Nehemia 12:1-47
Nehemia 12:1-47 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Priftërinjtë dhe levitët që u kthyen me Zorobabelin, të birin e Shealtielit, e me Jozuehun janë këta: Serajahu, Jeremia, Ezra, Amarjahu, Maluku, Hatushi, Shekanjahu, Rehumi, Meremoti, Idoi, Gintoi, Abijahu, Mijamini, Madiahu, Bilgahu, Shemajahu, Jojaribi, Jedajahu, Salai, Amoku, Hilkiahu e Jedajahu. Këta ishin krerët e priftërinjve e të vëllezërve të tyre në kohën e Jozuehut. Levitët ishin Jozuehu, Binui, Kadmieli, Sherebiahu, Juda e Matanjahu, i cili bashkë me vëllezërit e vet kujdesej për këngët e lavdit. Vëllezërit e tyre Bakbukiahu e Uniu shërbenin kundruall tyre. Jozuehut i lindi Jojakimi, Jojakimit i lindi Eliashibi, Eliashibit i lindi Jojadai, Jojadait i lindi Jonatani e Jonatanit i lindi Jaduai. Në kohën e Jojakimit priftërinjtë kryefamiljarë ishin Merajahu për familjen e Serajahut; Hananiahu për familjen e Jeremisë; Meshulami për familjen e Ezrës; Jehohanani për familjen e Amarjahut; Jonatani për familjen e Melikuit; Jozefi për familjen e Shebanjahut; Adnai për familjen e Harimit; Helkaji për familjen e Merajotit; Zakaria për familjen e Idoit; Meshulami për familjen e Ginetonit; Zikriu për familjen e Abijahut; Piltai për familjen e Minjaminit të Moadiahut; Shamuai për familjen e Bilgahut; Jonatani për familjen e Shemajahut; Matenai për familjen e Jojaribit; Uziu për familjen e Jedajahut; Kalai për familjen e Salait; Eberi për familjen e Amokut; Hashabiahu për familjen e Hilkiahut; Netaneli për familjen e Jedajahut. Në kohën e Eliashibit, të Jojadait, të Johananit e të Jaduait, deri në kohën e mbretërimit të Darit të Persisë, levitët u regjistruan sipas kryefamiljarëve, sikurse edhe priftërinjtë. Kryefamiljarët e pasardhësve të Levit u regjistruan në librin e Kronikave deri në ditët e Johananit, birit të Eliashibit. Krerët e levitëve, Hashabiahu, Sherebiahu e Jozuehu, biri i Kadmielit, bashkë me vëllezërit e tyre, që u rrinin kundruall, këndonin me radhë lavde e falënderime, sipas urdhrit të Davidit, njeriut të Perëndisë. Matanjahu, Bakbukiahu, Abdia, Meshulami, Talmoni e Akubi ishin derëtarë e ruanin qilarët e portave. Këta jetuan në kohën e Jojakimit, birit të Jozuehut, të birit të Jocadakut, kur Nehemia ishte qeveritar e prifti Ezra ishte shkrues. Për kushtimin e mureve të Jerusalemit njerëzit kërkuan levitët prej të gjitha vendeve, që t'i sillnin në Jerusalem, për ta kremtuar kushtimin me gëzim, me falënderim, me këngë, me cimbale, me lira e me harpa. Këngëtarët u mblodhën nga rrethinat e Jerusalemit, nga fshatrat e Netofatitit, nga Bet Gilgali e nga krahina e Gebës dhe Azmavetit, sepse këngëtarët kishin ndërtuar për vete fshatra përreth Jerusalemit. Priftërinjtë e levitët u pastruan vetë e pastaj pastruan popullin, portat e murin. Atëherë unë ngjita mbi mur prijësit e Judës dhe caktova dy kore të mëdha që këndonin këngë falënderimi për parakalim. Njëri shkoi mbi mur në të djathtë, në drejtim të Portës së Hedhurinave. Pas tyre shkuan Hoshajahu, gjysma e prijësve të Judës, Azarjahu, Ezra, Meshulami, Juda, Benjamini, Shemajahu, Jeremia e disa priftërinj të rinj me trumbeta, Zakaria, biri i Jonatanit, të birit të Shemajahut, të birit të Matanjahut, të birit të Mikahut, të birit të Zakurit, të birit të Asafit, bashkë me vëllezërit e tij Shemajahun, Azarelin, Milalain, Gilalain, Main, Netanelin, Judën e Hananiun, me veglat muzikore të Davidit, njeriut të Perëndisë. Para tyre ecte shkruesi Ezra. Kur mbërritën te Porta e Gurrës, u ngjitën drejt nëpër shkallët e Qytetit të Davidit, tek e përpjeta e murit mbi shtëpinë e Davidit, në drejtim të Portës së Ujit, në lindje. Kori tjetër shkoi në të majtë e unë shkova pas tyre mbi mur me gjysmën tjetër të popullit, përtej Kullës së Furrave, në drejtim të Murit të Gjerë. Kaluam Portën e Efraimit, Portën e Vjetër, Portën e Peshqve, Kullën e Hananelit, Kullën e të Njëqindve dhe Portën e Deleve. Ata u ndalën te Porta e Burgut. Të dy koret u ndalën te tempulli i Perëndisë e bashkë me ta edhe unë e gjysma e zyrtarëve, që ishin me mua, si edhe priftërinjtë Eliakimi, Masejahu, Minjamini, Mikahu, Eljoenai, Zakaria e Ananjahu, që mbanin trumbetat. Ishin edhe Masejahu, Shemajahu, Eleazari, Uziu, Jehohanani, Malkjahu, Elami dhe Ezeri. Atëherë këngëtarët kënduan nën drejtimin e Izrahjahut. Atë ditë ata kushtuan flijime të mëdha e u ngazëlluan, sepse Perëndia i kishte ngazëlluar shumë. U gëzuan edhe gratë e fëmijët dhe ngazëllimi i Jerusalemit u dëgjua që nga larg. Atë ditë disa burra u caktuan kujdestarë të kthinave të grumbullimit të dhuratave, të të lashtave e të të dhjetave, që të grumbullonin në to nga fushat përreth qyteteve pjesën që u takonte me ligj priftërinjve e levitëve, duke qenë se judenjtë u ngazëlluan me priftërinjtë e levitët që shërbenin. Ata kryen shërbesën e Perëndisë së tyre, si edhe shërbesën e pastrimit. Kështu vepruan edhe këngëtarët e derëtarët, sipas urdhrit të Davidit e birit të tij, Solomonit. Dikur, në kohën e Davidit e të Asafit, këngëtarët kishin pasur drejtues. Kishin pasur edhe këngë lavdi e falënderimi për Perëndinë. Në kohën e Zorobabelit e të Nehemisë mbarë Izraeli u jepte këngëtarëve e derëtarëve pjesën e përditshme. Ata ndanin veç pjesën që u takonte levitëve e levitët ndanin veç pjesën që u takonte pasardhësve të Aronit.
Nehemia 12:1-47 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Këta janë priftërinjtë dhe levitët që u kthyen me Zorobabelin, birin e Shealthielit, dhe me Jeshuan: Serajahu, Jeremia, Ezdra, Amariahu, Malluku, Hatushi, Shekaniahu, Rehumi, Meremothi, Ido, Ginethoi, Abijahu, Mijamini, Maadiahu, Bilgahu, Shemajahu, Jojaribi, Jedajahu, Sallu, Amoku, Hilkiahu dhe Jedajahu. Këta ishin krerët e priftërinjve dhe të vëllezërve të tyre në kohën e Jeshuas. Levitët përfaqësoheshin nga Jeshua, Binu, Kamieli, Sherebiahu, Juda dhe Mataniahu, që ishte caktuar bashkë me vëllezërit e tij në këngën e falënderimit. Bakbukiahu dhe Uni, vëllezër të tyre, rrinin përballë tyre sipas funksioneve të tyre. Jeshuas i lindi Jojakimi; Jojakimit i lindi Eliashibi; Eliashibit i lindi Jojada, Jojadas i lindi Jonathani; Joathanit i lindi Jadua. Në kohën e Jojakimit, priftërinjtë të parët e shtëpive atërore ishin si vijon: nga shtëpia e Serajahut, Merajahu; nga ajo e Jeremias, Hananiahu; nga ajo e Ezdras, Meshulami; nga ajo e Amariahut, Jehohanani; nga ajo e Melikut, Jonathani; nga ajo e Shebaniahut, Jozefi; nga ajo e Harimit, Adna; nga ajo e Merajothit, Helkai; nga ajo e Idos, Zakaria; nga ajo e Ginethonit, Meshulami; nga ajo e Abijahut, Zikri; nga ajo e Miniaminit dhe e Moadiahut, Piltai; nga ajo e Bilgahut, Shamua; nga ajo e Shemajahut, Jonathani; nga ajo e Jojaribit, Matenai; nga ajo e Jedajahut, Uzi; nga ajo e Sallait, Kallai; nga ajo e Amokut, Eberi; nga ajo e Hilkiahut, Hashabiahu dhe nga ajo e Jedajahut, Nethaneeli. Gjatë mbretërimit të Darit, Persianit, u regjistruan bashkë me priftërinjtë, levitët që ishin të parë të shtëpive atërore në kohën e Eliashibit, të Jojadas, të Johananit dhe të Jaduas. Bijtë e Levit, që ishin të parë të shtëpive