Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 18:1-32

Numrat 18:1-32 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

ZOTI i tha Aronit: «Ti, bijtë e tu dhe familja e atit tënd do të përgjigjeni për çdo faj të kryer kundër shenjtërores dhe gjatë shërbesës suaj si priftërinj. Bashkë me veten paraqit edhe vëllezërit prej fisit të Levit, fisit të etërve të tu, që të të shoqërojnë e të të shërbejnë kur ti bashkë me bijtë e tu të jeni para tendës së dëshmisë. Ata të kujdesen për shërbesën tënde dhe për atë të tendës, por të mos i afrohen enëve të shenjtërores dhe altarit, që të mos vdesin, as ata e as ju. Do të të shoqërojnë e do të kujdesen për çdo shërbesë të tendës së takimit. Askush tjetër nuk do t'ju afrohet. Do të kujdeseni për shërbesën e shenjtërores e të altarit, që zemërimi i Zotit të mos ndizet më kundër izraelitëve. Ja, unë i kam marrë levitët, vëllezërit tuaj, nga mesi i izraelitëve si dhuratë kushtuar ZOTIT e jua kam dhuruar që të shërbejnë në tendën e takimit. Ndërsa ti bashkë me bijtë e tu do të kujdeseni si priftërinj për çdo gjë në altar dhe për çdo gjë brenda velit. Kjo është shërbesa juaj. Si dhuratë për këtë shërbesë ju jap priftërinë. Kushdo tjetër që afrohet, do të vdesë». ZOTI i tha Moisiut e Aronit: «Ja, unë të kam besuar dhuratat që më kushtohen. Të gjitha gjërat e shenjta të kushtuara nga izraelitët t'i kam dhënë për pjesë ty e bijve të tu. Ky është rregull i përhershëm. Nga flitë më të shenjta, ty do të të përkasin të gjitha flitë që nuk digjen, ato të drithit, të mëkatit dhe të fajit. Ato të jenë tejet të shenjta për ty e bijtë e tu. Haji në vendin më të shenjtë. Mund t'i hajë çdo mashkull. Ato të jenë të shenjta për ty. Ty do të të përkasin edhe dhuratat e izraelitëve të kushtuara si fli lartësimi. Ato ua kam dhënë bijve e bijave të tua. Ky është rregull i përhershëm. Ato mund t'i hajë çdo pjesëtar i pastër i shtëpisë tënde. Ty t'i kam dhënë të gjitha frytet e para që i kushtohen ZOTIT, më të mirën e vajit, e verës e të drithit. Ty do të të përkasin frytet e para të tokës që i sillen ZOTIT. Ato mund t'i hajë çdo pjesëtar i shtëpisë tënde. Ty do të të përkasë çdo gjë që ndahet veç për Zotin në Izrael. Çdo fryt i parë i barkut, si i njerëzve, edhe i kafshëve, që i paraqitet ZOTIT do të të përkasë ty. Por të parëlindurit e njerëzve e të kafshëve të papastra do t'i shpaguash. Pas një muaji, caktoje çmimin e shpagimit pesë sikla, e barabartë me gjashtëdhjetë gramë sipas peshës së shenjtërores. Të parëlindurit e qeve, të dhenve e të dhive mos i shpago. Ata janë të shenjtë. Derdhe gjakun e tyre në altar e digje dhjamin e tyre si fli erëkëndshme zjarri për ZOTIN. Mishi i tyre do të të përkasë ty ashtu siç të përket gjoksi i flisë së lartësimit dhe kofsha e djathtë. Ty t'i kam dhënë të gjitha dhuratat e shenjta që izraelitët i kushtojnë ZOTIT. T'i kam dhënë ty, bijve të tu e bijave të tua që janë me ty. Ky është rregull i përhershëm. Kjo është një besëlidhje e përhershme para ZOTIT, e pathyeshme si kripa, për ty e për pasardhësit e tu». ZOTI i tha Aronit: «Nuk do të kesh trashëgimi në tokën e tyre e as pjesë mes tyre. Unë jam pjesa dhe trashëgimia jote mes izraelitëve. Levitëve u kam dhënë për trashëgimi të gjitha të dhjetat që jep Izraeli në këmbim të shërbesës që kryejnë në tendën e takimit. Kështu, izraelitët nuk do t'i afrohen më tendës së takimit, që të mos mëkatojnë e të vdesin. Vetëm levitët do të shërbejnë në tendën