Filipianëve 1:1-14
Filipianëve 1:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pali e Timoteu, shërbëtorë të Krishtit Jezu, po ju shkruajmë të gjithë të shenjtëve në Krishtin Jezu, peshkopëve e dhjakëve që janë në Filipi: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht! E falënderoj Perëndinë tim sa herë ju kujtoj. Në çdo lutje që bëj, gjithmonë, lutem me gëzim për ju të gjithë, për pjesëmarrjen tuaj në dobi të ungjillit nga dita e parë deri tani. Jam i sigurt se ai që nisi një vepër të mirë mes jush, do ta përfundojë deri në ditën kur do të vijë Krishti Jezu. Është e drejtë që unë të mendoj kështu për ju të gjithë, sepse ju kam në zemër. Ju të gjithë merrni pjesë në hirin që m'u dha mua për të mbrojtur e për të dëshmuar ungjillin, si tani që jam në pranga, ashtu edhe atëherë kur isha i lirë. Kam Perëndinë për dëshmitar sesi digjem nga malli për ju të gjithë me dhembshurinë e Krishtit Jezu. Unë lutem që dashuria juaj të rritet gjithnjë e më shumë e të pasurohet me dije e me aftësi për të kuptuar, që të jeni në gjendje të dalloni më të mirën dhe të jeni të dëlirë e të pafajshëm në ditën e ardhjes së Krishtit, të mbushur plot me frytet e drejtësisë që vijnë prej Jezu Krishtit, për lavdinë e lavdërimin e Perëndisë. Tani, o vëllezër, dëshiroj ta dini se ajo që më ka ndodhur mua, ka ndihmuar më shumë në përparimin e ungjillit. Kështu, mbarë pretoriumi dhe gjithë të tjerët e kanë kuptuar qartë se unë jam në pranga për Krishtin. Pjesa më e madhe e vëllezërve morën zemër në Zotin nga prangat e mia dhe e shpallën fjalën e Perëndisë më me guxim e pa frikë.
Filipianëve 1:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pali dhe Timoteu, shërbëtorë të Jezu Krishtit, gjithë shenjtorëve në Jezu Krishtin që janë në Filipi, bashkë me peshkopët dhe dhjakët: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht. E falënderoj Perëndinë tim, sa herë që ju kujtoj, duke iu lutur gjithmonë me gëzim për ju të gjithë në çdo lutje që bëj, për pjesëmarrjen tuaj në ungjillin që nga dita e parë e deri tani, duke qenë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit. Dhe është e drejtë që unë të ndiej këto për ju të gjithë, sepse ju kam në zemër, sepse ju si në vargonjtë e mi ashtu edhe në mbrojtjen dhe në vërtetimin e ungjillit jeni të gjithë pjesëtarë me mua të hirit. Sepse Perëndia, është dëshmitari im, si ju dua të gjithë me dashuri të zjarrtë në Jezu Krisht. Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim, që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit, të mbushur me fryte drejtësie që arrihen me anë të Jezu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë. Tani, vëllezër dua ta dini, se gjërat që më kanë ndodhur ndihmuan më shumë për përhapjen e ungjillit, aq sa gjithë pretoriumi dhe të tjerët mbarë e dinë se unë jam në vargonj për Krishtin; dhe pjesa më e madhe e vëllezërve në Zotin, të inkurajuar nga vargonjtë e mia, kanë marrë me shumë guxim në shpalljen e fjalës së Perëndisë pa frikë.