Filipianëve 2:5-13
Filipianëve 2:5-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kini ndër ju po atë mendje që kishte edhe Krishti Jezu, i cili, megjithëse kishte natyrë hyjnore, të qenit i barabartë me Perëndinë nuk e pa si diçka pas së cilës të mbahej fort, por e zbrazi veten duke marrë natyrë shërbëtori e u bë i ngjashëm me njerëzit. Kur u shfaq si njeri, ai e përuli veten e u bë i bindur deri në vdekje, madje me vdekje në kryq. Prandaj edhe Perëndia e lartësoi mbi gjithçka tjetër e i dha emrin që është mbi çdo emër, që në emrin e Jezuit të bien në gjunjë të gjitha qeniet që janë në qiell, mbi tokë nëntokë dhe çdo gjuhë të dëshmojë se Jezu Krishti është Zot, që të përlëvdohet Perëndia Atë. Prandaj, fort të dashur, ashtu siç jeni bindur gjithmonë, jo vetëm kur isha mes jush, por shumë më tepër tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, se është vetë Perëndia ai që ju jep vullnetin e forcën për të vepruar, ashtu siç i pëlqen atij.
Filipianëve 2:5-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kini në ju po atë mendje që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit. Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë. Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij.