Numrat 14:1-11 - Compare All Versions
Numrat 14:1-11 ALBB (Bibla Shqip 1994)
Atëherë tërë asambleja ngriti zërin dhe filloi të bërtasë; dhe atë natë populli qau. Dhe të gjithë bijtë e Izraelit murmurisnin kundër Moisiut dhe kundër Aaronit dhe tërë asambleja u tha atyre: "Sikur të kishim vdekur në vendin e Egjiptit ose të kishim vdekur në këtë shkretëtirë! Pse Zoti na çon në këtë vend që të biem nga goditja e shpatave? Gratë dhe fëmijët tanë do të bëhen pre e armikut. A nuk do të ishte më mirë për ne të kthehemi në Egjipt?". Dhe i thanë njëri-tjetrit: "Të zgjedhim një kryetar dhe të kthehemi në Egjipt!". Atëherë Moisiu dhe Aaroni ranë përmbys përpara tërë asamblesë së mbledhur të bijve të Izraelit. Jozueu, bir i Nunit, dhe Kalebi, bir i Jenufehut, që ishin ndër ata që kishin vëzhguar vendin, grisën rrobat e tyre, dhe i folën kështu asamblesë së bijve të Izraelit: "Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend i mirë, shumë i mirë. Në rast se Zoti kënaqet me ne, do të na çojë në këtë vend dhe do të na japë neve, "një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë". Vetëm mos ngrini krye kundër Zotit dhe mos kini frikë nga populli i vendit, sepse ai do të jetë ushqimi ynë; mbrojtja e tyre është larguar nga ata dhe Zoti është me ne; mos kini frikë nga ata". Atëherë tërë asambleja foli për t'i vrarë me gurë; por lavdia e Zotit iu shfaq në çadrën e mbledhjes tërë bijve të Izraelit. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Deri kur do të më përçmojë ky popull? Dhe deri kur do të refuzojnë të besojnë pas gjithë atyre mrekullive që kam bërë në mes të tyre?
Numrat 14:1-11 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))
Atëherë tërë bashkësia vuri kujën e vajtoi gjatë gjithë asaj nate. Të gjithë izraelitët murmuritën kundër Moisiut e Aronit e u thanë: «Më mirë të kishim vdekur në Egjipt ose këtu në shkretëtirë. Pse po na çon ZOTI në këtë tokë? Që të vdesim prej shpate e që gratë e fëmijët të na zihen rob? A nuk është më mirë të kthehemi në Egjipt?». Ata i thoshin njëri-tjetrit: «Të caktojmë një prijës tjetër e të kthehemi në Egjipt». Atëherë Moisiu e Aroni ranë me fytyrë përdhe përpara tërë bashkësisë së izraelitëve. Jozuehu, biri i Nunit, dhe Kalebi, biri i Jefunehut, dy nga vëzhguesit, i shqyen rrobat e i thanë bashkësisë së izraelitëve: «Toka që përshkuam e hetuam është tej mase e mirë. Nëse ZOTI na përkrah, do të na çojë në këtë vend e do të na e japë tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë. Mos ngrini krye kundër ZOTIT! Mos e kini frikë popullin e vendit, se është kafshatë e vogël për ne. Ata s'ka kush t'i ndihmojë, ndërsa me ne është ZOTI. Mos i kini frikë!». Mirëpo tërë bashkësia e izraelitëve donte t'i vriste me gurë. Atëherë lavdia e ZOTIT iu dëftua të gjithë izraelitëve në tendën e takimit dhe ZOTI i tha Moisiut: «Edhe për sa kohë do të më përbuzë ky popull? Edhe për sa kohë nuk do të më zërë besë, pas gjithë atyre shenjave që bëra mes tyre?