Psalmet 118:1-9
Psalmet 118:1-9 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Lavduroni Zotinë, se asht i mirë, se përdëllimi i ati ashtë për gjithë jetënë. Le të thotë tashti Israeli, se përdëllimi i ati ashtë për gjithë jetënë. Le të thotë tashti shtëpia e Aaronit, se përdëllimi i ati ashtë për gjithë jetënë. Le të thonë tashti ata qi druejënë Zotinë, se përdëllimi i ati ashtë për gjithë jetënë. Prei shtrëngimit i thirra Zotit, Zoti më ndigjoi, e më vu ndë vend të gjanë, Zoti ashtë me mue, s’kam me drashunë, qish do të më bajë njeriu. Zoti ashtë me mue ndërmiet atyneve qi më ndimojënë, edhe unë kam me pamë anëmiqt’ e mi si due. Ma mirë me shpëryem kushi mbë Zotinë, se me pasunë shpëresë mbë njerinë. Ma mirë me shpëryem kushi mbë Zotinë, se me pasunë shpëresë mbë të parët.
Psalmet 118:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Përlëvdoni ZOTIN, se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë. Le të thotë Izraeli se mirësia e tij mbetet përjetë. Le të thotë shtëpia e Aronit se mirësia e tij mbetet përjetë. Le të thonë ata që druajnë ZOTIN se mirësia e tij mbetet përjetë. Kur isha në fatkeqësi i thirra ZOTIT e ZOTI më dëgjoi e më lehtësoi. ZOTI është me mua, nuk kam frikë nga asgjë. Çfarë do të më bëjë njeriu? Për ndihmë kam ZOTIN, ndaj do t'i shpërfill ata që më urrejnë. Më mirë të kërkosh strehë te ZOTI, sesa të kesh besim te njerëzit. Më mirë të kërkosh strehë te ZOTI, sesa të kesh besim te prijësit.
Psalmet 118:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhembshuria e tij vazhdon përjetë". Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë: "Dhembshuria e tij vazhdon përjetë". Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti: "Dhembshuria e tij vazhdon përjetë". Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m'u përgjigj dhe më çoi larg. Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu? Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t'i shikoj triumfues armiqtë e mi. Është më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t'i kesh besim njeriut. Është më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t'u kesh besim princave.