Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 1:1-33

Fjalët e urta 1:1-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Fjalët e urta të Solomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit: për të njohur urtinë e rregullin, për të nxënë fjalët e mençura, për të pranuar qortimet e mprehta, drejtësinë, gjykimin e çiltërsinë, për t'u dhënë thjeshtakëve zgjuarsinë, të rinjve njohjen e shestimin. Le të dëgjojë i urti e t'i shtohet dija, ndërsa i kuptueshmi le të marrë udhëzime, për të kuptuar fjalët e urta dhe enigmat, thëniet e të diturve e gjëegjëzat e tyre. Droja e ZOTIT është fillimi i njohjes, por të marrët e përçmojnë dijen e rregullin. Dëgjo, biri im, qortimin e atit tënd e mos lër pas dore udhëzimet e nënës sate, se si kurorë e hijshme mbi kokë do të të rrinë e porsi varëse rreth qafës tënde. Biri im, nëse mëkatarët të ngucin, mos u vër vesh. Po të thonë: «Eja me ne! Të zëmë pritë për gjak, t'i ngremë kurth të pafajshmit, më kot; t'i përpijmë të gjallë, si skëterra, njëcopësh, si ata që zbresin në varr, të përlajmë çdo gjë të çmueshme e t'i mbushim shtëpitë me plaçkë; hidh short me ne e do të mbajmë një qese për ne të gjithë», ti, biri im, mos shko udhës së tyre, të mos shkelë këmba jote në atë shteg, se këmbët e tyre turren drejt së keqes e nxitojnë për të derdhur gjak. Para syve të shpendëve më kot hidhet rrjeta, por këta zënë pritë kundër gjakut të vet, ngrenë kurth kundër vetes. I tillë është fati i zhvatësit: i merr jetën të zotit të vet. Urtia thërret udhëve, ngre zërin shesheve, njofton në krye të rrugëve të zhurmshme e në dyert e qyteteve jep kumte: «Deri kur, o thjeshtakë, do ta doni papjekurinë? Deri kur tallësit do të kënaqen së talluri e të marrët do të urrejnë njohjen? Kthehuni e vëruni vesh qortimeve të mia! Ja, po hap zemrën para jush e po ju bëj të ditura fjalët e mia: ju thirra e ju më përzutë, ju shtriva dorën e askush s'më vuri re. I shpërfillët tërë këshillat e mia e nuk i deshët qortimet e mia. Edhe unë do të qeshem me kobet tuaja, do të tallem kur t'ju zërë frika, kur tmerri të përplaset mbi ju si stuhi e kobi si thëllim, kur të jeni në ngushticë e në ankth. Atëherë ata do të më thërrasin, por unë nuk do të përgjigjem, do të më kërkojnë me ngulm, por nuk do të më gjejnë. Ngaqë ata e urryen njohjen e nuk zgjodhën drojën e ZOTIT, nuk ndoqën as këshillën time dhe i përçmuan të gjitha qortimet e mia, ata do të hanë frytet e sjelljes së tyre e do të ngopen me këshillat e veta. Bjerrja e thjeshtakëve do t'i rrënojë e mendjelehtësia e të marrëve do t'i shkatërrojë, por kush më dëgjon mua do të jetojë i qetë e do të prehet pa frikë nga e keqja».

Fjalët e urta 1:1-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit, për të njohur diturinë dhe për të mësuar gjykimet e mençura; për të ditur si të veprosh me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri, për t'u dhënë shkathtësi njerëzve të thjeshtë, njohje dhe reflektim të riut. I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta, për të kuptuar një sentencë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe thëniet e tyre të errëta. Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin. Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënës sate, sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde. Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano, në qoftë se thonë: "Eja me ne; kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak; i ngritëm gracka të pafajshmit pa ndonjë shkak; le t'i kapërdimë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht si ata që zbresin në gropë; ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme, do t'i mbushim shtëpitë tona me plaçka; ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne, dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme"; biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre, sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak. Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh; por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre. Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë. Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe; ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit; "Deri kur, o njerëz të thjeshtë, do t'ju pëlqejë thjeshtësia dhe tallësit do të kënaqen duke u tallur dhe budallenjtë do të urrejnë dijen? Ejani në vete nga qortimi im; ja, unë do të derdh mbi ju Frymën time dhe do t'ju bëj të njohura fjalët e mia. Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje, përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time, edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani, kur ajo që druani të vijë si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj të vijë si një stuhi, kur t'ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi. Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë. Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit, nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia. Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre. Sepse prapakthimi i njerëzve të thjeshtë i vret dhe qetësia e rreme e budallenjve i zhduk; por ai që më dëgjon do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe".