Psalmet 2:1-12
Psalmet 2:1-12 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Përse shfryitnë kombetë, edhe popujtë shkuenë ndër mend punë të kota? Mbëretënit e dheut ndenjnë, edhe të parët’ u mbëlothnë bashkë kundrë Zotit, edhe kundrë të lyemit ati, tue thanë: Le të këpusim lidhëjet’ e atyne, edhe le të hedhim tej prei nesh vargjet’ e atyne. Ai qi rri ndë qillt ka me qeshunë: Zoti ka me përqeshun’ ata. Atëherë ka me u folunë ndë mëni të vet, edhe ka me i trubulluem ndë zemërim të vet. Por unë,ka me thanë, Leva mbëretinë t’em mbi Sionë, malin e shenjtënisë s’eme. Unë kam me diftuem urdhëniminë; Zoti më tha: Ti je biri em, unë sot të kam piellë. Lyp prei meje, edhe kam me të dhanë kombetë për trashigiminë tand, edhe kantet’ e dheut për të përmbaitunitë tat. Ke me kullotun’ ata me shkop të hekurtë; ke me thyem ata porsi enë tiegullari. Tashti pra urtësohi, o mbëretënë; mësohi, o gjykatësit’ e dheut. Shërbeni Zotit me frikë, edhe gëzohi me të dridhunë. Puthni birinë, mos zemërohetë ndonji herë, edhe keni me hupunë prei udhësë, kur të ndizetë së shpeiti zemërimi i ati. Lum gjith’ ata qi kanë shpëryem mb’atë.
Psalmet 2:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Përse vlojnë kombet dhe popujt pëshpëritin kotësi? Mbretërit e tokës po ngrihen dhe prijësit po mblidhen bashkë kundër ZOTIT e kundër të vajosurit të tij. «T'i këputim vargonjtë e tyre, litarët e tyre t'i hedhim tej». Ai që rri në qiell qesh, ZOTI tallet me ta. Atëherë, u flet me turfullimë, me zemërimin e vet i tmerron: «Mbretin tim e vura në Sion, në malin tim të shenjtë». Do të shpall vendimin e ZOTIT. Ai më tha: «Ti je biri im, sot të kam lindur. Kërkomë e do të t'i jap kombet si trashëgim, tokën mbarë, që ta kesh nën zotërim. Me skeptër hekuri do t'i thyesh, si enë poçari do t'i copëtosh». Prandaj, silluni me urti, o mbretër, vini mend, o gjyqtarë të tokës. Shërbejini ZOTIT me drojë, me dridhma gëzohuni; nderoni birin e tij, që Zoti të mos zemërohet e ju të mos birreni udhës, se zemërimi i tij është i shpejtë. Lum të gjithë ata që tek ai strehohen.
Psalmet 2:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota? Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij, duke thënë: "Le t'i këputim prangat e tyre dhe t'i heqim qafe litarët e tyre". Ai që ulet në qiejt do të qeshë, Zoti do të tallet me ta. Atëherë do t'u flasë në zemërimin e tij dhe do t'i trembë në indinjatën e tij të madhe, dhe do të thotë: "E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë. Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: "Ti je biri im, sot më linde. Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin. Ti do t'i copëtosh me një shufër hekuri, do t'i bësh copë-copë si një enë prej argjile"". Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut. Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma. Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.