Psalmet 122:1-9
Psalmet 122:1-9 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
U gëzueshë, kur më thanë: Le të vemi ndë shtëpi të Zotit. Kambëtë t’ona kanë me qindruem ndër duert e tua, o Ierusalemë. Ierusalema ashtë ndërtuem si qytet i përmbëledhunë bashkë. Atie hipinë faratë, farat’ e Zotit, mbas deshmimit Israelit, për me lavduruem emënin’ e Zotit. Se atie u vunë shkembe për gjyq, shkembet’ e shtëpisë Davidit. Kërkoni paqtimin’ e Ierusalemësë; le t’u vejë mbarë atyne qi të duenë. Le të jetë paqtim ndë muret e tu, edhe mbarësi ndë pallatet e tu. Për punë të vëllazënavet mi, edhe t’afërëvet mi, kam me thanë tashti: Paqtim mbë tyi! Për punë të shtëpisë Zotit Perëndisë t’onë, kam me kërkuem të mirënë tande.
Psalmet 122:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
U gëzova kur më thanë: «Të shkojmë në shtëpinë e ZOTIT!». Dhe, ja, këmbët tona u ndalën te portat e tua, o Jerusalem! Jerusalemi, ndërtuar si një qytet, i bashkuar e i mbledhur tok. Atje ngjiten fiset, fiset e ZOTIT, sipas dëshmisë dhënë Izraelit, për të përlëvduar emrin e ZOTIT. Atje janë vënë fronet e gjykimit, fronet e shtëpisë së Davidit. Lutuni për paqen e Jerusalemit: «Qofshin të begatë ata që të duan! Pastë paqe brenda mureve të tua, qetësi në fortesat e tua!». Për hir të vëllezërve e të miqve të mi, teksa do të them: «Paqja qoftë me ty!». Për hir të shtëpisë së ZOTIT, Perëndisë tonë, do të kërkoj të mirën tënde.
Psalmet 122:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit". Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem. Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë, ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit. Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit. Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan. Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua. Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti". Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.