Marku 9:1-13
Marku 9:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu nuk do ta provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë duke ardhur me fuqi». Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi në një mal të lartë, në një vend të veçuar. Atëherë ai u shndërrua para tyre dhe rrobat iu bënë vezulluese e aq të bardha, sa askush mbi tokë nuk mund t'i zbardhte aq shumë. Pastaj atyre iu shfaqën Elia me Moisiun që po flisnin me Jezuin. Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Në të vërtetë nuk dinte ç'të thoshte, se u kishte hyrë tmerri. Atëherë doli një re që i mbuloi me hijen e saj dhe nga reja u dëgjua një zë: «Ky është Biri im i dashur. Dëgjojeni!». Dhe, befas, kur shikuan përreth, nuk panë askënd përveç Jezuit që ishte me ta. Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi të mos i tregonin askujt çfarë kishin parë, derisa Biri i njeriut të ngjallej prej të vdekurve. Ata e mbajtën fjalën dhe pyesnin veten: ç'do të thotë të ngjallesh prej të vdekurve? Pastaj e pyetën Jezuin: «Përse thonë shkruesit se duhet të vijë më parë Elia?». Ai u tha: «Është e vërtetë se Elia do të vijë më parë për të vënë gjithçka në vendin e vet. Po përse është shkruar se Biri i njeriut do të vuajë shumë e do të përçmohet? Megjithatë unë po ju them se Elia ka ardhur e me të bënë çfarë deshën, siç është shkruar për të».
Marku 9:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj u tha atyre: ''Në të vërtetë ju them se midis jush që jeni këtu ka disa që nuk do ta shijojnë vdekjen para se të shohin të vijë me fuqi mbretëria e Perëndisë''. Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në vetmi, vetëm ata, mbi një mal të lartë; dhe u shpërfytyrua përpara tyre. Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t'i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë. Dhe atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po bisedonin me Jezusin. Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe i tha Jezusit: ''Mësues, për ne është mirë të jemi këtu; bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian!''. Në fakt ai nuk dinte çfarë thoshte, sepse ata ishin të trembur. Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: ''Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!''. Dhe menjëherë ata shikuan rreth e qark, por nuk panë më asnjëri, përveçse Jezusi fill i vetëm me ta. Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri. Ata e mbajtën porosinë dhe diskutonin mes tyre se ç'do të thoshte të ringjallesh prej së vdekuri. Pastaj e pyetën duke thënë: ''Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?''. Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Elia me të vërtetë duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë; por, ashtu siç është shkruar për Birin e njeriut, ai duhet të vuajë shumë gjëra dhe të përçmohet. Por unë po ju them se Elia erdhi dhe me të bënë ç'deshën, ashtu siç është shkruar për të''.