atërore, u regjistruan përkundrazi në librin e Kronikave deri në kohën e Johananit, birit të Eliashibit. Krerët e levitëve Hashabiahu, Sherabiahu dhe Jeshua, bir i Kadmielit, bashkë me vëllezërit e tyre, që rrinin përballë tyre, këndonin himne lëvdimi dhe falënderimi me grupe të alternuara, sipas urdhrit të Davidit, njeriut të Perëndisë. Mataniahu, Bakbukiahu, Obadiahu, Meshulami, Talmoni dhe Akubi ishin derëtarë dhe ruanin magazinat e portave. Këta jetonin në kohën e Jojakimit, birit të Jeshuas, bir i Jotsadakut, dhe në kohën e Nehemias, qeveritarit, dhe të Ezdras, që ishte prift dhe shkrues. Për kushtimin e mureve të Jeruzalemit dërguan të kërkojnë levitë nga tërë vendet e tyre, për t'i sjellë në Jeruzalem që të kremtonin kushtimin me gëzim, me lavdërime dhe me këngë, me cembale, me harpa dhe me qeste. Dhe bijtë e këngëtarëve u mblodhën nga krahina përreth Jeruzalemit, nga fshatrat e netofathitëve, nga Beth-Gilgali, nga fusha e Gebas dhe të Azmavethit, sepse këngëtarët kishin ndërtuar fshatra përreth Jeruzalemit. Priftërinjtë dhe levitët u pastruan vetë dhe pastruan popullin, portat dhe muret. Pastaj unë bëra të hipnin mbi muret krerët e Judës dhe formova kështu dy kore të mëdha lëvdimi. I pari u nis në të djathtë, mbi muret, në drejtim të portës së Plehut; prapa tij ecnin Hoshajahu, gjysma e krerëve të Judës, Azaria, Ezdra, Meshulami, Juda, Beniamini, Shemajahu, Jeremia, dhe disa nga bijtë e priftërinjve me boritë e tyre: Zakaria, bir i Jonathanit, bir i Shemajahut, bir i Mataniahut, bir i Mikajahut, bir i Zakurit, bir i Asafit, dhe vëllezërit e tij Shemajahu, Azareeli, Milalai; Gilalaji, Maai, Nethaneeli, Juda dhe Hanani, me veglat muzikore të Davidit, njeriut të Perëndisë. Ezdra, shkruesi, ecte në krye të tyre. Kur arritën te porta e Burimit u ngjitën drejtpërdrejtë nëpër shkallët e qytetit të Davidit, ku muret lartohen mbi shtëpinë e Davidit, deri te porta e Ujërave, në lindje. Kori i dytë i lëvdimit mori drejtimin e kundërt; unë e ndiqja me gjysmën e popullit, mbi muret, mbi kullën e Furrave, deri te muri i Gjerë, pastaj mbi portën e Efraimit, mbi portën e Vjetër, mbi portën e Peshqve, mbi kullën e Hananeelit, mbi kullën e Meahut, deri te porta e Deleve; kori u ndal te porta e Burgut. Dy koret e lëvdimit u ndalën te shtëpia e Perëndisë; kështu bëra edhe unë me gjysmën e gjyqtarëve që ishin me mua, dhe priftërinjtë Eliakim, Maaseiah, Minialin, Mikajah, Elioenai, Zakaria, Hananiahu me boritë, dhe Maaseiahu, Shemajahu, Eleazari, Uzi, Jehohanani, Milkijahu, Elami dhe Ezetri. Këngëtarët kënduan me zë të lartë nën drejtimin e Jezrahiahut. Atë ditë ofruan flijime të mëdha dhe u gëzuan sepse Perëndia i kishte mbushur me një gëzim të madh. Edhe gratë dhe fëmijët u gëzuan; dhe gëzimi i Jeruzalemit dëgjohej nga larg. Në atë kohë disa njerëz u caktuan për dhomat që shërbenin si magazina për ofertat, për prodhimet e para dhe për të dhjetat, për të mbledhur aty nga arat e qyteteve pjesët e caktuara nga ligji për Ata e kryenin shërbimin e Perëndisë të tyre dhe shërbimin e pastrimit, bashkë me këngëtarët dhe me derëtarët, sipas urdhrit të Davidit dhe të Salomonit, që ishte biri i tij. Në lashtësi, në kohën e Davidit dhe të Asafit, kishte në të vërtetë drejtues këngëtarësh dhe këngë lëvdimi dhe falënderimi drejtuar Perëndisë. Në kohën e Zerubabelit dhe të Nehemias, gjithë Izraeli u jepte çdo ditë racionet e caktuara këngëtarëve dhe derëtarëve; vinte gjithashtu mënjanë racionin për levitët, dhe levitët vinin mënjanë racionin e shenjtëruar për bijtë e Aaronit.