Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 144:1-15

Psalmet 144:1-15 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

I bekuem qoftë Zoti, shkambi em, ai qi mëson duert’ e mia për të zanë, gishtënit’ e mi për luftë. Përdëllimi em edhe kasteli em, e nalta mpshtetëja eme, edhe liruesi em, mburonja eme, shpëreva mb’ate, qi ve ndënë mue popullinë t’em. O Zot, qish ashtë njeriu, qi ta ngjofish! A i bir’ i njeriut, qi ta mendojsh! Njeriu i gjan së kotësë, ditt’ e ati shkojënë porsi hie. O Zot, ul qijet’ e tu, edhe sdrip; përkit maletë, edhe kanë me nxierrë tym. Vetëtij vetimë, edhe ke me i përdamë; hith shigjetat’ e tua, edhe ke më i përziemë. Ngjat duert’ e tua prei së naltit, shpëto-më edhe liro-më prei ujënavet shuma, prei dorësë të bijvet huej. Të cillëvet goja flet të kotë, edhe e diathta e atyne asht’ e diathtë rrene. O Perëndi, kam me të kënduem kankë të re, kam me të psallunë me psallter dhetë-kordhëzash, tyi qi ep shpëtim mbëretënavet, qi liron Davidinë shërbëtorinë tand prei shpatësë keqe. Shpëto-më edhe liro-më prei dorësë të bijvet huej, të cillëvet goja flet të kotë, edhe e diathta e atyne asht’ e diathtë rrene, qi të jenë bijtë t’anë, porsi bima të ra, qi rritenë, kur janë të rij; bijatë t’ona, porsi gurë të latuem, qi vihenë ndë ballë të murit pallatit; qilitë t’ona janë plot, e nxierrinë çdo farë gjaje; dhentë t’anë shumohenë me mijëna e me dhetë mijëna ndë fushat t’ona; qetë t’anë janë të fortë për me bartunë barrë; mos qoftë as të hymë, as të dalë, as të bërtitunë ndër rrugat t’ona. Lum ai popull, qi gjindetë kështu! Lum ai popull, të cillit Zoti ashtë Perëndia i ati!

Psalmet 144:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Bekuar qoftë ZOTI, shkëmbi im, që m'i mëson duart për luftë e gishtërinjtë për betejë, mirësia ime dhe fortesa ime, streha ime dhe çlirimtari im, mburoja ku gjej strehë, ai që ma vë popullin nën sundim. O ZOT, ç'është njeriu që të kujdesesh për të, apo biri i njeriut, që të mendosh për të? Njeriu është si fryma, ditët e tij si hija që kalon. O ZOT, përkuli qiejt e tu e zbrit, preki malet, që të nxjerrin tym. Dërgo rrufetë e shpërndaji, lësho shigjetat e tua dhe shpartalloji. Shtrije dorën tënde nga lart, çliromë e shpëtomë prej ujërave të rrëmbyer, prej dorës së të huajve. Goja e tyre thotë veç gënjeshtra, e djathta e tyre betohet për mashtrime. O Perëndi, do të të këndoj një këngë të re, për ty do t'i bie harpës me dhjetë tela, për ty, që i jep fitoren mbretërve, që e shpëton Davidin, shërbëtorin tënd, prej shpatës mizore. Çliromë e shpëtomë prej dorës së të huajve, se goja e tyre thotë veç gënjeshtra, e djathta e tyre betohet për mashtrime. Qofshin bijtë tanë si pemët, që rriten mirë që në rini, e bijat tona si shtyllat e këndit, të gdhendura për të stolisur ndërtesën. Drithnikët tanë qofshin plot, të mbushur me gjithfarë të mirash, bagëtitë tona u shtofshin me mijëra, me dhjetëra mijëra në arat tona, gjedhët tanë qofshin të majmë! Mos pastë çarje muresh e as arrati, mos pastë gjëmë nëpër rrugët tona. Lum ai popull që i ka këto të mira! Lum ai popull që ka për Perëndi ZOTIN!

Psalmet 144:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Bekuar qoftë Zoti, kështjella ime, që i mëson duart e mia për luftë dhe gishtërinjtë e mi për betejë. Ai është hiri im dhe kështjella ime, streha ime e lartë dhe çliruesi im, mburoja ime në të cilën gjej strehë, ai që ma nënshtron mua popullin tim. O Zot, çfarë është njeriu që ti të kujdesesh për të, ose biri i njeriut që ti ta përfillësh? Njeriu është si një frymë dhe ditët e tij janë si hija që kalon. Uli qiejt e tu, o Zot, dhe zbrit, dhe ata do të nxjerrin tym. Hidh rrufetë dhe shpërndaji, lësho shigjetat e tua dhe bëji të ikin. Shtrije dorën tënde nga lart, më shpëto dhe më çliro nga ujërat e mëdha dhe nga dora e të huajve, goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi. O Perëndi, do të këndoj një kantik të ri, do të këndoj lavdet e tua me një harpë me dhjetë tela. Ti, që u jep fitoren mbretërve dhe që çliron shërbëtorin tënd David nga shpata e kobshme, më shpëto dhe më çliro nga dora e të huajve, goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi. Bijtë tanë në rininë e tyre qofshin si një bimë e harlisur, dhe bijat tona qofshin si shtylla qosheje, të gdhendura mirë për të zbukuruar një pallat. Hambarët tanë qofshin plot dhe paçin nga të gjitha të mirat; kopetë tona u shtofshin me mijëra dhe dhjetëra mijëra në fushat tona; qetë tanë tërheqshin ngarkesa të rënda dhe mos pastë asnjë sulm të papritur, dalje të papritur as britmë në sheshet tona. Lum ai popull që është në gjendje të tillë, lum ai popull që ka për Perëndi Zotin.