Psalmet 140:1-13
Psalmet 140:1-13 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Shpëto-më, o Zot, prei njeriut keq, ruei-më prei njeriut shtrembëtë, të cillëtë mendojënë të këqia ndë zemërë, gjithë ditënë mbëlidhenë për luftëna. Prefnë gjuhën’ e vet porsi të gjarpënit, vëner aspidhe ashtë ndënë buzët t’atyne. Selah. Ruei-më, o Zot, prei dorësë të pabesit, shpëto-më prei njeriut shtrembëtë, të cillëtë mendohenë me rrëshqitunë hapat’ e mia. Madhështorëtë pshefnë kurth kundrë meje, edhe shtrinë rrieta me tërkuzë ndë kambët të mia, ngrefnë leqe për mue. Selah. Thashë Zotit: Ti je Perëndia em, ven’-i vesh, o Zot, zanit lutëjesë s’eme. Zot Perëndi, fuqia e shpëtimit t’em, ti më mbulove kryetë ndë ditët të luftësë. Mos i apish, o Zot, të pa-besit dëshërimetë, mos lash me u mbaruem mendimi i ati, qi të mos naltohenë. Selah. Kryet’ e atyne qi më qarkojënë, e mbuloftë të keqt’ e buzëvet atyne. Rafshinë thëngjij të ndezunë mbi ata, u hethshinë ndë ziarrm, ndë gropa të thella, qi të mos ngrihenë ma. Njeri gojë-keq mos qindroftë mbi dhet, të keqtë ka me ndiekunë njerin’ e shtrembëtë, për të vdierrë. E di, se Zoti ka me bamë gjyqin’ e të vobegëvet, edhe gjyqin’ e të nevojëshimvet. Por të dreitëtë kanë me lavduem emëninë tand, edhe të dreitëtë kanë me ndenjunë për-anë faqesë s’ate.
Psalmet 140:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Çliromë, o ZOT, prej njeriut të lig, prej njeriut të dhunshëm shpëtomë. Të këqija shestojnë në zemër, tërë ditën sendërgjojnë luftra. E mprehin gjuhën porsi gjarpri, nën buzë kanë helm nepërke. selah Ruamë, o ZOT, prej duarve të të paudhit, prej njeriut të dhunshëm shpëtomë, se po shestojnë të më pengojnë këmbët. Kryelartët kanë fshehur lakun kundër meje, me litarë e kanë lidhur rrjetën, përgjatë udhës më kanë ngritur kurthe. selah I thashë ZOTIT: «Ti je Perëndia im». Dëgjoje, o ZOT, zërin e përgjërimit tim. O ZOT, Zoti im, fuqia e shpëtimit tim, ti ma mbrojte kokën ditën e betejës. Mos i plotëso, o ZOT, dëshirat e të paudhit, sendërgjimet e tij mos i përmbush, që të mos ngrejë krye. selah Atyre që më rrethojnë, u rëntë kokës ligësia e buzëve të veta. Rënçin mbi ta thëngjij të ndezur, u plandosshin në gropë e më mos dalshin. Njeriu shpifës mos zëntë rrënjë mbi tokë, njeriun e dhunshëm e ndjektë pas fatkeqësia. E di se ZOTI do ta mbrojë çështjen e të mjerit dhe do t'i japë drejtësi skamnorit.
Psalmet 140:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Më çliro, o Zot, nga njerëzit e këqij; më mbro nga njerëzit e furishëm, që thurin ligësi në zemër të tyre; ata mblidhen vazhdimisht për të bërë luftë. Mprehin gjuhën e tyre si gjarpri dhe kanë helm gjarpri nën buzët e tyre. (Sela) Më mbro, o Zot, nga duart e të pabesit dhe më mbro nga njeriu i dhunës, që komplotojnë për të më rrëzuar. Kryelartët kanë fshehur për mua një lak dhe litarë, më kanë ngritur një rrjetë buzë shtegut, kanë vënë kurthe për mua. (Sela) Unë i thashë Zotit: "Ti je Perëndia im; dëgjo, o Zot, britmën e lutjeve të mia. O Zot Perëndi, ti je forca e shpëtimit tim, ti e ke mbuluar kokën time ditën e betejës. O Zot, mos u jep të pabesëve atë që dëshirojnë; mos favorizo planet e tyre, që të mos lavdërohen. (Sela) Bëj që koka e atyre që më rrethojnë të mbulohet nga çoroditja e vetë buzëve të tyre. Rënçin mbi ta qymyre të ndezur; i hedhshin në zjarr, në gropa të thella, nga ku të mos mund të ngrihen. Njeriu gojëkeq mos qoftë i qëndrueshëm mbi tokë; fatkeqësia përndjektë njeriun e dhunës deri në shkatërrim". Unë e di që Zoti do të mbrojë çështjen e të pikëlluarit dhe do t'i sigurojë drejtësi të varfrit. Sigurisht të drejtët do të kremtojnë emrin tënd, dhe njerëzit e ndershëm do të banojnë të praninë tënde.