Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 105:1-45

Psalmet 105:1-45 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

Lavduroni Zotinë, edhe thërritni mb’emënit t’ati; diftoni kombevet punët’ e ati. Këndoni ati, edhe psallni ati, tregoni gjithë mërekullit’ e ati. Mburri mb’emënin’ e ati të shenjtënueminë, u gëzoftë zemëra e atyneve qi kërkojënë Zotinë. Kërkoni Zotinë, edhe fuqin’ e ati; kërkoni faqen’ e ati përherë. Përmendni mërekullit’ e ati, qi bani, shenjet’ e ati të frikshimetë, edhe gjyqet’ e gojës’ ati. O far’ e Abrahamit, shërbëtorit ati, o bijt’ e Iakobit, të zgjedhunit’ e ati. Ai ashtë Zoti Perëndia ynë, mbë gjithë dhenë janë gjyqet’ e ati. Përmendni përherë dhiaten’ e ati, fjalënë qi porositi mbë nji mijë breza. Ate dhiatenë qi bani me Abrahaminë, edhe ben’ e ati qi bani tek Isaaku, edhe e vuni te Iakobi për urdhënë, edhe tek Israeli për dhiate të përherëshime, tue thanë: Ty kam me të dhanë dhen’ e Hanaanit, rrypin’ e trashigimit tuei. Kur ishin’ ara të pakë ndë numërit, fort të pakë e të huej nd’ate, edhe shkoishinë prei kombi ndë komp, prei mbëretënie ndë tietërë popull, s’la njeri me u bamë keq atyne, por qirtoi mbëretën për ata, e tha: Mos përkitni të lyemit’ e mi, edhe mos u bani keq profetëvet mi. Edhe pru zi buke mbi dhet, theu çdo forcat buke. Dërgoi përpara atyneve njeri, Iosefinë qi u shit për shërbëtuer, të cillit i shtrënguenë kambëtë me litar; shpirti i ati hoqi hekurë, ngjer sa të vinte fjala’ e ati, fjala e Zotit shprovoi ate. Dërgoi mbëreti, edhe e sgjidhi, i pari i popujvet, edhe e la. E bani të zotin’ e shtëpisë vet, edhe të parin’ e gjithë gjasë vet, për me munduem të parët’ e ati si të doj vetë, edhe me u mësuem dituni pleqvet ati. Ateherë erdhi Israeli ndë Misirë, edhe Iakobi u ngul’ ndë dhet të Hamit. Edhe Zoti shtoi fort popullin’ e vet, edhe e bani ma të fortë se anëmiqt’ e ati. Këtheu zemërën’ e atyneve për me marrë mëni popullin’ e ati, për me gënjyem shërbëtorët’ e ati. Dërgoi Moisenë shërbëtorin’ e vet, edhe Aaroninë qi sgjodhi. Diftuenë ndër ata fjalët e shenjevet ati, edhe mërekullitë ndë dhet të Hamit. Dërgoi errësinë, edhe u err, edhe nukë ndigjuenë fjalët’ e ati. Këthehu ujënat e atyneve mbë gjak, edhe vrau peshqit’ e atyneve. Dheu i atyneve nxori bretëkosa ngjer ndë qilarët të mbëretënavet atyne. Tha, edhe erthnë miza qensh, edhe mëshkaja mbë gjithë sinoret e atyneve. U lishoi breshënë ndë vend të shiut, edhe flakë ziarrmi ndë dhet t’atyneve. Edhe u ra vëneshtëvet atyne, edhe drunavet fiqvet atyne, edhe theu drunat’ e sinorevet atyne. Tha, edhe erthnë karcaleca e krymba qi s’kishinë të ngjehunë, edhe hangrën gjithë barin’ e dheut atyne, edhe hangrën pemët’ e dheut atyne. Edhe vrau çdo dialë paralindës ndë dhet t’atyneve, ballin’ e gjithë fuqis’ atyneve. Edhe nxuer ata me argjand e me ar, edhe s’qe ndonji i sëmunë ndër farat e atyneve. U gëzue Misiri për të dalët e atyneve, se i kishte marrë frika prei atyneve. Hapi re për me i mbuluem, edhe ziarrm për me ndritunë natenë. Lypnë, edhe u pruni shkurtëza, edhe i ngini me bukë qielli. Çau gurin, edhe vrujoi ujë, rrothnë lumënate ndë vende të thate. Se i ra ndër mend fjala e vet e shenjtënuemeja, tek Abrahami shërbëtori i vet. Edhe nxuer popullin’ e vet me gëzim, të sgjedhunit’ e vet me ngazëllim, edhe u dha dhenat’ e kombevet, edhe trashiguenë mundimet’ e popujvet, qi të rueishin’ urdhënimet’ e ati, edhe të mbaishinë ligjat’ e ati. Alleluia.

