Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 3:7-21

Marku 3:7-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jezui shkoi bashkë me dishepujt drejt liqenit, ku e ndoqi një turmë e madhe njerëzish nga Galilea e Judeja, nga Jerusalemi e Idumeja, nga bregu tjetër i Jordanit, nga rrethinat e Tirit e të Sidonit. Ishte një turmë e madhe që, me të dëgjuar çfarë bënte, erdhi tek ai. Jezui u tha dishepujve t'i bënin gati një varkë të vogël, që të mos e shtypte turma, sepse ai kishte shëruar aq shumë veta, saqë të gjithë ata që kishin sëmundje shtyheshin drejt tij për ta prekur. Kur e shihnin, shpirtrat e ndyrë binin përmbys para tij, duke thirrur: «Ti je Biri i Perëndisë». Dhe ai i urdhëronte rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të. Pastaj u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që donte. Ata shkuan tek ai dhe ai caktoi të dymbëdhjetët, që i quajti apostuj, që të qëndronin me të e t'i dërgonte të predikonin, duke u dhënë pushtet për të dëbuar djajtë. Ja të dymbëdhjetët: Simoni, të cilit i vuri emrin Pjetër, Jakobi, biri i Zebedeut, e Gjoni, vëllai i Jakobit, të cilëve u vuri emrin Boanerges, që do të thotë «bijtë e bubullimës», Andrea e Filipi, Bartolomeu e Mateu, Thomai e Jakobi, biri i Alfeut, Tadeu, Simon Kananiti e Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi. Pastaj Jezui shkoi në një shtëpi dhe përsëri u mblodh një turmë, sa nuk mundën as të hanin bukë. Kur e morën vesh këtë gjë, të afërmit e tij erdhën ta merrnin, sepse thoshin: «Nuk është në vete».

Marku 3:7-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por Jezusi me dishepujt e vet u tërhoq drejt detit; dhe një turmë e madhe nga Galileja i ndoqi; edhe nga Judeja; dhe nga Jeruzalemi, nga Idumeja, nga përtej Jordanit; gjithashtu një turmë e madhe nga rrethinat e Tiros dhe të Sidonit, kur dëgjoi gjërat e mëdha që ai bënte, erdhi tek ai. Atëherë ai u tha dishepujve të tij të kenë gjithnjë gati një barkë, që populli mos e shtynte. Sepse ai kishte shëruar shumë veta, të gjithë që kishin sëmundje dyndeshin rreth tij që ta preknin. Dhe frymërat e ndyrë, kur e shihnin, binin përmbys para tij dhe bërtitnin, duke thënë: ''Ti je Biri i Perëndisë!''. Por ai i qortoi rreptësisht që të mos thoshin se kush ishte ai. Pastaj ai u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që deshi. Dhe ata erdhën tek ai. Dhe ai i caktoi dymbëdhjetë që të rrinin me të dhe që mund t'i dërgonte të predikojnë, dhe të kishin pushtet të shëronin sëmundjet dhe të dëbonin demonët. Ata ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër; Jakobi, bir i Zebedeut, dhe Gjoni, vëllai i Jakobit, të cilave ua vuri emrin Boanerges, që do të thotë: "Bij të bubullimës"; Andrea, Filipi, Bartolomeu, Mateu, Thomai, Jakobi i Alfeut, Tadeu, Simon kanaaneasi, dhe Juda Iskarioti, i cili më pas e tradhtoi. Pastaj hynë në një shtëpi. Dhe u mblodh përsëri një turmë aq e madhe, sa që as bukë s'mund të hanin. Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: ''Nuk është në vete''.