e takimit dhe ata do të përgjigjen për fajet e tyre. Ky është rregull i përhershëm brez pas brezi. Ata nuk do të kenë trashëgimi mes izraelitëve, sepse u kam dhënë për trashëgimi të dhjetat që izraelitët i kushtojnë si dhuratë ZOTIT, prandaj dhe u thashë se nuk do të kenë trashëgimi mes izraelitëve». ZOTI i tha Moisiut: «Fol me levitët e thuaju që kur ta marrin të dhjetën e izraelitëve, që ua kam dhënë si trashëgimi, t'i kushtojnë si dhuratë ZOTIT një të dhjetën e saj, pra të dhjetën e të dhjetave. Kjo do t'ju njihet si dhuratë, e njëjtë me atë të drithit të lëmit e të lëngut të torkut. Kështu, edhe ju do t'i kushtoni dhuratë ZOTIT nga të gjitha të dhjetat që do të merrni nga izraelitët. Këtë dhuratë kushtuar ZOTIT do t'ia jepni priftit Aron. Kushtoni si dhuratë pjesën që i takon ZOTIT nga të gjitha dhuratat që merrni. Pjesa që do të shenjtëroni të jetë ndër më të mirat. Pasi ta kushtojnë pjesën më të mirë, levitët ta shohin pjesën që mbetet njësoj si prodhimi i lëmit e i torkut. Ti dhe familja jote mund t'i hani në çdo vend, sepse është paga juaj për shërbimin që kryeni në tendën e takimit. Nëse i kushtoni më të mirat nuk do të bini në mëkat për shkak të tyre e nuk do t'i përdhosni kushtimet e shenjta të izraelitëve. E kështu nuk do të vdisni».

Numrat 18:1-32 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Zoti i tha Aaronit: "Ti, bijtë e tu, dhe shtëpia e atit tënd bashkë me ty, do të mbani barrën e paudhësive të kryera kundër shenjtërores, dhe ti e bijtë e tu do të mbani barrën e paudhësive të kryera gjatë ushtrimit të priftërisë suaj. Do të afrosh gjithashtu vëllezërit e tu, fisin e Levit, fisin e atit tënd, me qëllim që të bashkohen me ty dhe të të shërbejnë, kur ti dhe bijtë e tu do të jeni para çadrës së dëshmisë. Ata do të të shërbejnë ty dhe do të kryejnë tërë detyrat e çadrës; por nuk do t'u afrohen orendive të shenjtërores dhe altarit, përndryshe do të vdisni së bashku, ti dhe ata. Ata do të bashkohen me ty dhe do të kryejnë të gjitha detyrat e çadrës së mbledhjes që lidhen me punën në çadër, por asnjë i huaj nuk do t'ju afrohet juve. Ju do të kryeni, pra, shërbimin e shenjtërores dhe të altarit, që të mos ketë më zemërim kundër bijve të Izraelit. Ja, unë vetë mora vëllezërit tuaj, levitët, nga mesi i bijve të Izraelit; ata ju janë dhënë dhuratë nga Zoti për të kryer shërbimet e çadrës së mbledhjes. Por ti dhe bijtë e tu do të ushtroni priftërinë tuaj për të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me altarin dhe që ndodhen matanë velit; dhe do të kryeni shërbimin tuaj. Unë ju jap priftërinë tuaj si një dhuratë për shërbimin, por i huaji që do të afrohet do të vritet". Zoti i foli akoma Aaronit, duke i thënë: "Ja, unë të besoj kujdesin e ofertave të mia të larta, të të gjitha gjërave të shenjtëruara të bijve të Izraelit; t'i jap ty dhe bijve të tu si një statut të përjetshëm për shkak të vajosjes suaj. Kjo do të të takojë nga gjërat shumë të shenjta të pakonsumuara në zjarr: të gjitha ofertat e tyre, domethënë çdo blatim ushqimor, çdo flijim për mëkatin dhe çdo flijim për shkeljen e bërë që do të më paraqesin, janë gjëra shumë të shenjta që të përkasin ty dhe bijve të tu. Do t'i hash në vend shumë të shenjtë; do t'i hajë çdo mashkull; do të jenë për ty gjëra të shenjta. Do të të përkasin ty edhe këto: dhuratat që bijtë e Izraelit do të paraqesin për ngritje dhe të gjitha ofertat e tyre të tundura; unë t'i jap ty, bijve të