Numrat 14:1-30
Numrat 14:1-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë tërë bashkësia vuri kujën e vajtoi gjatë gjithë asaj nate. Të gjithë izraelitët murmuritën kundër Moisiut e Aronit e u thanë: «Më mirë të kishim vdekur në Egjipt ose këtu në shkretëtirë. Pse po na çon ZOTI në këtë tokë? Që të vdesim prej shpate e që gratë e fëmijët të na zihen rob? A nuk është më mirë të kthehemi në Egjipt?». Ata i thoshin njëri-tjetrit: «Të caktojmë një prijës tjetër e të kthehemi në Egjipt». Atëherë Moisiu e Aroni ranë me fytyrë përdhe përpara tërë bashkësisë së izraelitëve. Jozuehu, biri i Nunit, dhe Kalebi, biri i Jefunehut, dy nga vëzhguesit, i shqyen rrobat e i thanë bashkësisë së izraelitëve: «Toka që përshkuam e hetuam është tej mase e mirë. Nëse ZOTI na përkrah, do të na çojë në këtë vend e do të na e japë tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë. Mos ngrini krye kundër ZOTIT! Mos e kini frikë popullin e vendit, se është kafshatë e vogël për ne. Ata s'ka kush t'i ndihmojë, ndërsa me ne është ZOTI. Mos i kini frikë!». Mirëpo tërë bashkësia e izraelitëve donte t'i vriste me gurë. Atëherë lavdia e ZOTIT iu dëftua të gjithë izraelitëve në tendën e takimit dhe ZOTI i tha Moisiut: «Edhe për sa kohë do të më përbuzë ky popull? Edhe për sa kohë nuk do të më zërë besë, pas gjithë atyre shenjave që bëra mes tyre? Do t'i godas me murtajë e do t'i dëboj, ndërsa prej teje do të bëj një komb më të madh e më të fuqishëm se ata». Por Moisiu i tha ZOTIT: «Do të dëgjojnë egjiptianët, prej nga e nxore me forcë këtë popull, e do t'u tregojnë banorëve të këtij vendi. Ata kanë dëgjuar se ti, o ZOT, je mes këtij populli, sepse ti, o ZOT, shfaqesh ballë për ballë, reja jote qëndron mbi ta, dhe ditën u shkon para në shtyllën e resë, ndërsa natën në shtyllën e zjarrit. Nëse e vret një herë e mirë këtë popull, popujt që kanë dëgjuar të flitet për ty do të thonë: “ZOTI i theri në shkretëtirë, se nuk ishte në gjendje ta çonte këtë popull në tokën që u premtoi”. Prandaj, të lutem, tregoje madhështinë e fuqisë tënde, o Zot, ashtu siç the: “ZOTI është i ngadaltë në zemërim e plot mirësi, e fal paudhësinë e shkeljen, por nuk lë pa dënuar. Paudhësinë e etërve e ndëshkon, deri te fëmijët, deri te breznia e tretë dhe e katërt”. Fale paudhësinë e këtij populli në saje të mirësisë sate të madhe, ashtu siç ke bërë që kur i nxore nga Egjipti e deri tani». Atëherë ZOTI i tha: «Po i fal siç the, por pasha jetën e lavdinë e ZOTIT që mbush tërë tokën, asnjë nga njerëzit që pa lavdinë time e shenjat që bëra në Egjipt e në shkretëtirë dhe më vuri në provë dhjetë herë pa më dëgjuar, s'ka për ta parë tokën që u premtova etërve të tyre. Asnjë nga ata që më përbuzën nuk do ta shohë. Por me Kalebin, shërbëtori tim, ishte një frymë tjetër dhe ai më qëndroi besnik, prandaj do ta çoj në tokën që shkeli dhe që pasardhësit e tij do ta zotërojnë. Amalekitët e kananitët banojnë në luginë, prandaj nesër kthehuni e nisuni drejt shkretëtirës, rrugës për te deti i Kuq». ZOTI i tha Moisiut e Aronit: «Për sa kohë do të murmuritë kundër meje kjo bashkësi e mbrapshtë? Mjaft i dëgjova duke murmuritur kundër meje. Prandaj thuaju: “Pasha jetën, kumton ZOTI, unë do të bëj me ju siç dëgjova se thatë. Në këtë shkretëtirë do të bien kufomat tuaja, të gjithë të regjistruarit nga njëzet vjeç e lart që murmuritën kundër meje. Asnjë prej jush nuk do të hyjë në tokën ku u betova se do t'ju vendos, përveç Kalebit, birit të Jefunehut dhe Jozuehut, birit të Nunit.
