Numrat 11:24-30
Numrat 11:24-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Moisiu doli dhe i tregoi popullit fjalët e ZOTIT. Pastaj mblodhi shtatëdhjetë burra nga pleqtë e popullit dhe i vendosi përreth tendës. Atëherë ZOTI zbriti në re, foli me Moisiun dhe u dha shtatëdhjetë pleqve shpirtin që ishte në Moisiun. Kur shpirti u preh mbi ta, ata filluan të profetizojnë, por kjo nuk u përsërit më. Dy nga pleqtë qëndruan në fushim. Njëri quhej Eldad e tjetri Medad. Ata ishin përzgjedhur, por nuk kishin shkuar te tenda. Megjithatë, shpirti u preh edhe mbi ta e ata filluan të profetizojnë në fushim. Një djalosh vrapoi dhe i tregoi Moisiut: «Eldadi e Medadi po profetizojnë në fushim». Atëherë, Jozuehu, biri i Nunit, shërbëtori i Moisiut që në rini, i tha Moisiut: «Imzot, ndaloji!». Moisiu iu përgjigj: «Pse ke smirë? Ah, sikur tërë populli i ZOTIT të profetizonte dhe ZOTI t'u jepte shpirtin e tij!». Pastaj Moisiu dhe pleqtë e Izraelit u kthyen në fushim.
Numrat 11:24-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj Moisiu doli dhe i njoftoi popullit fjalët e Zotit; mblodhi pastaj shtatëdhjetë njerëz pleq të popullit dhe i vendosi rreth e qark çadrës së mbledhjes. Atëherë Zoti zbriti në renë dhe i foli atij, mori nga Fryma që qëndronte mbi të dhe e çoi mbi të shtatëdhjetë pleqtë; por kur Fryma u vu mbi ta, ata bënë profeci, me gjithë se më vonë nuk bënë më. Por dy njerëz, njëri quhej Eldad dhe tjetri Medad, kishin mbetur në kamp; dhe Fryma u vu edhe mbi ta; këta ishin ndër të regjistruarit, por nuk kishin dalë për të shkuar në çadër; megjithatë bënë profeci në kamp. Një djalë shkoi me vrap t'ia referojë këtë gjë Moisiut dhe i tha: "Eldadi dhe Medadi po bëjnë profeci në kamp". Atëherë Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Moisiut, një nga të rinjtë e tij, filloi të thotë: "Moisi, imzot, bëji që të heqin dorë!". Por Moisiu iu përgjigj: "Ndofta je xheloz për mua? Ah, le të ishin të gjithë profetë në popullin e Zotit dhe dhëntë Zoti që Fryma e tij të vihet mbi ta!". Pastaj Moisiu u kthye në kamp bashkë me pleqtë e Izraelit.