tu dhe bijave të tua, si një statut i përjetshëm. Kushdo që është i pastër në shtëpinë tënde mund t'i hajë. Pjesa më e mirë e vajit, e mushtit dhe e grurit, prodhimet e para që i japin Zotit, unë t'i jap ty. Prodhimet e para të të gjitha gjërave që prodhon toka dhe që ata i paraqesin Zotit, do të jenë tuajat. Kushdo që është i pastër në shtëpinë tënde mund t'i hajë. Çdo gjë e shenjtëruar në Izrael do të jetë jotja. Çdo pjellje e parë e çdo mishi që ata do t'i ofrojnë Zotit, qoftë të njerëzve ashtu dhe të kafshëve, do të jetë jotja; por me siguri do të shpengosh të parëlindurin e njeriut dhe do të shpengosh pjelljen e parë të kafshëve të papastra. Dhe ata që duhet të shpengosh, do t'i shpengosh në moshën një muajsh, sipas vlerësimit tënd, për pesë sikla argjendi, sipas siklit të shenjtërores, që është njëzet gere. Por nuk do të shpengosh pjelljen e parë të lopës, të deles dhe të dhisë; janë gjëra të shenjta; do të spërkatësh gjakun e tyre mbi altarin dhe do të tymosësh dhjamin e tyre si flijim i bërë me zjarr, me erë të këndshme për Zotin. Mishi i tyre do të jetë yti; do të jetë yti si gjoksi i ofertës së tundur ashtu dhe kofsha e djathtë. Unë të jap ty, bijve dhe bijave të tua bashkë me ty, si statut të përjetshëm, të gjitha ofertat e larta të gjërave të shenjta që bijtë e Izraelit i paraqesin Zotit. Është një besëlidhje e kripës dhe e përjetshme përpara Zotit, për ty dhe për pasardhësit e tu". Zoti i tha akoma Aaronit: "Ti nuk do të kesh asnjë trashëgimi në vendin e tyre dhe nuk do të kesh pjesë në mes tyre; unë jam pjesa jote dhe trashëgimia jote në mes të bijve të Izraelit. Ja, bijve të Levit unë u lë si trashëgim të gjitha të dhjetat në Izrael në këmbim të shërbimit që kryejnë, shërbimin e çadrës së mbledhjes. Dhe bijtë e Izraelit nuk do t'i afrohen më çadrës së mbledhjes, përndryshe do të ngarkoheshin me një mëkat dhe do të vdisnin. Shërbimin në çadrën e mbledhjes do ta bëjnë vetëm levitët; dhe këta do të mbajnë barrën e paudhësive të tyre; do të jetë një statut i përjetshëm për gjithë brezat tuaj; dhe nuk do të kenë asnjë trashëgimi midis bijve të Izraelit; sepse unë u jap si trashëgimi levitëve të dhjetat që bijtë e Izraelit do t'i paraqesin Zotit si një ofertë të lartë; prandaj u thashë atyre: "Nuk do të kenë asnjë trashëgimi midis bijve të Izraelit"". Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: "Folu levitëve dhe u thuaj atyre: Kur do të merrni nga bijtë e Izraelit të dhjetat që unë ju jap nga ana e tyre si trashëgiminë tuaj, do t'i bëni një ofertë të lartë Zotit, një të dhjetën e së dhjetës; dhe oferta juaj e lartë do t'ju llogaritet si gruri që vjen nga lëmi dhe si bollëku i mushtit të butit. Kështu edhe ju do t'i bëni një ofertë të lartë Zotit nga të gjitha të dhjetat që do të merrni nga bijtë e Izraelit, dhe nga ato do të jepni ofertën e lartë të Zotit priftit Aaron. Nga të gjitha gjërat që ju kanë dhuruar, do t'i ofroni ofertën e lartë Zotit, nga pjesa më e mirë, pjesën e shenjtëruar. Prandaj do t'u thuash atyre: "Kur të keni ofruar më të mirën, ajo që mbetet do t'u llogaritet levitëve si prodhim i lëmit dhe si prodhim i mushtit të butit. Mund ta hani në çfarëdo vend, ju dhe familja juaj, sepse është shpërblimi juaj për shërbimin tuaj në çadrën e mbledhjes. Kështu nuk do të jeni fajtorë të asnjë mëkati, sepse keni ofruar gjërat më të mira; por nuk do të përdhosni gjërat e shenjta të bijve të Izraelit, përndryshe do të vdisni"".