Numrat 14:1-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë tërë asambleja ngriti zërin dhe filloi të bërtasë; dhe atë natë populli qau. Dhe të gjithë bijtë e Izraelit murmurisnin kundër Moisiut dhe kundër Aaronit dhe tërë asambleja u tha atyre: "Sikur të kishim vdekur në vendin e Egjiptit ose të kishim vdekur në këtë shkretëtirë! Pse Zoti na çon në këtë vend që të biem nga goditja e shpatave? Gratë dhe fëmijët tanë do të bëhen pre e armikut. A nuk do të ishte më mirë për ne të kthehemi në Egjipt?". Dhe i thanë njëri-tjetrit: "Të zgjedhim një kryetar dhe të kthehemi në Egjipt!". Atëherë Moisiu dhe Aaroni ranë përmbys përpara tërë asamblesë së mbledhur të bijve të Izraelit. Jozueu, bir i Nunit, dhe Kalebi, bir i Jenufehut, që ishin ndër ata që kishin vëzhguar vendin, grisën rrobat e tyre, dhe i folën kështu asamblesë së bijve të Izraelit: "Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend i mirë, shumë i mirë. Në rast se Zoti kënaqet me ne, do të na çojë në këtë vend dhe do të na japë neve, "një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë". Vetëm mos ngrini krye kundër Zotit dhe mos kini frikë nga populli i vendit, sepse ai do të jetë ushqimi ynë; mbrojtja e tyre është larguar nga ata dhe Zoti është me ne; mos kini frikë nga ata". Atëherë tërë asambleja foli për t'i vrarë me gurë; por lavdia e Zotit iu shfaq në çadrën e mbledhjes tërë bijve të Izraelit. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Deri kur do të më përçmojë ky popull? Dhe deri kur do të refuzojnë të besojnë pas gjithë atyre mrekullive që kam bërë në mes të tyre? Unë do ta godas me murtajë dhe do ta shkatërroj, por do të bëj prej teje një komb më të madh dhe më të fuqishëm se ai". Moisiu i tha Zotit: "Por do ta dëgjojnë egjiptasit, nga mesi i të cilëve e ke ngritur këtë popull për fuqinë tënde, dhe do t'ia bëjnë të ditur banorëve të këtij vendi. Ata kanë dëgjuar që ti, o Zot, je në mes të këtij populli, i shfaqesh atij sy për sy, që reja jote qëndron mbi ta dhe që ecën para tyre ditën në një kolonë reje dhe natën në një kolonë të zjarrtë. Tani në se e bën këtë popull të vdesë si një njeri të vetëm, kombet që kanë dëgjuar namin tënd do të flasin, duke thënë: "Me qenë se Zoti nuk ka qenë i zoti ta futë këtë popull në vendin që ishte betuar t'i jepte, e vrau në shkretëtirë". Por tani, të lutem, le të shfaqet fuqia e Zotit tim në madhështinë e saj, ashtu si fole duke thënë: "Zoti është i ngadaltë në zemërim dhe i madh në mëshirë; ai fal padrejtësinë dhe mëkatin, por nuk lë pa ndëshkuar fajtorin, duke dënuar paudhësinë e etërve te bijtë, deri në brezin e tretë ose të katërt". Fale paudhësinë e këtij populli, me madhështinë e mëshirës sate, ashtu siç e ke falur këtë popull nga Egjipti deri këtu". Atëherë Zoti tha: "Unë fal, ashtu si kërkove ti; por, ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, e gjithë toka do të jetë plot me lavdinë e Zotit, dhe tërë këta njerëz që kanë parë lavdinë time dhe mrekullitë që kam bërë në Egjipt e në shkretëtirë, dhe më kanë tunduar dhjetë herë dhe nuk e kanë dëgjuar zërin tim, me siguri nuk kanë për ta parë vendin që u betova t'u jap etërve të tyre. Askush nga ata që më kanë përçmuar nuk ka për ta parë; por shërbëtorin tim Kaleb, duke qenë se veproi i shtyrë nga një frymë tjetër e më ka ndjekur plotësisht, unë do ta fus në vendin ku ka shkuar; dhe pasardhësit e tij do ta zotërojnë. Amalekitët dhe kanaanenjtë banojnë në luginë, nesër kthehuni prapa dhe nisuni drejt shkretëtirës, në drejtim të Detit të Kuq". Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë: "Deri kur do të duroj këtë asamble të keqe që murmurit kundër meje? Unë dëgjova murmuritjet që bëjnë bijtë e Izraelit kundër meje. U thuaj atyre: Ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, thotë Zoti, unë do t'ju bëj atë që kam dëgjuar prej jush. Kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë; ju të gjithë që jeni regjistruar, nga mosha njëzet vjeç e lart, dhe që keni murmuritur kundër meje, nuk do të hyni me siguri në vendin ku u betova se do të banoni, me përjashtim të Kalebit, birit të Jefunehut, dhe të Jozueut, birit të Nunit.