Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Filemonit 1:8-21

Filemonit 1:8-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Prandaj, edhe pse për shkak të Krishtit kam liri të plotë të të urdhëroj ç'duhet të bësh, parapëlqej të të kërkoj diçka në emër të dashurisë. Unë Pali, i plakur, por tani edhe i burgosur për Krishtin Jezu, të lutem për Onesimin, birin tim në Jezu Krishtin, që e ktheva në besimin tonë kur isha në pranga. Onesimi, që dikur ishte i padobishëm për ty, tani është i dobishëm edhe për ty, edhe për mua. Dhe ja ku po ta kthej atë që është vetë zemra ime. Unë doja ta mbaja atë pranë vetes, që të më shërbente në vendin tënd ndërsa jam në pranga për shkak të ungjillit. Por nuk desha të bëja asgjë pa dijeninë tënde, që vepra jote e mirë të mos bëhet si me detyrim, por të jetë e vullnetshme. Ai ndoshta u nda nga ti për pak kohë, që ta kesh atë përjetësisht, jo më si skllav, por më tepër se skllav: ta kesh si vëlla të dashur. Ai është shumë i dashur për mua, por aq më tepër duhet të jetë për ty, qoftë si njeri, qoftë si vëlla në Zotin. Prandaj, nëse më ke mik, pranoje atë siç do të më prisje mua. Nëse të ka bërë ndonjë dëm, apo nëse të detyrohet për ndonjë gjë, m'i ngarko mua. Unë, Pali, po të shkruaj me dorën time se do të ta shlyej unë vetë detyrimin; për të mos thënë se ti më detyrohesh vetë jetën tënde. Po vëlla, për hir të Zotit, ma bëj këtë nder! Ma përtëri zemrën për hir të Krishtit! Të shkrova se kam besim se do të më dëgjosh dhe e di se do të bësh edhe më shumë se këto që po të them.

Filemonit 1:8-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Prandaj, edhe pse kam liri të plotë në Krishtin të të urdhëroj atë që duhet të bësh, më shumë më pëlqen të të lutem për dashurinë, kështu siç jam unë, Pali, plak dhe tashti edhe i burgosur i Jezu Krishtit; të lutem për birin tim, Onesimin, që më lindi në prangat e mia, i cili dikur s'kishte fare vlerë për ty, por që tani është shumë i vlefshëm për ty e për mua, të cilin ta dërgova përsëri; dhe ti prite atë, zemrën time. Do të desha ta mbaja pranë vetes që të më shërbente në vendin tënd në prangat për shkak të ungjillit; por nuk desha të bëja asgjë pa mendjen tënde që e mira të cilën do të bësh të mos jetë nga detyrimi, por me dashje. Sepse ndoshta për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë, që ta kesh atë përgjithmonë, por jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, vëlla të dashur, sidomos për mua, por aq më tepër për ty si sipas mishit, ashtu dhe në Zotin. në qoftë se ti, pra, më konsideron shok, prite si të isha vetë! Dhe në qoftë se të ka bërë ndonjë padrejtësi ose të ka ndonjë detyrim, m'i ngarko mua. Unë, Pali, i shkrova me dorën time. Unë vetë do të paguaj; që të mos them se ti më detyrohesh edhe veten tënde! Po, vëlla, ma bëj këtë nder në Perëndinë! Ma përtëri zemrën në Perëndinë! Të shkrova me besim se do të më dëgjosh, sepse e di se ti do të bësh edhe më shumë nga sa po të them.