Filipianëve 1:19-30
Filipianëve 1:19-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
sepse e di se përmes lutjeve tuaja dhe me ndihmën e Shpirtit të Jezu Krishtit kjo gjë do të sjellë shpëtimin tim. Këtë pres me padurim e shpresoj të mos turpërohem në asgjë, por me shumë guxim, si gjithmonë, edhe tani, e madhëroj Krishtin në trupin tim, si përmes jetës, edhe përmes vdekjes. Sa për mua jeta është Krishti dhe vdekja është fitim. Por, nëse jeta ime në trup jep fryte të dobishme, atëherë nuk di ç'të zgjedh. Jam ndërdyshas: nga njëra anë dua të largohem nga kjo botë e të jem me Krishtin, sepse kjo është gjëja më e mirë; nga ana tjetër, nëse qëndroj në trup, kjo është më e nevojshme për ju. Për këtë jam i bindur dhe e di se do të qëndroj në këtë botë e do të vazhdoj të jem me ju të gjithë, që t'ju ndihmoj të përparoni e të gjeni gëzimin që sjell besimi. Kështu prania ime mes jush do t'ju bëjë edhe më krenarë për besimin në Krishtin Jezu. Por ju, jetoni në mënyrë të denjë për ungjillin e Krishtit, që edhe nëse vij e ju shoh, edhe nëse jam larg jush e dëgjoj për ju, të dëgjoj se qëndroni të fortë në një shpirt dhe se përpiqeni së bashku me një mendje, për besimin e ungjillit. Mos u frikësoni aspak nga kundërshtarët. Kjo gjë tregon se ata po shkojnë drejt humbjes, ndërsa ju drejt shpëtimit që vjen prej Perëndisë. Juve ju është dhënë hiri t'i shërbeni Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe që të vuani për të, sepse ju po bëni të njëjtën betejë, që më keni parë edhe mua duke bërë e për të cilën po dëgjoni se e bëj edhe tani.
Filipianëve 1:19-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
E di në fakt, se kjo do të dalë për shpëtimin tim, me anë të lutjes suaj dhe me ndihmën e Frymës së Jezu Krishtit, sipas të priturit tim me padurim dhe me shpresë, se unë nuk do të turpërohem në asnjë gjë, por me çdo guxim, tani si gjithmonë, Krishti do të madhërohet në trupin tim, ose me jetën ose me vdekjen. Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim. Por nuk e di se jeta në mish të jetë për mua një punë e frytshme, as mund të them çfarë duhej të zgjedh, sepse unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë të iki nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë, por të qëndruarit në mish është më i nevojshëm për ju. Këtë e di me siguri, që do të rri dhe qëndroj me ju të gjithë për përparimin tuaj dhe për gëzimin e besimit tuaj. që mburrja tuaj për mua të teprojë në Jezu Krishtin, për praninë time sërish midis jush. Ju veç, silluni në mënyrë të denjë në ungjillin e Krishtit, që, kur të vij e t'ju shoh, ose nga larg kur s'jam aty, të dëgjoj për ju se qëndroni fort në një frymë të përbashkët, duke luftuar bashkë me një shpirt për besimin e ungjillit, duke mos u lënë të trembeni në asnjë gjë nga kundërshtarët; kjo është për ta një provë humbjeje, kurse për ju shpëtimi, edhe kjo nga ana e Perëndisë. Sepse juve ju është dhënë hiri për hir të Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe të vuani për të, duke patur të njëjtën beteje që e patë në mua, dhe tani po dëgjoni që është në mua.