Numrat 19:1-22
Numrat 19:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
ZOTI i tha Moisiut e Aronit: «Ky është rregull ligjor që ZOTI ka urdhëruar: “Thuaju izraelitëve të të sjellin një mëshqerrë të kuqe, të shëndetshme e të patëmetë, që nuk është vënë në zgjedhë. Jepja priftit Eleazar. Mëshqerra të nxirret jashtë fushimit e të theret para tij. Eleazari ta ngjyejë gishtin në gjakun e mëshqerrës e të spërkatë shtatë herë para tendës së takimit. Pastaj e gjithë mëshqerra, lëkura, mishi, gjaku e rropullitë të digjen para tij. Prifti të marrë dru cedri, hisop e lesh me ngjyrë të kuqe të ndezur e t'i hedhë në mes të zjarrit që djeg mëshqerrën. Atëherë prifti të lajë rrobat e trupin e vet me ujë. Pastaj të hyjë në fushim. Ai do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Edhe ai që e dogji mëshqerrën t'i lajë rrobat e trupin e vet me ujë. Ai do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Atëherë dikush që është i pastër ta mbledhë hirin e mëshqerrës e ta vendosë jashtë fushimit, në një vend të pastër, që të përdoret nga bashkësia e izraelitëve për ujin e pastrimit, sepse është fli mëkati. Ai që mblodhi hirin e mëshqerrës të lajë rrobat e veta. Ai do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Ky është rregull i përhershëm si për izraelitët, edhe për të huajt që banojnë mes jush. Kushdo që prek kufomën e një njeriu, do të jetë i papastër për shtatë ditë. Në ditën e tretë, të pastrojë veten me ujin e pastrimit. Në ditën e shtatë do të jetë i pastër, por nëse nuk pastrohet ditën e tretë nuk do të jetë i pastër ditën e shtatë. Kushdo që nuk pastrohet pasi ka prekur kufomën e një njeriu, përdhos tendën e ZOTIT, prandaj dhe do të zhbihet prej Izraelit. Ai është i papastër dhe i tillë do të mbesë, sepse nuk u spërkat me ujin e pastrimit. Ky është ligji për ata që vdesin në tendë: kushdo që hyn apo që është në tendë do të jetë i papastër për shtatë ditë. Çdo enë e hapur e pa mbuluar me kapak do të jetë e papastër. Kushdo që prek në fushë të hapur një njeri që është vrarë me shpatë apo që ka vdekur natyrshëm, eshtra njeriu apo ndonjë varr, do të jetë i papastër për shtatë ditë. Për të pastruar të papastrin të merret hi nga flija për mëkatin e djegur e të shtihet në një enë të mbushur me ujin e jetës. Atëherë dikush që është i pastër të marrë hisop, ta ngjyejë në ujë e të spërkatë tendën, të gjitha enët, njerëzit që ishin atje, këdo që kishte prekur ndonjë eshtër apo varr, ndonjë të vrarë apo të vdekur. I pastri të spërkatë të papastrin ditën e tretë e të shtatë. Ai do ta pastrojë të papastrin ditën e shtatë. Pasi i ka larë rrobat në ujë, i papastri do të jetë i pastër në mbrëmje. I papastri që nuk pastrohet të zhbihet prej bashkësisë, sepse ka përdhosur shenjtëroren e ZOTIT. Ai është i papastër, sepse nuk u spërkat me ujin e pastrimit. Ky është rregull i përhershëm. Kushdo që spërkat ujin e pastrimit t'i lajë rrobat e veta. Kushdo që e prek ujin e pastrimit do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Çdo gjë që prek i papastri do të jetë e papastër e kushdo që prek diçka të papastër do të jetë i papastër deri në mbrëmje”».
Numrat 19:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë: "Ky është statuti i ligjit që Zoti ka urdhëruar, duke thënë: "U thuaj bijve të Izraelit që të sjellin një mëshqerrë të kuqe, pa të meta dhe mbi të cilën nuk është vënë asnjë zgjedhë. Do t'ia jepni priftit Eleazar, që do ta çojë jashtë kampit dhe do ta therë në praninë tuaj. Prifti Eleazar do të marrë me gisht pak gjak të saj dhe do ta spërkasë shtatë herë përpara çadrës së mbledhjes; pastaj do t'i vihet zjarri mëshqerrës para syve të tij; lëkura e saj, mishi i saj, gjaku i saj dhe ndyrësitë e saj do të digjen. Pastaj prifti do të marrë dru cedri, hisopi dhe copë të kuqërremtë dhe do t'i hedhë në mes të zjarrit që po djeg mëshqerrën. Pastaj prifti do të lajë rrobat e tij dhe trupin me ujë dhe do të kthehet në kamp; prifti do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Edhe ai që ka djegur mëshqerrën do të lajë rrobat e tij dhe trupin me ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Një njeri i pastër do të mbledhë hirin e mëshqerrës dhe do ta depozitojë jashtë kampit në një vend të pastër, ku do të ruhet për asamblenë e bijve të Izraelit si një pastrim: shërben për t'u pastruar nga mëkati. Dhe ai që ka grumbulluar hirin e mëshqerrës, duhet të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Ky do të jetë një statut i përjetshëm për bijtë e Izraelit dhe për të huajin që banon midis tyre. Kush prek një trup të vdekur të çfarëdo personi do të jetë i papastër shtatë ditë. Ai do të pastrohet me atë ujë ditën e tretë dhe të shtatë, dhe do të jetë i pastër; por në rast se nuk pastrohet ditën e tretë dhe të shtatë, nuk do të jetë i pastër. Kushdo që prek trupin e një personi të vdekur dhe nuk pastrohet, ndot banesën e Zotit, ky person do të shfaroset nga gjiri i Izraelit. Me qenë se uji i pastrimit nuk u spërkat mbi të, ai është i papastër; papastërtia e tij është akoma mbi të. Ky është një ligj për atë që vdes në një çadër: kushdo që hyn në çadër dhe kushdo që është në çadër do të jenë të papastër për shtatë ditë. Dhe çdo enë e hapur, mbi të cilën nuk është vënë kapaku, do të jetë e papastër. Kushdo që në fushë prek një person të vrarë me shpatë ose që ka pësuar vdekje të natyrshme, ose prek një kockë njeriu ose një varr, do të jetë i papastër për shtatë ditë. Dhe për një person të papastër do të merret hiri i viktimës së djegur për ta pastruar nga mëkati dhe nga një enë do të derdhet mbi të ujë i rrjedhshëm; pastaj një njeri i pastër do të marrë hisop, do ta fusë në ujë dhe do të spërkatë çadrën, të gjitha veglat, tërë personat që ndodhen aty dhe atë që ka prekur një kockë, ose të vrarin ose të vdekurin nga vdekja e natyrshme ose varrin. Njeriu i pastër do të spërkatë të papastrin ditën e tretë dhe ditën e shtatë; ditën e shtatë njeriu i papastër do të pastrohet; do të lajë rrobat dhe veten e tij me ujë, dhe në mbrëmje do të jetë i pastër. Por ai që është i papastër dhe nuk pastrohet, do të shfaroset në mes të asamblesë, sepse ka ndotur shenjtëroren e Zotit; uji i pastrimit nuk është spërkatur mbi të; ai është i papastër. Ky do të jetë një statut i përjetshëm. Ai që spërkat ujin e pastrimit do të lajë rrobat e tij, dhe ai që prek ujin e pastrimit do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Çdo gjë që prek personi i papastër do të jetë e papastër; dhe personi që prek atë do të jetë i pastër deri në mbrëmje"".