Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 38:1-22 - Compare All Versions

Psalmet 38:1-22 ALBB (Bibla Shqip 1994)

O Zot, mos më shaj në indinjatën tënde dhe mos më dëno në zemërimin tënd. Sepse shigjetat e tua më kanë shpuar dhe dora jote më shtyp. Nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim për shkak të zemërimit tënd; nuk ka qetësi në kockat e mia për shkak të mëkatit tim. Paudhësitë e mia e kalojnë në fakt kohën time, janë si një barrë e madhe, shumë e rëndë për mua. Plagët e mia janë të fëlliqura dhe të qelbëzuara nga marrëzia ime. Jam krejt i kërrusur dhe i dëshpëruar; sillem tërë ditën rreth e qark duke mbajtur zi, sepse ijët e mia janë të pezmatuara dhe nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim. Jam i sfilitur dhe i vrarë; vrumbulloj nga drithma e zemrës sime. O Zot, çdo dëshirë që kam është para teje dhe psherëtimat e mia nuk të janë fshehur. Zemra ime rreh, fuqia po më lë; vetë drita e syve të mi ka ikur. Miqtë e mi dhe shokët e mi rrinë larg plagës sime, dhe fqinjët e mi ndalojnë larg meje. Ata që kërkojnë jetën time më ngrenë kurthe dhe ata që duan të më bëjnë të keqen flasin për shkatërrimin dhe mendojnë mashtrime tërë ditën. Por unë jam si një i shurdhër që nuk dëgjon dhe një memec që nuk e hap gojën. Po, jam si një njeri që nuk dëgjon dhe që nuk mund të përgjigjet me gojën e tij. Sepse shpresoj te ti, o Zot, ti do të përgjigjesh, o Zot, Perëndia im. Sepse kam thënë: "U gëzofshin me mua, dhe kur këmba ime pengohet, mos u çofshin kundër meje". Ndërsa jam duke rënë dhe dhembja ime është vazhdimisht para meje, ndërsa rrëfej mëkatin tim dhe jam tepër i shqetësuar për mëkatin, armiqtë e mi janë tërë gjallëri dhe janë të fortë, dhe ata që më urrejnë pa shkak shumohen. Edhe ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqen më përndjekin, sepse unë ndjek rrugën e së mirës. O Zot, mos më braktis; Perëndia im, mos u largo nga unë. Nxito të më ndihmosh, o Zot, o shpëtimi im.

Psalmet 38:1-22 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))

Mos më qorto, o ZOT, me zemërimin tënd, mos më ndëshko me mërinë tënde. Më janë ngulur shigjetat e tua, dora jote më ka goditur. Nuk ka më shëndet në trupin tim, për shkak të zemërimit tënd, nuk gjejnë më prehje kockat e mia, për shkak të mëkatit tim. Paudhësitë m'i kanë mbuluar kryet, si barrë e rëndë peshojnë mbi mua. Qelben e kalben plagët e mia, për shkak të marrëzisë sime. Jam kërrusur e gërmuqur krejt, gjithë ditën endem e vajtoj. Ijët më therin nga dhimbja, nuk ka më shëndet në trupin tim. Jam mekur e këputur krejt, ulërij me zemër të pikëlluar. O Zot, gjithë dëshirat e mia janë para teje e nuk ta kam fshehur rënkimin tim. Zemra më rreh fort, fuqia po më lë, edhe drita e syve po më shuhet. Miq e shokë stepen para krusmës sime, të afërmit më qëndrojnë larg. Ata që kërkojnë të ma marrin jetën më kanë ngritur kurth, ata që ma duan të keqen flasin për shfarosje, gjithë ditën bluajnë dredhi. E unë, si të isha shurdh, nuk dëgjoj, si të isha memec, gojë nuk hap. Jam bërë si i shurdhër, që nuk nxjerr asnjë përgjigje nga goja. Te ti kam shpresë, o ZOT, ti do të më përgjigjesh, o Zot, Perëndia im. E thashë: «Mos i lër të dëfrejnë me mua e as të krenohen kundër meje, kur të më rrëshqasë këmba». Gati u rrëzova, e dhimbja s'më hiqet sysh. E rrëfej paudhësinë time dhe brengosem për mëkatin tim. Por armiqtë e mi rrojnë e janë të fortë, ata që më urrejnë pa shkak janë shumuar. Ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqe ngrihen kundër meje, se unë ndjek të mirën. Mos më braktis, o ZOT, Perëndia im, mos më rri larg.

Psalmet 38:1-22 PSGEKK1872 (Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872)

Zot, mos më qirto ndë zemërimt tand, as mos më mundo ndë mënit tande. Se shigjetat’ e tua m’u ngulnë, edhe dora jote po më shtrëngon. S’ka shëndet ndë misht t’em, për punë të zemërimit tand, s’ka paqtim nd’eshtënat e mia, për punë të fajit t’em. Se pa-udhëniat’ e mia kapërcyenë kryetë t’em, porsi barr’ e randë u randuenë mbi mue. Varrët’ e mia u qelpnë e u kalpnë, për punë të marrisë s’eme. U bash i ngratë, edhe u ngërmuqa kreit, gjithë ditën’ ecij i vranëtë. Se zorrët’ e mia u mbushnë me të nxetë, edhe s’ka shëndet ndë misht t’em. U sëmuna edhe u këputa fort, ulurij prei shtrëngimit zemrësë s’eme. Zot, gjithë dëshërimi em ashtë përpara teje, edhe shamtima eme s’mpëshifetë prei teje. Zemëra eme përzihetë, edhe fuqia eme po më le, edhe drita e syvet mi, edhe ajo s’ashtë bashkë me mue. Miqt’ e mi edhe të afërmit’ e mi rrinë përpara varrësë s’eme, edhe ma të afërmit’ e mi rrinë për së largu. Edhe ata qi kërkojënë shpirtinë t’em ngrefinë kurth, edhe ata qi kërkojënë të keqenë s’eme, flasinë keq, edhe shkojënë ndër mend gënjeshtra gjithë ditënë. Por unë s’ndëgjoishiem porsi shurth, edhe porsi i pagojë, qi s’hap gojën e vet. Edhe ishiem porsi nji njeri qi s’ndëgjon, edhe qi s’flet kundrë me gojët të vet. Se shpëreva mbë tyi, o Zot, ti ke me ndëgjuem, o Zot Perëndia em. Se thashë: Mos u gëzofshin’ anëmiqt’ e mi për mue; kur të rrëshqesi kamba eme, ata mbahenë mbë të math kundrë meje. Se unë jam gati për me ranë, edhe të dhimtunitë t’em ashtë përpara meje përherë. Se unë kam me rrëfyem pa-udhëninë t’eme, edhe ka me më ardhunë keq për fajinë t’em. Por anëmiqt’ e mi rrojënë, edhe janë të fortë, edhe u shumuen’ ata qi më kanë mëni pa udhë. Edhe ata qi më bajënë keq ndë vend të së mirësë, jan’ anëmiqt’ e mi, sepse ndiek të mirënë. Mos hiq dorë prei meje, o Zot, o Perëndia em, mos u mërgo prei meje. Nxito me më ndimuem, o Zot, shpëtimi em.