Fjalët e urta 9:1-18
Fjalët e urta 9:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet, ia latoi shtatë shtyllat. Theri theroret, përzjeu verën e shtroi tryezën. Dërgoi shërbëtoret e veta dhe shpall nga majat e lartësive të qytezës: «Kush është i pamësuar, le të kthehet këtu!». Të pamendëve u thotë: «Ejani, hani bukën time e pini verën që kam përzier unë! Hiqni dorë nga marrëzitë e do të jetoni. Ecni udhës së arsyes!». Kush ndreq shpotitësin, turpërohet, kush hahet me të prapin, lëndohet. Mos e ndreq shpotitësin, që mos të të urrejë. Ndreqe të urtin e ai do të të dojë. Jepi këshilla të urtit e do të jetë edhe më i urtë. Mësoje të drejtin e do t'i shtohet mençuria. Fillimi i urtisë është droja e ZOTIT; njohja e të Shenjtit, kjo është mençuria. Falë meje do të shtohen ditët e tua e do të shumohen vitet e jetës sate. Në do të jesh i urtë, do të jesh për vete, Në do të jesh shpotitës, për vete do të jesh. Marrëzia është si një grua bujëmadhe, si një e pamend që nuk di asgjë. Rri ulur në derën e shtëpisë, në fron, lart mbi qytezë dhe u thërret kalimtarëve që ecin udhës së tyre të drejtë: «Kush është i pamësuar, le të kthehet këtu!». Të pamendëve ajo u thotë: «Uji i vjedhur është i ëmbël e buka e marrë tinëz është e shijshme». Ata s'e dinë se atje janë hijet dhe të ftuarit e saj janë thellë në skëterrë.
Fjalët e urta 9:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj. Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj. Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret: "Ai që është budalla të vijë këtu!". Atij që i mungon gjykimi i thotë: "Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier. Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes". Ai që korrigjon tallësin tërheq mbi vete të shara, dhe ai që qorton të pabesin merr të shara. Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë. Mësoje të urtin dhe ai do të bëhet edhe më i urtë. Mësoje të drejtin dhe ai do të rritë diturinë e tij. Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia. Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe do të të shtohen vite jete. Në rast se je i urtë, je i urtë për veten tënde; në rast se je tallës, pasojat do t'i kesh vetëm ti. Gruaja budallaqe është zhurmëmadhe, aspak e zgjuar dhe nuk di asgjë. Rri ulur te porta e shtëpisë së saj, mbi një fron në vendet e larta të qytetit, për të ftuar ata që kalojnë nëpër rrugë, që shkojnë drejt në rrugën e tyre: "Ai që është budalla të vijë këtu!". Dhe atij që i mungon arsyeja i thotë: "Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; buka që hahet fshehurazi është e shijshme". Por ai nuk e di që atje janë të vdekurit, që të ftuarit e saj janë në thellësinë e Sheolit.