Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 11:1-19

Marku 11:1-19 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kur iu afruan Jerusalemit, pranë Betfagës e Betanisë, afër malit të Ullinjve, Jezui dërgoi dy prej dishepujve e u tha: «Shkoni në fshatin përballë e sapo të hyni, do të gjeni të lidhur një kërriç mbi të cilin nuk ka hipur ende askush. Zgjidheni e silleni! Nëse dikush ju thotë: “Ç'po bëni?”, i thoni: “Zoti ka nevojë për të e do t'jua kthejë përsëri”». Ata shkuan dhe e gjetën kërriçin të lidhur afër një dere, përjashta në rrugë, dhe e zgjidhën. Disa njerëz që po rrinin aty u thanë: «Përse po e zgjidhni kërriçin?». Dy dishepujt u përgjigjën siç u kishte thënë Jezui dhe ata i lejuan. Pastaj e sollën kërriçin te Jezui, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi të. Shumë veta shtruan në rrugë rrobat e tyre, ndërsa të tjerë shtruan degë të këputura nëpër fusha. Ata që ecnin përpara tij dhe ata pas tij, thërrisnin: « Hosana! Bekuar qoftë ai, që vjen në emër të Zotit! Bekuar qoftë mbretëria që vjen, mbretëria e Davidit, atit tonë! Hosana në lartësitë e qiejve!». Jezui hyri në Jerusalem e shkoi në tempull. Ai vështroi gjithçka rreth e rrotull dhe meqenëse tashmë ishte vonë, doli për të shkuar në Betani bashkë me të dymbëdhjetët. Të nesërmen, pasi u kthyen nga Betania, Jezuin e mori uria. Nga larg pa një fik që kishte gjethe e shkoi të shihte nëse do të gjente ndonjë fryt. Kur iu afrua, nuk gjeti asgjë përveç gjetheve, se nuk ishte koha e fiqve. Atëherë i tha fikut: «Mos ngrëntë njeri kurrë fryt prej teje!». Dhe dishepujt e dëgjuan. Kur arritën në Jerusalem, Jezui hyri në tempull e nisi të dëbonte ata që shisnin e blinin aty. Pastaj përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe tryezat e tregtarëve të pëllumbave e s'lejonte njeri të mbartte sende nëpër tempull. Jezui i mësonte e u thoshte: «A nuk është shkruar: shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjitha kombet. Por ju e keni bërë shpellë kusarësh». Kryepriftërinjtë e shkruesit dëgjuan për këtë dhe kërkonin sesi ta vrisnin. Në të vërtetë e kishin frikë, sepse tërë turma mahnitej me mësimin e tij. Kur ra muzgu, ata dolën nga qyteti.

Marku 11:1-19 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Tani kur iu afruan Jeruzalemit, drejt Betfagës dhe Betanisë, afër Malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy nga dishepujt e vet, duke u thënë: ''Shkoni në fshatin përballë dhe, posa të hyni aty, do të gjeni një kërriç të lidhur, mbi të cilin akoma nuk ka hipur askush; zgjidheni dhe ma sillni. Dhe në se ndokush iu thotë: "Pse po veproni kështu?", përgjigjuni: "I duhet Zotit. Ai do ta kthejë menjëherë këtu"''. Ata shkuan dhe e gjetën kërriçin të lidhur afër një dere, në rrugë, dhe e zgjidhën. Disa nga të pranishmit u thanë atyre: ''Ç'po bëni? Pse po e zgjidhni kërriçin?''. Këta iu përgjigjën ashtu si u kishte thënë Jezusi dhe ata i lanë të shkojnë. Atëherë ia çuan Jezusit kërriçin, vunë mbi të mantelet e tyre dhe ai u ul mbi të. Shumë njerëz i shtronin rrobat e tyre rrugës dhe të tjerë pritnin degë nga pemët dhe i hidhnin rrugës. Dhe si ata që pararendnin, edhe ata që ndiqnin Jezusin, thërrisnin dhe thoshin: ''Hosana! Bekuar është ai që vjen në emër të Zotit! E bekuar është mbretëria e Davidit, atit tonë, që vjen në emër të Zotit. Hosana në vendet shumë të larta!''. Kështu hyri Jezusi në Jeruzalem dhe në tempull; dhe, mbasi shikoi mirë çdo gjë, duke qenë se ishte vonë, doli bashkë me të dymbëdhjetët në drejtim të Betanisë. Të nesërmen, kur dolën nga Betania, ai kishte uri. Dhe, duke parë nga larg një fik që kishte gjethe, shkoi për të parë në se mund të gjente diçka atje; por, kur iu afrua, s'gjeti asgjë përveç gjetheve, sepse nuk ishte koha e fiqve. Atëherë Jezusi, duke iu drejtuar fikut, tha: ''Askush mos ngrëntë kurrë fryt prej teje përjetë''. Dhe dishepujt e tij e dëgjuan. Kështu arritën në Jeruzalem. Dhe Jezusi, mbasi hyri në tempull, filloi t'i dëbojë ata që shisnin dhe blinin brenda tempullit dhe përmbysi tavolinat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave. Dhe nuk lejoi asnjë që të mbartte sende nëpër tempull. Dhe i mësonte duke u thënë atyre: ''Vallë nuk është shkruar: "Shtëpia ime do të quhet shtëpi e lutjes për të gjithë kombet"? Ju, përkundrazi, e keni bërë shpellë kusarësh!''. Tani skribët dhe krerët e priftërinjve kur i dëgjuan këto fjalë kërkonin mënyrën se si ta vrisnin, por kishin frikë prej tij, sepse gjithë turma ishte e mahnitur nga doktrina e tij. Dhe kur u bë darkë, Jezusi doli jashtë qytetit.