Psalmet 105:1-45 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Përlëvdoni ZOTIN, thirreni emrin e tij, shpallni mes popujve veprat e tij. Këndojini atij e thurini lavde, kumtoni gjithë mrekullitë e tij. Krenohuni me emrin e tij të shenjtë, u gëzoftë zemra e atyre që kërkojnë ZOTIN. Kërkojeni ZOTIN dhe fuqinë e tij, kërkojeni përherë fytyrën e tij. Kujtoni mrekullitë që bëri, çuditë dhe gjykimet e gojës së tij, o pasardhës të Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij. Ai është ZOTI, Perëndia ynë; mbi mbarë dheun vendimet e tij. Ai e kujton përherë besëlidhjen e tij, fjalën që urdhëroi për një mijë brezni, besëlidhjen që bëri me Abrahamin, premtimin që i dha Isakut. Ia caktoi si rregull Jakobit, Izraelit si besëlidhje përjetë, kur tha: «Ty do të ta jap tokën e Kanaanit si pjesë të trashëgimisë suaj», kur ishin të hequr në numër, të paktë e ardhacakë, tek endeshin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një tjetër popull. Nuk lejoi t'i shtypte askush, mbretërit për hir të tyre qortoi: «Mos m'i prekni të vajosurit, profetët e mi mos i lëndoni». Urinë solli në atë vend, theu çdo enë buke. Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav. Me pranga ia shtrënguan këmbët, hekura i vunë rreth qafës, derisa u përmbush fjala e tij, fjala e ZOTIT e sprovoi atë. I dërgoi fjalë mbreti që ta lironin, sunduesi i popujve e la të lirë. Zot të shtëpisë së tij e bëri, sundues mbi gjithë zotërimin e tij, që t'i ndreqte princat sipas gjykimit të tij e t'u mësonte pleqve urtinë. Atëherë Izraeli shkoi në Egjipt, Jakobi u vendos në tokën e Kamit. Dhe Zoti e shtoi shumë popullin e vet, më të fortë se armiqtë e tij e bëri. Ua ndryshoi zemrën egjiptianëve, që popullin e tij ta urrenin, që kundër shërbëtorëve të tij me dredhi të silleshin. Dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, Aronin, që vetë e kishte zgjedhur. Kryen mes tyre shenjat e tij, mrekullitë në tokën e Kamit. Dërgoi errësirën e u bë terr, fjalët e tij nuk i kundërshtoi kush. Ujërat ua ktheu në gjak, peshqit i ngordhi. Vendi i tyre gëloi me bretkosa, deri edhe në dhomat e mbretërve. Foli Zoti e u vërsulën mori mizash, mushkonjat mbarë trojet mbuluan. U dërgoi breshër në vend të shiut, flakë zjarri mbi vendin e tyre. Ua goditi vreshtat e fiqtë, pemët e tokave të tyre i theu. Foli dhe ia behën karkalecat, vemje, që s'kishin të numëruar. Ua hëngrën gjithë bimësinë e vendit, prodhimet e tokës ua përpinë. Goditi gjithë të parëlindurit e vendit, frytin e parë të pjellorisë së tyre. I nxori izraelitët me argjend e me ar, ndër fiset e tyre s'kish njeri të këputur. U gëzua Egjipti kur ata u nisën, se i kishte zënë tmerri prej tyre. Renë shtriu për t'i mbuluar, zjarrin për t'u bërë dritë natën. Kërkuan e shkurta u dërgoi, me bukë prej qiellit i ngiu. Çau shkëmbin e buruan ujëra, lumenj rrodhën nëpër shkretëtirë. I ra ndër mend fjala e tij e shenjtë, që Abrahamit, shërbëtorit të tij, i kishte thënë. Popullin e vet e nxori me ngazëllim, plot gëzim të zgjedhurit e tij. Tokat e kombeve u dha, mundin e popujve trashëguan, që të mbajnë rregullat e tij e të zbatojnë ligjet e tij. Aleluja!

Psalmet 105:1-45 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve. Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij. Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin. Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij. Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij, ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij. Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën. Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij, besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut, që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme, duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj", kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend, dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër. Ai nuk lejoi që t'i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre, dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi". Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh. Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav. I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri. Fjala e Zotit e vuri në provë, derisa u plotësua ajo që kishte thënë. Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin, dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij, për t'i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t'u mësuar pleqve të tij diturinë. Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit. Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij. Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij. Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur. Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit. Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij. I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij. Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre. Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre. U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre; goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre. Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh, që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre. Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre; dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej. Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta. Ai shpalosi një re për t'i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t'i ndriçuar natën. Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit. Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shkretëtirë si një lumë. Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij; pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi, dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve, me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t'u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.

Psalmet 105:1-45

Psalmet 105:1-45 ALBBPsalmet 105:1-45 ALBB