Numrat 21:1-9
Numrat 21:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Mbreti kananit i Aradit, që jetonte në Negev, dëgjoi se Izraeli po vinte udhës së Atarimit. Ai i sulmoi e zuri rob disa prej tyre. Atëherë Izraeli iu zotua ZOTIT: «Nëse ma dorëzon me të vërtetë këtë popull, do t'i rrënoj qytetet e tyre». ZOTI e dëgjoi Izraelin dhe ia dorëzoi kananitët. Izraelitët i rrënuan krejt banorët e qytetet e tyre. Kështu, vendi u quajt Hormah. Izraelitët u nisën nga mali Hor rrugës së detit të Kuq për t'i rënë përqark tokës së Edomit. Por rrugës, populli e humbi durimin e foli kundër Perëndisë e Moisiut: «Përse na nxorët nga Egjipti, që të vdesim në shkretëtirë? S'ka bukë, s'ka ujë e kjo bukë e shpifur na u neverit!». Atëherë ZOTI dërgoi mes popullit gjarpërinj helmues dhe ata e kafshuan popullin. Shumë prej izraelitëve vdiqën. Populli shkoi te Moisiu e i tha: «Mëkatuam, sepse folëm kundër ZOTIT e kundër teje. Lutju ZOTIT që t'i largojë gjarpërinjtë prej nesh». Moisiu u lut për popullin dhe ZOTI i tha: «Bëj një gjarpër helmues dhe vendose në një shtyllë. Kushdo që është kafshuar, ta shikojë e ka për të jetuar». Atëherë Moisiu bëri një gjarpër prej bronzi dhe e vendosi mbi një shtyllë. Nëse gjarpri kafshonte dikë, ai vështronte drejt gjarprit prej bronzi dhe jetonte.
Numrat 21:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur mbreti kanaaneas i Aradit, që banonte në Negev, dëgjoi që Izraeli po vinte nga rruga e Atharimit, luftoi kundër Izraelit dhe zuri disa robër. Atëherë Izraeli i lidhi një kusht Zotit dhe tha: "Në rast se ti ma shtie në dorë këtë popull, unë do të shkatërroj tërësisht qytetet e tyre". Zoti e dëgjoi zërin e Izraelit dhe ia shtiu në dorë kanaanenjtë; dhe ai i shkatërroi plotësisht ata bashkë me qytetet e tyre, dhe ky vend u quajt Hormah. Pastaj bijtë e Izraelit u nisën nga mali i Horit, dhe u drejtuan nga Deti i Kuq, për t'i ardhur qark vendit të Edomit; dhe populli u dëshpërua për shkak të rrugës. Populli, pra, foli kundër Perëndisë kundër Moisiut, duke thënë: "Pse na nxorët nga Egjipti që të vdesim në këtë shkretëtirë? Sepse këtu nuk ka as bukë as ujë, na vjen neveri për këtë ushqim të keq". Atëherë Zoti dërgoi midis popullit gjarpërinj flakërues, të cilët kafshonin njerëzit, dhe shumë Izraelitë vdiqën. Dhe kështu populli shkoi te Moisiu dhe i tha: "Kemi mëkatuar, sepse kemi folur kundër Zotit dhe kundër teje; lutju Zotit që të largojë nga ne këta gjarpërinj". Dhe Moisiu u lut për popullin. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Bëj një gjarpër flakërues dhe vëre mbi një shtizë; kështu çdo njeri që do të kafshohet prej tij dhe do ta shikojë, ka për të jetuar". Moisiu bëri atëherë një gjarpër prej bronzi dhe e vuri mbi një shtizë, dhe ndodhte që, kur një gjarpër kafshonte dikë, në rast se ky shikonte gjarprin prej bronzi, ai vazhdonte të jetonte.