Filipianëve 4:14-20
Filipianëve 4:14-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Megjithatë, ju bëtë mirë që m'u gjendët pranë në vështirësitë e mia. Ju, o filipianë, e dini se kur fillova të predikoj ungjillin, pasi u largova nga Maqedonia, asnjë kishë, përveç jush, nuk më ndihmoi me të holla. Në të vërtetë edhe kur gjendesha në Selanik, jo një, por dy herë, ju më dërguat ndihmë kur isha në nevojë. Unë nuk po kërkoj dhuratë nga ju, por po kërkoj të shoh frytet e zemërgjerësisë suaj që janë për dobinë tuaj. Unë kam gjithçka dhe më tepron. Kam gjithë të mirat, pasi mora nga Epafroditi çfarë më kishit dërguar ju, një aromë erëmirë, një fli e pranueshme, e pëlqyeshme për Perëndinë. Perëndia im do të plotësojë përmes Krishtit Jezu çdo nevojë tuajën, sipas pasurive të tij të lavdishme. Perëndisë dhe Atit tonë i qoftë lavdia, në shekuj të shekujve! Amen!
Filipianëve 4:14-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Po ju bëtë mirë që morët pjesë në pikëllimin tim. Edhe ju, o filipianë, e dini se, në fillim të predikimit të ungjillit, kur u nisa nga Maqedonia, asnjë kishë nuk ndau me mua gjë për të dhënë a për të marrë, veç jush, sepse edhe në Thesaloniki më dërguat jo vetëm një herë por dy, përkujdesje kur isha në nevojë. Jo se unë po kërkoj dhurata, por kërkoj fryt që tepron për dobinë tuaj. Tani i kam të gjitha dhe më teprojnë; jam përplot, mbasi mora nga Epafroditi atë që më ishte dërguar nga ju, një parfum erëmirë, një fli i pranueshëm, i pëlqyeshëm nga Perëndia. Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht. Perëndisë tonë e Atit tonë lavdi në shekuj të shekujve. Amen.