë. Selah. Por na hodhe tej, edhe na turpënove, edhe nukë del ma bashkë me ushtëriat t’ona. Na bane me u këthyem mbrapazë përpara anëmikut, edhe ata qi na kanë mëni rrëmbejënë t’onatë për vetëvetëhenë. Na dhe porsi dhentë për të ngranë, edhe na shpërdave ndëpër kombet. Shite popullinë tand pa nder, edhe nukë shtove pasëjenë tande prei të shitunavet atyne. Na bane shpërnderim ndër fëqinjt t’onë, të përdredhunë buzëtë e të përqeshunë ndër ataqi janë rreth nesh. Na bane përrallëzë ndër kombet, të tundunë kryetë ndër popujt. Gjithë ditënë turpi em ashtë përpara meje, edhe turpënia e faqesë s’eme më mbuloi. Për zanin’ e ati qi qirton e shan, për anëmikun’ edhe shpagë-marrësinë. Gjithë këto erthnë mbi ne, por nukë të harruem, edhe s’duelëm prei udhësë dhiatësë s’ate, edhe s’u këthye prapë zemëra jonë, as nxuerëm hapatë t’ona jashtë udhësë s’ate, ndonëse na dërrmove ndë vend të dreqënavet, edhe na mbulove me hien’ e vdekësë. Ndë harroishim emënin’ e Perëndisë t’onë, edhe ndë shtrijshim duertë t’ona mbë perëndi të huej, nukë do ta kërkonte këtë Përëndia? Sepse ai ngjef të mpëshefëtat’ e zemrësë. Se për punët tande vritemi gjithë ditënë, u numëruem si dhentë për t’u therunë. Çohu, ç’fle, o Zot? Ngreu, mos na hith tej për kurdo. Ç’këthen faqenë tande mbënjanë? Harron ligështinë t’onë edhe shtrëngiminë t’anë? Se na u përvu shpirti deri ndë pluhunë, barku na u ngjit përdhe. Ngreu të na ndimojsh, dhe shpërble-na për përdëlliminë tand.

Psalmet 44:1-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tanë, etërit tanë na e kanë treguar, veprën që bëre në ditët e tyre, në ditët e kahershme. Me dorën tënde kombe shfarose e etërit tanë aty i mbolle, vend atyre u bëre e fatkeqësi popujve u solle. Tokën nuk e morën me shpatën e tyre, e s'ishte krahu i tyre që i shpëtoi, por e djathta jote dhe krahu yt, drita e fytyrës sate, se i kishe për zemër. Ti, o Perëndi, je mbreti im, ti e vendos shpëtimin e Jakobit. Me ndihmën tënde i shpartalluam armiqtë, me emrin tënd i shtypëm kundërshtarët tanë. Shpresën nuk e vura te harku im e shpëtimin nuk ma solli shpata ime. Por, ishe ti që na shpëtove nga armiqtë, ishe ti që i turpërove ata që na urrenin. Me ty, o Perëndi, krenoheshim tërë ditën, emrin tënd përlëvdonim përherë. selah Por tani na ke hedhur poshtë e na ke turpëruar, me ushtritë tona ti më nuk del. Na bëre t'ia mbathim para armiqve tanë, na kanë plaçkitur ata që na urrejnë. Na ke dorëzuar si dele për t'u therur, na ke shkapërdarë nëpër kombe. E shite popullin tënd pa fitim e nuk përfitove nga çmimi i tij. Na bëre tallje për fqinjët tanë, përqeshje e lojë për ata që na rrethojnë. Na bëre përrallë për kombet, për ne popujt tundin kokën. Poshtërimin e kam tërë ditën para syve e turpi më ka mbuluar fytyrën, prej zërit të atij që më përqesh e më shan, prej armikut e hakmarrësit. Të gjitha këto na kanë zënë, por ne nuk të kemi harruar e besëlidhjen tënde s'e kemi shkelur. Zemra jonë nuk u kthye pas, e hapat tanë nuk dolën nga udha jote, edhe kur na shtype në strofullën e çakejve e na mbulove me hije të errët. Po ta kishim harruar emrin e Perëndisë tonë e duart t'i kishin ngritur drejt një perëndie të huaj, a s'do ta kishte marrë vesh këtë Perëndia, ai që njeh të fshehtat e zemrës? Për ty po na vrasin tërë ditën e na trajtojnë si dele për t'u therur. Zgjohu! Përse po fle, o Zot? Ngrihu e mos na hidh poshtë përgjithmonë! Përse e fsheh fytyrën tënde? Përse e harron vuajtjen dhe shtypjen tonë? Shpirti ynë ka rënë përdhe e trupi ynë hiqet zvarrë përtokë.

