Numrat 25:1-18
Numrat 25:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur Izraeli qëndroi në Shitim, populli filloi të kurvëronte me bijat e Moabit. Ato e grishën popullin të merrnin pjesë në flitë kushtuar perëndive të tyre. Populli hëngri prej flive dhe adhuroi perënditë e tyre. Kështu, Izraeli ndoqi Baalpeorin dhe ZOTI u zemërua me të. Ai i tha Moisiut: «Merri të gjithë krerët e popullit e vari në mes të ditës para ZOTIT, që të largohet zemërimi i ZOTIT nga Izraeli». Atëherë Moisiu u tha gjyqtarëve të Izraelit: «Secili nga ju të vrasë njerëzit e vet që ndoqën Baalpeorin». Ndërkohë një izraelit solli te të afërmit një midianite mu para syve të Moisiut e të gjithë bashkësisë që po qanin te hyrja e tendës së takimit. Kur e pa, Finehasi, biri i Eleazarit, të birit të priftit Aron, u ngrit nga bashkësia, mori në dorë një heshtë dhe e ndoqi izraelitin deri te tenda. Pastaj i shporoi të dy në baqth, izraelitin e midianiten. Atëherë plaga kundër Izraelit u ndal. Megjithatë, nga plaga u vranë njëzet e katër mijë veta. ZOTI i tha Moisiut: «Finehasi, biri i Eleazarit, të birit të priftit Aron, e largoi zemërimin tim prej Izraelit. Ai u tregua i zellshëm për mua e kështu nuk u dhashë fund izraelitëve për shkak të zellit tim. Prandaj thuaj: ja, po i jap besëlidhjen time të paqes atij dhe pasardhësve të tij. Ajo është besëlidhja e përhershme e priftërisë, sepse ai u tregua i zellshëm për Perëndinë e tij dhe e shleu mëkatin e izraelitëve». Izraeliti që u vra për shkak të midianites quhej Zimri, biri i Saluit, prijësit të fisit të Simeonit. Gruaja midianite që u vra quhej Kozba, bija e Curit, kreut të një fisi të Midianit. ZOTI i tha Moisiut: «Kundërvihuni midianitëve e sulmojini, sepse dolën kundër jush me dredhi, duke ju mashtruar në çka ngjau në Peor e me motrën e tyre Kozbën, bijën e prijësit të Midianit. Ajo u vra në ditën e plagës për shkak të ngjarjes në Peor».
Numrat 25:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ndërsa Izraeli ndodhej në Shitim, populli filloi të shthuret me bijat e Moabit. Ato e ftuan popullin të kryejë flijime për perënditë e tyre dhe populli hëngri dhe ra përmbys përpara perëndive të tyre. Kështu Izraeli u bashkua me Baal-Peorin, dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Merr të gjithë krerët e popullit, vriti e vari para Zotit përjashta, në diell me qëllim që zemërimi i zjarrtë i Zotit të largohet nga Izraeli". Kështu u foli Moisiu gjykatësve të Izraelit: "Secili nga ju të vrasë ata njerëz të tij që janë bashkuar me Baal-Peorin". Dhe ja, që një nga bijtë e Izraelit erdhi dhe u paraqiti vëllezërve të tij një grua madianite, para syve të Moisiut dhe tërë asamblesë së bijve të Izraelit, ndërsa këta po qanin në hyrjen e çadrës së mbledhjes. Duke parë këtë skenë, Finehasi, bir i Eleazarit, që ishte bir i priftit Aaron, u ngrit në mes të asamblesë dhe mori në dorë një shtizë, ndoqi pastaj burrin e Izraelit në alkovën e tij dhe i shpoi që të dy, burrin e Izraelit dhe gruan, në pjesën e poshtme të barkut. Kështu u ndal fatkeqësia në mes të bijve të Izraelit. Nga kjo fatkeqësi vdiqën njëzet e katër mijë veta. Atëherë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: "Finehasi, bir i Eleazarit, që ishte bir i priftit Aaron, e largoi zemërimin tim nga bijtë e Izraelit, sepse ai ishte i frymëzuar nga po ajo xhelozia ime; kështu në xhelozinë time nuk i kam shfarosur bijtë e Izraelit. Prandaj i thuaj: "Ja, unë po lidh një aleancë paqeje me të, që do të jetë për të dhe për pasardhësit pas tij besëlidhja e një priftërie të përjetshme, sepse është treguar i zellshëm për Perëndinë e tij dhe ka kryer shlyerjen e fajit për bijtë e Izraelit". Burri i Izraelit, që u vra bashkë me gruan midianite, quhej Zimri, bir i Salut, i pari i një shtëpie patriarkale të simeonitëve. Dhe gruaja që u vra, midianitja, quhej Kozbi, bijë e Tsurit, që ishte i pari i një shtëpie patriarkale në Midian. Pastaj Zoti i foli Moisiut duke i thënë: "Bjeruni midianitëve dhe i sulmoni, sepse ju kanë rënë më qafë me dredhitë e tyre dhe ju kanë mashtruar në rastin e Peorit dhe në atë të Kozbit, bijë e një princi të Midianit, motër e tyre, që u vra ditën e fatkeqësisë për çështjen e Peorit".