Psalmet 146:1-10
Psalmet 146:1-10 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Alleluia. Lavduro Zotinë, o shpirti em. Kam me lavduruem Zotinë sa të rroj, kam me psallunë për Perëndinë t’em sa të jem. Mos kini shpëresë mbë të parët, as mbë bir njeriu, prei të cillit s’ashtë shpëtim. Ati i del fryma, edhe këthehetë ndë dhet të vet, ate ditë hupinë mendimet’ e ati. Lum’ ai njeri, të cillit ndifmës ashtë Perëndia i Iakobit, edhe shpëresa e ati ashtë mbë Zotinë Perëndin’ e ati, qi bani qiellin’ edhe dhenë, detin edhe gjithë sa janë nd’ato, qi ruen të vërtetënë për gjithë jetënë, qi u ban gjyq atyne qi u bahetë pa udhë, qi ushqen të unshëmitë; Zoti sgjith të lidhunitë, Zoti çel syt’ e të verbëvet, Zoti dreiton të kurrusunitë, Zoti do të dreitëtë, Zoti ruen të huejtë, mburon të vorfënin’ edhe të venë, edhe prish udhën’ e fajtorëvet. Zoti ka me mbëretënuem për gjithë jetënë, Perëndia yt, o Sionë, bres mbas brezi. Alleluia.
Psalmet 146:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Lavdëro ZOTIN, o shpirti im! Do ta lavdëroj ZOTIN gjithë jetën, do t'i këndoj Perëndisë tim derisa të jem gjallë. Mos kini besim te prijësit, apo te ndonjë bir njeriu, prej të cilit s'vjen shpëtim. Se, kur jep shpirt, kthehet në dhe, atë ditë marrin fund synimet e tij. Lum ai që ka për ndihmë Perëndinë e Jakobit, që e ka shpresën te ZOTI, Perëndia i tij. Ai krijoi qiellin e tokën, detin dhe gjithçka në to, ai mbetet besnik përjetë. Drejtësi u jep të shtypurve, ushqim u jep të uriturve, ZOTI çliron të robëruarit. ZOTI u hap sytë të verbërve, ZOTI i ngre të kërrusurit, ZOTI i do të drejtët. ZOTI i mbron të ardhurit, përkrah jetimët e të vejat dhe mëkatarëve ua pështjellon udhën. ZOTI do të mbretërojë përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja!
Psalmet 146:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin. Unë do ta lëvdoj Zotin derisa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime. Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë. Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken. Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij, që ka krijuar qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë, që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit. Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët. Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve. Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.