Psalmet 44:1-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tona, etërit tanë na kanë treguar veprën që ti ke bërë në ditët e tyre në kohërat e lashta. Për t'i vendosur me dorën tënde ti ke shpronësuar kombet, ke çrrënjosur popuj për t'u bërë vend atyre. Në fakt nuk e pushtuan vendin me shpatën e tyre dhe nuk qe krahu i tyre që i shpëtoi, por ishte dora jote e djathtë, krahu yt dhe drita e fytyrës sate, sepse të pëlqenin. Ti je mbreti im, o Perëndi, që vendos fitoret për Jakobin. Me anën tënde do të përmbysim armiqtë tanë; në emër tënd do të shkelim ata që ngrihen kundër nesh. Sepse nuk kam besim tek harku im dhe nuk do të jetë shpata ime ajo që do të më shpëtojë. Por je ti ai që na shpëton nga armiqtë tanë dhe që i mbulon me turp ata që na urrejnë. Ne do të lëvdojmë çdo ditë Perëndinë dhe do të kremtojmë emrin tënd përjetë. (Sela) Por ti na dëbove dhe na mbulove me turp, dhe nuk del më me ushtritë tona. Ti ke bërë të kthejmë kurrizin përpara armikut, dhe ata që na urrejnë na kanë grabitur. Ti na ke dhënë si dele për therje dhe na ke shpërndarë midis kombeve. Ti e ke shitur popullin tënd për asgjë dhe nuk ke nxjerrë asnjë fitim nga shitja e tij. Ti na bëre për turp me fqinjët tanë, u bëmë gazi dhe tallja e atyre që rrinë rreth nesh. Ti na ke bërë të jemi gazi i kombeve; për sa na përket neve, popujt tundin kokën. Turpi im më rri gjithmonë përpara, dhe fytyra ime është e mbuluar nga turpi, për shkak të atij që më fyen dhe më poshtëron, për shkak të armikut dhe atij që kërkon hakmarrje. Të tëra këto na kanë rënë mbi kurriz, por ne nuk kemi harruar dhe nuk kemi tradhtuar besëlidhjen tënde. Zemra jonë nuk është kthyer prapa dhe hapat tona nuk janë larguar nga rruga jote, por ti na ke copëtuar, duke na futur në vende çakejsh dhe duke na mbuluar me hijen e vdekjes. Po të kishim harruar emrin e Perëndisë tonë dhe po t'i kishim shtrirë duart tona drejt një perëndie të huaj, a nuk do ta kishte zbuluar Perëndia këtë gjë? Në fakt ai i njeh sekretet e zemrës. Po, për shkakun tënd ne vritemi çdo ditë dhe konsiderohemi si dele. Zgjohu! Pse fle, o Zot? Çohu, mos na kthe përgjithnjë. Pse e fsheh fytyrën tënde, dhe harron pikëllimin tonë dhe shtypjen tonë? Sepse shpirtrat tanë janë ulur deri te pluhuri dhe trupi ynë i është ngjitur tokës. Çohu të na ndihmosh dhe na shpëto për hir të mirësisë sate.